Biden: Lufta në Ukrainë nuk mbaron shpejt

    Në përmbyllje të vizitës së tij dyditore në Poloni, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, tha se Ukraina nuk duhet të frikësohet pasi që nuk do të jetë e vetme në luftën e saj.

    Biden tha se presidenti rus, Vladimir Putin, ka përdorur gënjeshtra si justifikime për të pushtuar Ukrainën. Duke ushtruar agresion mbi Ukrainën, Biden tha se Rusia, ka mbytur demokracinë.

    “Në këtë betejë ne duhet t’i kemi sytë hapur. Kjo betejë nuk do të fitohet as për disa ditë e as për disa muaj. Ne duhet të forcojmë veten për luftën e gjatë përpara nesh”, tha Biden në fjalimin e tij.

    Biden tha se nuk ekziston asnjë justifikim për agresionin brutal të Rusisë në Ukrainë.

    Këto komente presidenti Biden i bëri nga Kështjella Mbretërore në Varshavë, një simbol i kryeqytetit polak që u rindërtua pasi u shkatërrua në masë të madhe në periudhën e Luftës së Dytë Botërore.

    “Ukraina dhe populli i saj janë në vijën e parë, duke luftuar për të shpëtuar kombin e tyre dhe rezistenca e tyre e guximshme është pjesë e një lufte më të madhe për parimet thelbësore demokratike që bashkojnë të gjithë njerëzit e lirë”, deklaroi Biden.

    Presidenti Joe Biden i bëri thirrje popullit rus që të kundërshtojë regjimin e presidentit Putin, duke thënë se një lider si ai nuk meriton të jetë në udhëheqje.

    “Më lejoni të them këtë, nëse jeni në gjendje të më dëgjoni. Ju, populli rus nuk jeni armiku ynë. Refuzoj të besoj se ju e mirëprisni vrasjen e fëmijëve dhe gjyshërve të pafajshëm. Ose që pranoni [shkatërrimin] e spitaleve, shkollave, materniteteve, për hir të Zotit, duke u goditur me raketa dhe bomba ruse”, deklaroi presidenti Biden, mesazh ky adresuar popullit rus.

    Biden, porositi Moskën zyrtarë që të mos i shkoi mendja të sulmoi asnjë centimetër të territorit të NATO-s, pasi siç tha ai, do të ketë konsekuenca të rënda.

    Presidenti Biden e bëri të qartë se konflikti aktual në Ukrainë – një shtet jo anëtar i NATO-s – nuk kërkon që Amerika të përfshihet drejtpërdrejt në luftë.

    “Forcat amerikane nuk janë në Evropë për t’u përfshirë në konflikt me forcat ruse, forcat amerikane janë këtu për të mbrojtur aleatët e NATO-s”, tha ai.

    Gjatë vizitës së tij dyditore në Poloni, Biden, përveç udhëheqësve polakë takoi edhe ministrat kryesorë të Ukrainës të cilët i siguroi për mbështetje më të madhe ushtarake.

    Biden vizitoni edhe një qendër ku janë të strehuar refugjatët ukrainas në Varshavë të Polonisë. /REL/

    Lajmi Paraprak

    “Diplomat master nuk u japin punëtorëve përparësi mbi aftësitë e tyre”

    Lajmi i rradhës

    Infermierët “e panevojshëm” synojnë Europën

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë