Zjarri tragjik në barin Crans-Montana, shkaktoi vdekjen e të paktën 40 personave natën e Vitit të Ri 2026, është pjesë e një liste të gjatë aksidentesh katastrofike në klubet e natës në mbarë botën, përcjell Nistori.
Më vdekjeprurësi në histori konsiderohet zjarri në klubin Cocoanut Grove në Boston (SHBA), më 28 nëntor 1942, ku humbën jetën 492 persona. Kjo tragjedi çoi në një shtrëngim drastik të standardeve të sigurisë, kujton gazeta zvicerane Le Nouvelliste.
Nga viti 1970 e deri më sot janë regjistruar të paktën 21 zjarre në klube nate me 40 ose më shumë viktima:
16 mars 2025, Maqedonia e Veriut – Tragjedia e fundit e madhe para Crans-Montana. Një zjarr i shkaktuar nga mjetet piroteknike në klubin e natës Pulse, i mbushur me njerëz, në Koçan, dhe rrëmuja që pasoi, morën jetën e 63 personave, kryesisht të rinj.
30 tetor 2015, Rumani – Një zjarr shpërtheu në një klub në qendër të Bukureshtit gjatë një koncerti hard-rock me shfaqje piroteknike; 64 persona humbën jetën.
27 janar 2013, Brazil – 242 të vdekur dhe mbi 600 të plagosur në një klub të mbushur me studentë në Santa Maria. Tragjedia u shkaktua nga një fishekzjarr i destinuar për përdorim në ambiente të hapura.
5 dhjetor 2009, Rusi – Një shfaqje fishekzjarrësh në një klub në Perm vrau 155 persona.
1 janar 2009, Tajlandë – 66 persona që festonin natën e Vitit të Ri në Bangkok humbën jetën në një zjarr të shkaktuar nga fishekzjarrët.
20 shtator 2008, Kinë – 44 të vrarë në Shenzhen për shkak të përdorimit të fishekzjarrëve në ambiente të mbyllura.
31 dhjetor 2004, Argjentinë – 194 të vdekur në Buenos Aires gjatë një koncerti roku me pothuajse 2.000 të rinj.
20 shkurt 2003, SHBA – 100 persona humbën jetën në Rhode Island për shkak të fishekzjarrëve.
1 dhjetor 2002, Venezuelë – 65 të vdekur në një klub bodrumi në Karakas.
9 korrik 2002, Indonezi – 42 të vdekur në një restorant karaoke në Palembang.
25 dhjetor 2000, Kinë – Zjarr në një qendër tregtare dhe klub në Luoyang; 311 persona humbën jetën gjatë një feste të Krishtlindjes.
30 tetor 1998, Suedi – 63 të rinj, nga 12 deri në 19 vjeç, vdiqën në Geteborg gjatë një feste Halloween.
18 mars 1996, Filipine – 162 të vdekur në klubin Ozone në Manila.
23 nëntor 1994, Kinë – Zjarri në një klub në Fuxin mori 233 jetë.
25 mars 1990, SHBA – 87 të vdekur në klubin Happy Land në Bronx, Nju Jork.
14 janar 1990, Spanjë – 43 persona humbën jetën në Zaragoza.
17 dhjetor 1983, Spanjë – 81 të vdekur në klubin Alcalá 20 në Madrid.
14 shkurt 1981, Irlandë – 48 të vdekur në klubin Stardust në Dublin.
31 dhjetor 1979, Kanada – 48 persona humbën jetën në Quebec.
28 maj 1977, SHBA – 165 të vdekur në Southgate, Kentucky.
1 nëntor 1970, Francë – Zjarri në klubin 5-7 në Saint-Laurent-du-Pont mori 146 jetë njerëzish. /Nistori/






