Në një kohë kur inovacioni konsiderohet shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik, të dhënat më të fundit të Entit Shtetëror të Statistikave (EShS) për periudhën 2022–2024 tregojnë një realitet të kufizuar dhe të pabarabartë. Vetëm 22.4 për qind e subjekteve afariste në vend kanë ndërmarrë aktivitete inovative, çka nënkupton se mbi 77 për qind e bizneseve funksionojnë pa investime në produkte, procese apo shërbime të reja. Ky nivel i ulët i inovacionit jo vetëm që sinjalizon një ekonomi me kapacitet të kufizuar transformimi, por edhe ngrit pikëpyetje mbi aftësinë e saj për të ndjekur ritmet e zhvillimit në rajon dhe më gjerë.
Ndërmarrjet e vogla, të cilat përbëjnë pjesën më të madhe të ekonomisë, rezultojnë të jenë edhe më pak të përfshira në aktivitete inovative, me vetëm 19.6 për qind. Në të kundërt, ndërmarrjet e mesme arrijnë në 32.1 për qind, ndërsa ato të mëdha afrohen në rreth 40 për qind. Ky disproporcion tregon qartë se inovacioni në vend nuk është i shpërndarë në mënyrë të barabartë, por është i përqendruar kryesisht tek bizneset me më shumë kapacitete financiare, njerëzore dhe teknologjike. Në këtë kuadër, inovacioni nuk paraqitet si një mundësi e barabartë për të gjithë, por si një privilegj që lidhet drejtpërdrejt me madhësinë dhe fuqinë ekonomike të ndërmarrjes.
Ndërkohë, pjesa dërrmuese e ndërmarrjeve të vogla, mbi katër të pestat e tyre, mbeten jashtë çdo forme inovacioni, duke reflektuar kufizimet reale me të cilat përballen, si mungesa e financimit, qasja e vështirë në teknologji dhe mungesa e stafit të specializuar. Edhe pse ndërmarrjet e mëdha nuk janë plotësisht të imunizuara nga ky fenomen, ato kanë dukshëm më shumë gjasa për të investuar në zhvillim dhe për të ndjekur trendet e reja të tregut. Kjo krijon një strukturë ekonomike me dy nivele, ku një pjesë e vogël e aktorëve përparon, ndërsa shumica mbetet në vendnumëro.
Në aspektin sektorial, të dhënat tregojnë një përqendrim të theksuar të inovacionit në fusha të caktuara që lidhen drejtpërdrejt me dijen dhe kapitalin financiar. Sektori i kërkimit dhe zhvillimit shkencor kryeson bindshëm me 57.1 për qind të subjekteve inovative, duke reflektuar natyrën e tij thelbësisht të orientuar drejt krijimit të risive. Pas tij renditen aktivitetet financiare dhe të sigurimeve me 43.6 për qind, një sektor që tradicionalisht ka pasur më shumë mundësi për të investuar në teknologji dhe digjitalizim. Një nivel relativisht i qëndrueshëm inovacioni vërehet edhe në sektorët e furnizimit me ujë, menaxhimit të mbeturinave dhe rehabilitimit të mjedisit, ku 35.4 për qind e subjekteve raportojnë aktivitete inovative, kryesisht si rezultat i presionit për standarde më të larta mjedisore dhe efikasitet operacional.
Ndryshe, sektorët tradicionalë si minierat dhe guroret mbeten dukshëm prapa, me vetëm 13.6 për qind të subjekteve që raportojnë inovacion. Ky nivel i ulët sugjeron një varësi të vazhdueshme nga modele të vjetra prodhimi dhe një mungesë të investimeve në modernizim, gjë që në afat të gjatë mund të ndikojë negativisht në produktivitet dhe konkurrueshmëri. Edhe në sektorë të tjerë prodhues dhe shërbimesh vërehet një përqindje e lartë e ndërmarrjeve jo-inovative, duke treguar se transformimi teknologjik dhe organizativ nuk po ndodh me ritmin e nevojshëm. /Koha/






