Rreziku i stërmadh i “çështjes shqiptare”

    PROF. ASOC. DR. JORDAN DACI 

    Me rënien e ish-regjimit komunist në fillim të viteve ’90 dhe kalimin në sistemin e ekonomisë së tregut dhe iniciativës së liri, Shqipëria u përball me valët e para të largimit nga vendi. Ndërkohë, gjithë sistemet e vendit u dërmuan dhe një pjesë e tyre u shkatërruan plotësisht. Ndërkohë, në vitet 1995 e në vijim u shfaqën në Shqipëri të ashtuquajturat fondacione ose firmat rentiere, të cilat vunë në zbatim skema piramidale, të cilat ndonëse nuk ndiqnin asnjë logjik ekonomike u lejuan nga qeveria, gjë e cila çoi në krizën më të rëndë financiare në vitin 1996, krizë e cila reflektoi edhe në zgjedhjet e dështuara të vitit 1996. Këto ishin zgjedhjet e para ku sistemi i vjedhjes së votës u vu në zbatim masivisht pas atyre që organizoi Ramiz Alia në mars të vitit 1992, zgjedhje që u fituan masivisht nga Partia Demokratike dhe që nuk patën asnjë parregullsi.

    Menjëherë pas kësaj krize të shfrytëzuar nga opozita e asaj kohë, por edhe interesa të tjera të jashtëm, shpërthyeu kryengritja e armatosura e vitit 1997, e cila rrezikoi që falë edhe ndikimeve të jashtme të shndërrohej në një luftë civile. Këto kryengritje të motivuara nga interesa të pafajshëm u manipuluan me interesa të dëmshme kundër Shqipërisë dhe u shfrytëzuan politikisht nga ish opozita ose Partia Socialiste dhe madje edhe eksponentë të Partisë Demokratike, por që në atë kohë ishin kundër vijës qeverisë të saj.

    Kjo kryengritje ishte me pasoja të pariparueshme për çdo marrëdhënie shoqërore në vend dhe pasojat e saj vazhdojnë të kenë efekt të fortë edhe sot. Kjo kryengritje dhe menaxhimi tepër i keq dhe me shumë pasoja nga ana e qeverisë, bën që një valë e madhe shqiptarësh të lënë vendin. Procesi i rimëkëmbjes ishte i vështirë dhe nuk ka arritur as sot të rivendosë në normalitet shumë aspekte të jetës. Ndërkohë, që u rrënua përfundimisht ekonomia, ushtria, shteti i së drejtës, bujqësia dhe sistemi arsimor, Shqipëria u vendos në pamundësi të rimëkëmbjes falë faktorëve të ikjes massive të trurit, keqqeverisjes në dëm të interesave të vendit dhe shkatërrimit të ndërgjegjes qytetare.

    Paralel me procesin e rimëkëmbjes kemi një përhapje masive të korrupsionit, rënie masive të ndërgjegjes kombëtare, përdorimit të pushtetit për qëllime të ngushta personale dhe partiake, largimi i politikave qeverisëse nga interesi publik dhe vënia në shërbim të interesave të huaja antishqiptare të faktorit qeverisës dhe atij politik. Këto interesa penguan jo vetëm rimëkëmbjen, por kanë dëmtuar rëndë mundësinë e Shqipërisë për t’u zhvilluar në terma afatgjatë. Pengesat për zhvillimin e Shqipërise bazohen midis të tjerash në mbajtjen gjallë të konflikit të vazhdueshëm politik, shoqëror dhe kulturor prej viteve 1990 e në vijim. Shqipëria sot është e fundit në rajon e më gjerë, thuajse për çdo gjë, ndonëse është e para për nga burimet dhe mundësinë në shumë tregues.

    E thënë thjesht për brezat që nuk kanë jetuar këto zhvillime të dekadës së parë të viteve 1990, Shqipëria që kemi sot është dhuratë e politikës së djeshme, e cila është e njëjtë me këtë të sotmen dhe që mban peng të ardhmen e vendit me metoda dhe frymë komuniste, por që shfrytëzon edhe përparësitë që i ofron edhe sistemi kapitalist falë kontrollit ekonomik, politik dhe ligjor që ajo vijon të ushtrojë. Dallimi midis gjoja të djathëve dhe të majtëve nuk ekziston ose është fare i lehtë, kjo pasi partitë aktuale politike nuk kanë pasur dhe nuk kanë ideologji, por janë bashkime klanore, fisnore dhe interesash.

    Tashmë, me tkurrjen masive të popullsisë e cila projektohet të zvogëlohet edhe me frikshëm në vitet në vijim, klasa politike aktuale është bërë imune ndaj mekanizmave të dobët që ofron një demokraci jo funksionale si e Shqipërisë dhe mundësia për ndryshim nga jashtë duket thuajse zero me përjashtim të faktorëve të mëdhënj miq të Shqipërisë, të cilët kanë prioritete të tjera në këtë moment dhe nuk pritet të kenë ndonjë ndërveprim të shpejt.

    Ndërkohë, që shoqëria vuan nga këto probleme të rënda, të cilat e bëjnë të pamundur krijimin e një mase kritike për ndryshim, i vetmi faktor që mund të nxisë këtë proces, është faktori individ të cilët kryesisht vijnë nga shtresa e mesme që përbëhet zakonisht nga intelektualët. Megjithatë, edhe kjo shtresë është në presionin e vazhdueshëm të kompromisit për përfitime personale ose familjare që ua siguron sistemi qeverisës në këmbim të heshtjes ose solidarizimit me sistemin.

    Pra, Shqipëria në planin e sajë të brendshëm është para një momenti kritik që kërkon një ndërgjegjësim masiv për një ndryshim, i cili pengohet dhe do të vijojë të pengohet nga individët e shumtë që punojnë kundër interesave të vendit. Në këtë këndvështrim, ndryshimi mund të bëhet realitet vetëm në kushtet e një thellimi ekstrem të krizave të gjithanshme aktuale, ose si pasojë e një kombinimi edhe me faktorë të jashtë duke përfshirë faktorin shqiptar që jeton jashtë vendit.

    Ndërkohë, që Shqipëria vijon të ekzistojë sikurse të jetë e vetme në këtë botë në aspektin kombëtar, pjesë të tjera të kombit Shqiptar që jetojnë jashtë kufijve, janë faktorë të rëndësishëm që mund të ndihmojnë tej mase në kapërcimin e pengesave dhe rritjen e faktorit Shqipëri në çdo aspekt. Konkretisht, Kosova, pjesa shqiptare e Malit të Zi, pjesa Shqiptare e Maqedonisë së Veriut, shqiptarët në Serbi, Greqi apo në vende të tjera sot nuk bashkërendohen me politikën e Tiranës, midis të tjerash falë faktorit lidership në të dy anët.

    Nuk bëhet kjo analizë për të hapur diskutime të ideve të mëdha të krijuara jo nga Shqiptarët, por asnjë parim dhe norme ligjore dhe njerëzore nuk mund të ndaloj faktorin shqiptarë të jetojë dhe të veproi si i vetëm përtej ndarjeve kufitare epo të tjetërlloj. E mira për këtë çështje vijojnë të mbeten shqiptarët, të cilët në çdo vend ku jetojnë janë për të vepruar si të vetëm në kundërshtim me udhëheqjen e paaftë, primitive, lokaliste apo edhe antishqiptare të vetë shqiptarëve.

    Zhvillimet politike, ekonomike, shoqërore dhe ushtarake në mbarë botën dhe veçanërisht në Ballkan, kërkojnë një rizgjim kombëtar të shqiptarëve, të cilët kur janë bashkë gjenerojnë forcë dhe zhvillim që i kthen ato në një faktorë zhvillimi dhe stabilitetit për gjithë rajonin dhe sigurojnë ndërtimin e një të ardhmje të paqtë me fqinjët e më gjerë. Është pikërisht, ky shkaku që bëhet çmos për t’i mbajtur shqiptarët të copëzuar dhe në kriza pambarim, duke shpresuar në një defaktorizim tërësor të faktorit shqiptar të shtrirë në kohë dhe zgjidhjen kësisoj përfundimisht të “çështjes shqiptare” (pa ekzistencën e faktorit shqiptar), e cila vijon të jetë një kafshatë që nuk mund të kapërdihet pa dhimbje as nga Perëndimi.

    Antishqiptarët tashmë e kanë mësuar që mënyra më e mirë për t’i mbajtur shqiptarët nën kontroll dhe për t’i shfrytëzuar sipas dëshirës është mbajtja e tyre në kushtet e një krize dhe konflikti të vazhdueshëm. Janë pikërisht këta tregues të brendshëm dhe të jashtëm, të cilët në bashkëjetesë me një zhvillim tërësisht jo konkurrues që krijojnë një rrezik të shtuar dhe tepër serioz për ardhmërinë e shqiptarëve.

    Duhet të theksohet se shpopullimi, qeverisja e keqe, sistemi arsimor i dobët dhe vjedhja e keqpërdorimi i pasurive kombëtare e gërshtetuar me faktorin e jashtëm dhe të brendshmëm antishqiptar, janë rreziku më i madh që iu kanoset shqiptarëve që nga koha e shpërbërjes së Perandorisë Osmane. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Pacientët ngjiten shkallëve, ndërkohë ministri dhe drejtori vazhdojnë polemikën për ashensorët në spitalin e Tetovës

    Lajmi i rradhës

    Banorët e Konjares thirren në bisedë informative, shkak protestat kundër gërryerjes në afërsi të lumit Pçinja

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë