Bastisje, arrestime dhe kontrolle të jashtëzakonshme. Organet gjyqësore janë aktivizuar skajshmërisht në prag të ndërrimit të motmoteve. Ditët e fundit, opinioni ishte dëshmitar i një sërë arrestimeve dhe bastisjeve, të cilat ndodhin një kohë të gjatë pas paralajmërimeve të pushtetit se do të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar. U arrestuan 23 persona të dyshuar për krim të shkaktuar për rreth 6.5 milionë euro, ndërsa së fundmi, Prokuroria dhe Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) kanë bastisur edhe zyrat e Këshillit Gjyqësor për të siguruar prova lidhur me vepra të mundshme kriminale të kryera gjatë mandatit të kryetares në largim, Vesna Dameva. Kjo ka ngritur pyetjen: a po zgjohen organet e pushtetit gjyqësor nga “letargjia” apo po zbatojnë agjenda nën presione politike?
Profesori universitar Bashkim Selmani e konsideron këtë valë arrestimesh si veprime sipërfaqësore, të destinuara kryesisht për “shou”, sesa si iniciativa serioze për të çrrënjosur krimin e organizuar dhe korrupsionin që, sipas tij, e ka kapluar shtetin në masë të madhe.
Ai për gazetën Koha vlerëson se nëse nuk kemi një ‘shpëlarje’ të figurave të gjyqësorit dhe pastrim institucional me njerëz të cilët nuk kanë qenë me prapavijë politike, nuk mund të luftohet krimi.
“Maqedonia e Veriut nuk është e aftë në aspektin gjyqësor të përballet me krimin dhe korrupsionin, për arsye se të gjitha subjektet politike në mënyrë të drejtpërdrejtë apo indirekte janë autorë të krimit institucional dhe kjo e bën që krimi të luftohet në bazë të rrethanave dhe faktorëve të jashtëm dhe kur kemi situata të këtilla bëjnë një veprim për të arsyetuar funksionin e shtetit, por nuk është veprimtari afatgjate që në mënyrë të drejtpërdrejtë do ta godiste krimin e organizuar”, theksoi Selmani. Ai thekson se pista e parë duhet të jetë hetimi i shkaqeve që shuan Prokurorinë Speciale, e cila ishte themeluar posaçërisht për të luftuar krimin e organizuar.
“Vetëm nëse kuptojmë pse u shua ky institucion, mund të shohim autorët realë të krimit të organizuar”, shtoi ai.
Sipas Selmanit, arrestimet e fundit janë reprizë e asaj që ndodh kur ndërrohen pushtetet dhe si e tillë e konsideron si të njëanshme.
“Çdo pushtet kur vjen ka veprime të kësaj natyre dhe nga ana tjetër nuk fillon nga vetvetja, sepse subjektet politika, të gjitha, nga pavarësia e vendit e deri në ditët e sotme janë autorë të krimit të organizuar, janë autorë të borxhit publik”. Për të ndërhyrë në këtë situatë, ai sugjeron formimin e një trupi neutral, i cili do të hetonte shkaqet e krimit dhe korrupsionit që nga pavarësia e vendit deri sot. “Duhet të shqyrtohen arsyet përse krimi institucional ka kontribuar në varfërimin e popullsisë dhe ka minuar sundimin e ligjit”, shton Selmani.
Përndryshe, keqpërdorimet në Këshillin Gjyqësor ishin paralajmëruar edhe nga kryeministri Hristijan Mickoski. Në një fjalim të mbajtur më 28 nëntor në Kuvend, ai tha se kishte marrë dokumente që tregonin për parregullsi brenda Këshillit Gjyqësor. Sipas tij, dokumentet vinin nga denoncues dhe lidheshin me procesverbale të falsifikuara.
“Në Këshillin Gjyqësor ka grupe, pra klane – njëri ka dy anëtarë, tjetri tre, dhe një person është i vetmuar. Marr dokumente nga denoncues që tregojnë procesverbale të falsifikuara, me data dhe vula të ndryshme, dhe pa nënshkrime. Nëse kjo nuk është arsye që Prokuroria të hyjë dhe të kontrollojë, atëherë nuk e di çfarë sinjali duhet të marrin”, deklaroi Mickoski.
Disa ditë pas kësaj deklarate, më 2 dhjetor, Vesna Dameva dha dorëheqje nga posti i kryetares së Këshillit Gjyqësor. Në arsyetimin e saj, ajo përmendi mungesën e mbështetjes nga pushteti ekzekutiv dhe legjislativ, si dhe presionet për të cenuar integritetin e saj personal dhe profesional nga zyrtarë të lartë, me theks të veçantë përmendi presionet nga ana e kryeministrit Hristijan Mickoski.
Gjyqësori në fokus edhe të përplasjeve politike. LSDM ngrit alarmin se VMRO-DPMNE po dëshiron të ketë kontroll absolute mbi pushtetin gjyqësor, ndërsa dëshmi për këtë sipas social-demokratëve është zgjedhja e Danka Ristova, gruaja e një kryetari të komunës nga VMRO-DPMNE, si anëtare e Këshillit Gjyqësor. Synimi i kësaj qeverie është i qartë – partizim i plotë dhe kthim i “gjyqësorit Sëarovski. LSDM ka muaj që paralajmëron dhe ky nuk është rast i izoluar, por strategji e qartë e Mickoskit dhe partisë së tij për të shkatërruar pavarësinë e gjyqësorit. Si në kohën e Gruevskit, ashtu si edhe sot, VMRO-DPMNE dëshiron që gjyqtarët të jenë vetëm pion që do të marrin vendime sipas direktivave partiake.”, thuhet në njoftimin e LSDM-së. Nga “Bihaçka” shtojnë se qytetarët dhe LSDM nuk mund dhe nuk do të lejojnë uzurpimin e drejtësisë, ndërsa i bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve, ekspertëve të pavarur, punëtorëve të drejtësisë dhe organizatave të shoqërisë civile që të qëndrojnë të vendosur kundër këtij uzurpimi.
Nga ana tjetër VMRO-DPMNE ka reaguar duke thënë se LSDM po vazhdon të veprojë në mbrojtje të krimit të liderëve të saj, aktualë dhe të dikurshëm, dhe në mbrojtje të krimit të BDI-së dhe të gjithë atyre që kanë rënë në kundërshtim me ligjin.
“Frika nuk do t’i ndihmojë, vetëm mund t’i mashtrojë se me konferenca të tilla shtypi mund të ndalojnë luftën kundër korrupsionit dhe të mbajnë në pushtet çiftet e korruptuara gjykatë-prokurorë dhe biznes-politikë në drejtësi. Drejtësia po vjen, duan apo nuk duan. Dhe vjen për të gjithë, pavarësisht nga përkatësia partiake, etnike apo fetare. Akuzat se kryetari i një komune të vogël si Radovishi ka ndonjë pushtet apo ndikim në procese të karakterit kombëtar, siç është zgjedhja e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, janë absurde dhe larg realitetit.”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
Përndryshe, gjyqësori dhe lufta ndaj krimit dhe korupsiuonit vazhdimisht ka qenë cak i kritikave dhe vërejtjeve të shumta të institucioneve dhe raporteve ndërkombëtare, përfshirë edhe raportin e fundit të progresit të KE-së, në të cilin thuhet se “korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha dhe është një çështje shqetësuese serioze”.