BE-ja inkurajon Ballkanin Perëndimor që të bëjë më shumë përpjekje për të pagjeturit

    Bashkimi Evropian i ka inkurajuar të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor që të bëjnë më shumë përpjekje për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë konflikteve në territorin e ish-Jugosllavisë.

    Kjo çështje është problem serioz në rajon dhe vazhdon të jetë pjesë e raporteve vjetore të progresit, që BE-ja i bën për vendet e Ballkanit.

    Çështja e personave të zhdukur gjatë luftës është një prej temave me prioritet edhe në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, që zhvillohet me ndërmjetësimin e BE-së.

    Por, çështja e të zhdukurve është problem i gjerë në rajon dhe prek edhe raportet mes Kroacisë dhe Serbisë, si dhe mes Serbisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës.

    Gjatë kësaj jave, kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, fajësoi Serbinë për mungesë të vullnetit që të zbardhë fatin e të pagjeturve, duke thënë se “ata që dinë për këtë çështje, janë autoritetet në Serbi”.

    Pllenkoviq i bëri këto komente në përvjetorin e 30-të të rënies së qytetit të Vukovarit në duart e Armatës së atëhershme të Jugosllavisë.

    Pasi morën këtë qytet, pjesëtarët e Armatës dhe njësitë paramilitare nga Serbia kryen krime ndaj popullatës civile dhe robërve të luftës.

    Për këto krime, në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë për Krimet e Luftës në territorin e ish-Jugosllavisë, janë dënuar ushtarakë të lartë serbë.

    Edhe 30 vjet pas kësaj ngjarjeje në Vukovar vazhdon të ketë numër të konsiderueshëm të personave të zhdukur dhe familjarët e tyre vazhdojnë të kërkojnë të dinë se çfarë ndodhi me të afërmit e tyre.

    Zyrtarët e Kroacisë, shtet anëtar i BE-së, insistojnë që Serbia t’u japë qasje në arkivat ushtarake, në mënyrë që të ndihmohet në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Hapjen e arkivave, Kroacia e konsideron si kusht për Serbinë në rrugëtimin e saj të integrimit në BE.

    Në selinë e BE-së në Bruksel thanë se “nuk kanë çfarë të shtojnë, përveç asaj që është thënë edhe në raportet e fundit të progresit rreth kësaj çështjeje”.

    Në raportet e progresit thuhet se “fati i personave të zhdukur, që lidhen me konfliktet e viteve të 90-ta, mbetet një çështje kyçe në Ballkanin Perëndimor, që duhet të zgjidhet”.

    BE-ja, duke iu referuar të dhënave të Kryqit të Kuq ndërkombëtar, ka thënë se 9,969 persona konsiderohen të pagjetur si pasojë e luftimeve në rajon. Nga kjo shifër, numri më i madh, përkatësisht 6,371 persona të pagjetur lidhen me konfliktin në Bosnje dhe Hercegovinë, pastaj 1,968 në Kroaci dhe 1,630 në Kosovë.

    Komisioni Evropian tha se vetëm dhjetë raste të personave që janë zhdukur gjatë konfliktit në Kroaci, janë zgjidhur në vitin 2020 dhe 21 raste të tjera gjatë këtij viti.

    Në Bosnje, gjatë këtij viti janë zgjidhur 14 raste të personave të zhdukur, ndërsa një vit më parë edhe 32 raste të tjera.

    Në Kosovë, më 2020 u zbardh fati i katër personave të zhdukur, ndërsa gjatë këtij viti janë zgjidhur 12 raste.

    Në rastin e Kosovës përmendet edhe nxjerrja e mbetjeve mortore të nëntë personave nga një varrezë masive në Kizhevak të Serbisë. Gërmimet në këtë lokacion u bënë me ndihmën e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur dhe Misionit për Sundim të Ligjit të BE-së në Kosovë, EULEX.

    Komisioni Evropian tha se ka bashkëpunim në mes komisioneve për të pagjeturit në vendet e rajonit. Por, ky institucion i BE-së ftoi vendet e rajonit që të mos e politizojnë çështjen e të pagjeturve.

    Zyrtarët e BE-së po ashtu kanë ftuar liderët politikë të shteteve të Ballkanit Perëndimor që të përmbahen nga gjuha nxitëse dhe mohimi apo relativizimi i krimeve të luftës. Një gjë e tillë, sipas zyrtarëve të bllokut evropian, do të ndihmonte në tejkalimin e traumave nga e kaluara dhe po ashtu do të ndihmonte në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

    Së voni, Serbia është përballur me kritika nga BE-ja, pasi autoritetet serbe kanë parandaluar fshirjen e një murali kushtuar ish-liderit ushtarak të serbëve të Bosnje e Hercegovinës, Ratko Mlladiq, i dënuar për gjenocid dhe krime lufte në Bosnje. Ky mural, që është vendosur në qendër të Beogradit, ka nxitur edhe protesta në Serbi.

    Zyrtarë të BE-së i kanë kërkuar Serbisë që të mos e mohojë gjenocidin dhe të respektojë vendimet e drejtësisë ndërkombëtare.

    Në Serbi, nga niveli më i lartë shtetëror vazhdojnë të mohojnë gjenocidin në Srebrenicë të Bosnje dhe Hercegovinës, ndonëse në disa raste e përmendin si “krim të tmerrshëm”, por duke refuzuar që ta përdorin termin gjenocid.

    Gjatë luftës në Bosnje, forcat serbe vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë. Vrasjet u njohën si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë./REL/

    Lajmi Paraprak

    Të rinjtë në udhëkryq pas diplomimit

    Lajmi i rradhës

    Junajted shkarkon trejnerin, Ole Gunar Solskjaer

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë