Në RMV shtrenjtohen edhe kreditë

    ankat qendrore në rajon kanë filluar të ndërmarrin masat e para për përshtatjen e qëndrimit të politikës monetare me kushtet e reja ekonomike dhe pritjeve për rritje të mëtejshme të inflacionit. Autoritetet kryesore që kontrollojnë rrjedhat financiare apo të hollave si dhe sigurojnë stabilitetin makroekonomik kanë filluar me zbatimin e instrumenteve në disponim me qëllim të zbutjes së inflacionit dhe uljes së presionit ndaj rritjes së çmimeve me shtrenjtimin në masë të caktuar të të hollave. Pritet në tërë rajonin pas masave të ndërmarra , por edhe në Maqedoni pas rritjes së normave të interesit të Bankës Popullore të Maqedonisë nga 1.25 në 1.5 për qind të kamatave të bonove të thesarit, që kreditë të qytetarëve dhe bizneseve të shënojnë një rritje të butë të kamatave , me kusht që kontratat për kreditë të jenë kontraktuar me kushtet e ndryshueshme të shkallëve të kamatave. Me fjalë të tjera, bankat do të orientohen që pjesërisht në bazë të analizave të tyre të orientojnë të hollat e tyre ndaj investimeve në bonot e thesarit në vend se të ofrojnë më shumë kredi të reja.

    Nga Shoqata e Bankave thonë se bankat në mënyrë individuale do të vendosin për lëvizjet e tyre pas vendimit të fundit të Bankës Qendrore.

    “Duke marrë parasysh ndryshimet e fundit për ndryshimin e normës bazë të interesit dhe rezervave të detyrueshme , bankat që janë anëtare të shoqatës sonë po shqyrtojnë edhe mundësitë për korrigjimin e shkallës së kamatave, andaj edhe mund të pritet që të njëjtat të përshtaten në bazë të politikave afariste të bankave”, thonë nga Shoqata e Bankave të Maqedonisë. Nga Banka Popullore thonë se me kujdes po ndjekin situatën dhe do të reagojnë në mënyrë përkatëse për të ruajtur stabilitetin makroekonomik në vend.

    “Në qendër të vëmendjes së politikës monetare duhet të ketë mbajtja e stabilitetit të çmimeve, e me këtë edhe stabilitetit makroekonomik në vend, si kontributin më të madh që ajo mund të ofrojë për ekonominë”, thotë guvernatorja Anita Angellovska Bezhovska.

    Nga ana tjetër, ekspertët ekonomik thonë se një lëvizje e tillë e Bankës Popullore për rritjen prej 0.25 për qind të shkallës referente është mirë e matur dhe shkon në favor të ruajtjes së aktivitetit ekonomik dhe stabilitetit monetar, në kushte kur pritet të ngadalësohet edhe ekonomia vendore si rrjedhojë e ngjarjeve globale, kur inflacioni akoma është i matur, kemi një rritje solide të kredive dhe kur po zbuten presionet në tregun e valutave të huaja.

    Profesori universitar Borçe Trenovski nuk pret që vendimi i fundit I Bankës Popullore të pasqyrohet dukshëm ndaj rritjes së normave të interesit të kredive që ofrojnë bankat , dhe sidomos ndaj kredive veçmë të miratuara.

    “Këto kredi ofrohen nën kushte të caktuara, disa janë me normë fikse të interesit kështu që bankat nuk bëjnë ndryshime në këtë drejtim. Vetëm në kushte ekstreme të çrregullimit të tregut, bankat i ndryshojnë kushtet. Andaj nuk pres ndryshime drastike”, thotë Trenovski.

    Sipas tij, në rast se inflacioni edhe më tej tregon trende negative, atëherë pritet që Banka Popullore të reagojë sërish me instrumentet që i ka në disponim. Nga ana tjetër, edhe përfaqësuesit e ekzekutivit nuk presin që lëvizjet e fundit të Bankës Qendrore të kenë ndikim ndaj rritjes së kamatave të kredive.

    “Bëhet fjalë për një masë standard që po ndërmerr Banka Popullore për të siguruar stabilitetin e denarit dhe për të intervenuar për shkak të inflacionit të importuar. Kjo rritje është aq e vogël saqë nuk do të duhej të rriten kamatat e bankave”, thotë zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi.

    Në ndërkohë në Shqipëri para një muajit është rritur rritjen me 0.5 pikë përqindje të normës bazë së interesit, nga niveli 0.5 për qind në nivelin 1.0 për qind, në përgjigje të një inflacioni gjithnjë e në rritje. Arsyetimi i Bankës Popullore të Shqipërisë ishte se goditja aktuale e ofertës dhe fortësia e kërkesës agregate, rrezikojnë të vënë objektivin të stabilitetit të çmimeve në afatin e mesëm.

    Kjo lëvizje “synon të krijojë kushte e nevojshme monetare për respektimin e objektivit tonë të inflacionit, për ruajtjen e stabilitetit financiar, si dhe për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të ekonomisë dhe të punësimit në Shqipëri”. Në fund të muajit mars, Banka Qendrore në Kroaci ju ka rritur bankave rezervën e detyrueshme pas paralajmërimit të rregullatorit evropian se në Kroaci, çmimet e banesave dhe shtëpive po rriten më shumë dhe më shpejt se treguesit e tjerë ekonomik. Ky vendim ju imponon bankave të rrisin rezervat e tyre me qëllim që të mbrohen nga problemet e mundshme në të ardhmen me pagesën e rregullt të kredive.

    Në Serbi, Banka Popullore ka ngritur në fillim të muajit prill, shkallën referente të kamatës nga 1 në 1.5 për qind. Si shkak për këtë lëvizje theksohet se presionet inflatore në tregun botëror dhe vendor po fuqizohen dhe janë të një karakteri më të qëndrueshme seç pritej më parë, dhe se kjo kërkon shtrëngim të mëtejshëm të kushteve monetare. /koha.mk/

    Lajmi Paraprak

    Ish-kryeministri Zaev: Bullgaria është mike dhe duhet ta ndihmojë Maqedoninë e Veriut

    Lajmi i rradhës

    Banorët e lagjes “Lenin” me vite presin të asfaltohet infrastruktura e shkatërruar

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë