BDI harron ‘gjelbërimin’, i kthehet ‘këngës së vjetër’

    BDI-ja vazhdon të mburret me realizimin e zotimeve të fushatës së quajtur Agjenda e gjelbër, të cilën e prezantoi më shumë se dy vjet më parë në zgjedhjet lokale. E sipas funksionarëve të saj, Agjenda e gjelbër përmbushet kur ata dalin me qese plastike dhe dorëza për të pastruar ambientet publike në prizmin e kamerës duke mbledhur shishe dhe qese plastike.

    “Bashkë me Bekimin dhe anëtarë te degës Çair dhe shokë nga struktura e Çairit ishim pjesë aktiviteteve të dy sekretariateve të rëndësishme të degës Çair të BDI-së, atë të shëndetësisë dhe të mjedisit jetësor. Shëndeti dhe pastërtia, dy tema shtyllë të agjendës së gjelbër”, shkroi Bujar Osmani, BDI.

    Agjendën e gjelbër partia e Ahmetit e prezantoi para zgjedhjeve lokale të vitit 2021 duke thënë se tashmë ishin përmbushur të gjitha aspektet e Marrëveshjes së Ohrit. Zotimi erdhi gjithashtu pas fushatës “pse jo” e cila fillimisht parashikonte që vendi të drejtohet nga kryeministër shqiptar në mandatin e qeverisë 2020-2024. E vetëm dy vite më vonë, fushata fokusohet përsëri te kryeministri shqiptar, i cili, do të jetë me mandat vetëm 100 ditor, duke lënë anash “gjelbërimin” e paralajmëruar.

    “Pas miratimit të pjesës normative të Marrëveshjes së Ohrit dhe të zbatimit të përditshëm të saj, reformave thelbësore, anëtarësimit në NATO dhe vulosjes së të ardhmen evropiane, ka ardhur koha që BDI-ja të fokusohet tërësisht në cilësinë e të jetuarit, e kushteve të jetesës së përditshme, zhvillimin, arsimin dhe shëndetësi cilësore”, deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

    Sipas aktivistit për mbrojtjen e ambientit jetësor Arianit Xhaferi, tani që afrohet fushata për zgjedhjet e ardhshme, Agjenda e gjelbër do të jetë prapë në fokus. Megjithatë, ai kujton që agjenda jo vetëm që nuk është realizuar, por ka regres në fushën e mbrojtjes së ambientit.

    “Përderi sa akoma nuk është bërë kanalizimi në dy lokacionet ku kalon më shumë kohë z.Ahmeti, në Zajaz dhe në Reçicë të Vogël, nuk besoj se kanë fytyrë të dalin në fushatë dhe ta përmendin agjendën e gjelbër. Çfarë është bërë? Është bërë që hoqi dorë nga Ministria e Mjedisit e cila duhet të jetë bartëse e agjendës së gjelbër. Për më tej kanë marrë pjesë në hartime dhe kanë votuar buxhetin e Ministrisë së Mjedisit ku nga 1.5% sa ka qenë buxheti, tani ka rënë në 0.7% nga buxheti total. Pra, ka bërë hapa pas, kë bërë regres sa i takon mbrojtjes së mjedisit”, deklaroi Arjanit Xhaferi, aktivist.

    Pesë shtyllat e Agjendës së gjelbër të cilat BE-ja i synon për vendet e Ballkanit Perëndimor janë:

    (1) veprimi klimatik, duke përfshirë dekarbonizimin, energjinë dhe lëvizshmërinë,

    (2) ekonomia cirkulare, duke adresuar në veçanti mbetjet, riciklimin, prodhimin e qëndrueshëm dhe përdorimin efikas të burimeve,

    (3) biodiversiteti, duke synuar mbrojtjen dhe rivendosjen e pasurisë natyrore të rajonit,

    (4) luftimi i ndotjes së ajrit, ujit dhe tokës dhe

    (5) sistemet e qëndrueshme ushqimore dhe zonat rurale. Objektivat e këtyre shtyllave duhet të ndiqen përmes veprimeve konkrete dhe të mbështetura nga mekanizma dhe instrumente financiare. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Disgrafia, vështirësitë me shkrimin si tregues i një çrregullimi në të nxënë

    Lajmi i rradhës

    ASh-ja nuk e pleqëroi besë-prerjen nga shumica parlamentare

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë