BDI-ja hesht për tenderin në vlerë prej 1.8 milionë euro

    Tenderi në vlerë prej 1,8 milion euro i Ministrisë së Punëve të Jashtme, të cilin e fitoi kompania Eurovia, e cila është donatore e BDI-së, sipas VMRO-DPMNE-së nxit dyshime për krim të mundshëm. Zëdhënësja Marija Miteva, kërkon nga Ministri i Punëve të jashtme, Bujar Osmani që të publikojë të gjithë dokumentacionin e tenderit dhe të dëshmojë se nuk ka veprime korruptive me kompaninë Eurovia e cila është firmë që i jep donacione BDI-së.

    “E njëjta kompani Eurovia, e cila është në pronësi të Elmedin Ademit, nipit të ish-ministrit të BDI-së, Abdylaqim Ademi, ka marrë tenderë të tjerë në vlerë prej dy milionë euro, njëri për ndërtimin e stacionit të ri policor në Aerodrom, i dyti për rindërtimin e objekteve për Universitetin “Nënë Tereza”. Për më tepër, mjaft interesant është fakti që kjo kompani paraqitet si donatori më i madh i BDI-së. Respektivisht, BDI nga Elmedin Ademi ka pranuar 2.500.000 denarë si donacion, që është trefish mbi limitin ligjor për donacion nga personi fizik, dhe në të njëjtën kohë Eurovia si person juridik i ka dhuruar BDI-së 1.800.000 denarë, në vitin 2022”, deklaroi Marija Miteva, VMRO-DPMNE.

    I pyetur nga gazetarët, ministri Kreshnik Bekteshi shmangu komentet rreth tenderit të dhënë për kompaninë “Eurovia”. Por kërkoi nga VMRO-DPMNE që të mos merret me njerëz që kanë ndërruar jetë.

    “Ne si njerëz që kryejmë funksione shtetërore publike duhet kemi pak etikë të mos flasim për njerëz që kanë ndërruar jetë dhe ti marrim si shembull familjarët e tyre ose lidhjet e tyre. Këtu flas për z. Abdylaqim Ademi. Kjo është jo etike dhe nuk besoj se lider i partie politike dhe ne si kryerës të funksioneve shtetërore politike të bëjmë krahasime të tilla për pikë politike”, u shpreh Kreshnik Bekteshi, BDI.

    Ndërsa nga Ministria e Punëve të Jashtme në kumtesë për mediat thanë se i hedhin poshtë akuzat e opozitës dhe shtojnë se kompania që e ka fituar tenderin ka dhënë ofertë më të lirë. Tenderi prej 1,8 milion eurove ka të bëjë me përshtatjen e hapësirave të Qendrës Sportive “Boris Trajkovski” për Samitin e ministrave të OSBE-së që do të mbahet në fund të vitit. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Nga mesnata çmime të reja të derivateve të naftës

    Lajmi i rradhës

    “Heshtja e BDI-së dhe përfshirja e funksionarëve të saj në afera korruptive humbje e etikës dhe moralit”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë