Biznesi në Dibër shpëtohet vetëm me planin e ri urbanistik

    Viteve të fundit, pushteti vendor i Dibrës ka ndërmarrë shumë aktivitete me qëllim që komuna të ketë një Plan të ri Gjeneral Urbanistik. Plani aktual, i cili ende është në fuqi, nuk i plotëson nevojat dhe kërkesat zhvillimore, si në aspektin e ndërtimeve kolektive dhe individuale, ashtu edhe në drejtim të zhvillimit të bizneseve. Përpjekjet e Komunës së Dibrës për të pasur një Plan të ri Gjeneral zgjasin tashmë më shumë se një dekadë. Edhe pushteti i ri vendor ka ndërmarrë aktivitete që Dibra sa më shpejt të pajiset me një plan të ri urbanistik.

    Në Sektorin për Urbanizëm të Komunës së Dibrës thonë se disa herë deri tani, në nivel të Këshillit Komunal, janë dhënë sqarime se pa një Plan të ri Gjeneral nuk mund të planifikohen zona të reja ndërtimi apo hapje zonash për biznese. Gazmend Cami nga Sektori për Urbanizëm thotë se Plani i ri Gjeneral Urbanistik është një nevojë e kohës. Ai ka theksuar disa herë se me planin aktual, i cili është i vjetërsuar, nuk mund të legalizohen objekte të tëra. “Dibra është zgjeruar shumë dhe pa planin e ri nuk mund të vazhdojë zgjerimi”, thotë ai.

    Në këtë sektor, si shembull përmendet territori i Rajçicës, ku ka shumë objekte të ndërtuara. Po ashtu besohet se problemet me ndërtimet në bregun e Liqenit të Dibrës nuk mund të tejkalohen pa një Plan të ri Gjeneral Urbanistik. Përfaqësues të shoqatave qytetare në Dibër vlerësojnë se mungesa e një plani të ri urbanistik ndikon edhe në stimulimin e ndërtimeve pa leje. Mungesën e një Plani të ri Gjeneral Urbanistik e ndjejnë veçanërisht biznesmenët lokalë dhe mërgimtarët që jetojnë në shtetet evropiane dhe në Amerikë. Ka investitorë që duan të ndërtojnë punishte, reparte dhe objekte të tjera jashtë territorit që mbulohet nga plani i vjetër urbanistik.

    Për shkak të pritjeve shumëvjeçare, shumë biznesmenë humbin interesimin për investime. S.F., një mërgimtar që prej vitesh tenton të investojë në Dibër, thotë se ai dëshiron të ndërtojë në periferi të qytetit, por zona ku planifikon investimin ndodhet jashtë territorit të mbuluar nga plani aktual. “Dibra pa Plan të ri Gjeneral Urbanistik nuk mund të zhvillohet”, thotë ai.

    Për përgatitjen e një Plani të ri Gjeneral Urbanistik është angazhuar edhe udhëheqësia e re komunale. Kryetari i komunës, Fisnik Mela, para anëtarëve të Këshillit Komunal ka deklaruar se janë ndërmarrë shumë aktivitete që Dibra të pajiset me një plan të ri urbanistik. Në një situatë të tillë është ringjallur edhe shpresa e biznesmenëve për investime, por edhe e pushtetit vendor për një zhvillim më të shpejtë lokal, i cili do të ndikonte në uljen e papunësisë, hapjen e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin e shumë sektorëve në komunë. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Kur zënkat e prindërve bëhen plagë për fëmijët

    Lajmi i rradhës

    Si po e rrafshon Inteligjenca Artificiale shkrimin e mirë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë