MJALTI I RREMË NË TREGUN E RMV | Kavanozat fals, përditshmëri

    Bletarët alarmojnë se nuk ka të ndalur shitja e mjaltit fals, andaj apelojnë që ai të blihet vetëm nga prodhuesit e vërtetë dhe bletarët e regjistruar. Përskaj klimës që nuk favorizon bletët, bletarët ankohen për konkurrencë të pandershme. Bletarët thonë se duhet të ketë kontrolle më të mëdha nga autoritetet dhe të mos lejohet që të abuzohet me cilësinë e mjaltin që ndodh që i shtohen edhe përbërje jo natyrale dhe që shitet në pikat e ndryshme, andaj edhe kërkojnë që shteti të bëjë kontrolle të rregullta të numrit të bletëve dhe të zbulojë manipuluesit eventual edhe përmes kontrolleve të rregullta të cilësisë së mjaltit nga shërbimet profesionale.

    FALSIFIKATET KONSTANTË

    Sipas Pavle Boshkoskit, ish-kryetar i Lidhjes së Bletarëve të Maqedonisë, shitësit e mjaltit të falsifikuar tashmë janë konstantë. “Dikur thoshim ‘dikush është shfaqur në rrugën Kërçovë-Ohër ose Gradsko-Prilep’, por tani kjo dukuri është konstante, bile ka edhe më shumë mjaltë të falsifikuar”, thekson Boshkoski duke shtuar se prodhimi i sivjetshëm, ashtu si vitin e kaluar, do të plotësojë vetëm nevojat e brendshme. Sa i përket prodhimit vjetor, ai vlerëson se fillimi ka qenë katastrofik për shkak të reshjeve.

    “Asnjë nga bimët nuk prodhoi mjaltë, dhe bletët ngecën dhe madje u pakësuan në numër. Pastaj erdhi një periudhë relativisht e mirë për bletarinë, që do të thotë se pothuajse të gjitha rajonet prodhonin sasi të mira të mjaltit. Por sërish pas kësaj, temperaturat e larta prekën ndjeshëm bimët fushore nën 500 metra mbi nivelin e detit, të çilat deri më tani nuk kanë mjaltë. Njëherësh në rajonet më të ulëta nuk kemi pasur proces të mjaltimit që nga korriku, dhe kemi shumë pak mjaltë livadhi. Por në pjesët me pyje, ujë, lumenj, përrenj, situata është ndryshe. Por, më duhet të konstatoj se situata po përsëritet tash e katër vjet , ku kemi sasi të vogla të mjaltit ose sasia nuk do të jetë më e madhe se vitin e kaluar dhe mezi do t’i plotësojmë nevojat e brendshme”, është i prerë Boshkoski. Ai shton se çmimi i një kilogrami mjaltë është 600 denarë, edhe pse mund të arrijë edhe 800 deri 1000 denarë.

    Bletarët vlerësojnë se tek ne, për fat të keq, mjalti ende përdoret kryesisht si ilaç, dhe jo rregullisht në ushqim. Konsumi është shumë i ulët, një deri në dy kilogramë në vit për familjar, ndërsa në Evropë është 10 kilogramë. Mirëpo probleme me origjinën e mjaltit nuk ka vetëm në Maqedoni dhe Ballkan, por edhe në shtetet evropiane.

    EVROPA MBI 40 PËR QIND MJALTË FALLCO

    Anketa e fundit e inspektimit të tregut të BE-së zbuloi se mbi 40 për qind e mostrave të mjaltit të marra nga supermarketet evropiane në 2021 dhe 2022 përmbanin shurup sheqeri.

    Zyra e Komisionit Evropian për Antitrust (OLAF) dhe Qendra e Përbashkët Kërkimore (JRÇ) njoftuan së fundmi rezultatet e një hetimi të madh për çilësinë e mjaltit të importuar në Bashkimin Evropian. Hetimi zbuloi se pothuajse 50 për qind e mjaltit që hyn në tregun e BE-së është i falsifikuar. Nga 320 mostrat e rastësishme të marra nga nëntori 2021 deri në shkurt 2022, 46 për qind ishin të kontaminuara, bazuar në shurupet e sheqerit nga orizi, gruri ose panxhari i sheqerit.

    Rregulloret evropiane ndalojnë çdo aditiv në mjaltë. Meqenëse 46 për qind e mostrave të analizuara janë false, mund të thuhet me siguri se një pjesë e konsiderueshme e mjaltit të konsumuar në Evropë është false.

    “Me 175,000 ton mjaltë të importuar në vit, Evropa është importuesi i dytë më i madh në botë i mjaltit pas Shteteve të Bashkuara”, shkruan Le Monde.

    Shumica e mjaltit të rremë vjen nga Kina (74 për qind ) dhe Turqia (14 nga 15).​ Përveç falsifikimit më të zakonshëm me shtimin e shurupeve të sheqerit, raporti paralajmëron për praninë e aditivëve dhe ngjyrave dhe falsifikimin e informacionit të gjurmueshmërisë. “Mjalti përmban natyrshëm sheqer dhe, sipas ligjit të BE-së, ai duhet të mbahet i pastër. Nuk mund të shtohet artificialisht ujë apo shurupe të lira sheqeri për të rritur volumin. Andaj është e rëndësishme të jemi vigjilentë për të zbuluar çdo abuzim”, tha Ville Itala, drejtor e OLAF.

    Shoqata e konsumatorëve “Foodwatch“, pretendon se fakti që kaq shumë mjaltë e falsifikuar ka arritur tek konsumatorët tregon dobësinë e testimit zyrtar. Konsumatorët evropianë kanë vite që blejnë mjaltë të rremë në supermarkete dhe as që e dinin për të”, thekson Ingrid Kragl nga Foodwatch. “Shërbimet kombëtare të kontrollit, por edhe laboratorët privatë, nuk arritën të zbulonin mashtrimin sepse burimet e tyre janë të pamjaftueshme”, konstaton ajo.

    Kërkesa në rritje ka çuar gjithashtu në rritjen e produkteve të falsifikuara, duke e bërë produktin e tretë më të falsifikuar ushqimor në botë. Franca konsumon 40.000 ton në vit, por vetëm 10.000 ton prodhohet në këtë vend. Ndaj jo vetëm Franca por të gjitha shtetet e Bashkimin Evropian importojnë mjaltë nga jashtë, rreth 60 për qind të sasisë që konsumohet. Edhe pse vendet e Bashkimit Europian kanë një legjislacion të fortë për këtë produkt ku thuhet se: “quhet mjaltë vetëm fruti i bletës pa asnjë modifikim apo sasi të shtuar”, në dyqane është e lehtë të gjesh mjaltë që nuk e plotëson këtë përkufizim. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Shkup, mbahet marsh për paqe në Gaza

    Lajmi i rradhës

    Kryqi që kryqëzon partitë!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë