Amnistinë e presin mbi tre mijë amendamente!

    Për një javë projektligji për amnistinë pas procedurës së shkurtuar do të jetë në rendin e ditës para deputetëve, por pyetja është nëse do të kalojë edhe filtrat parlamentare nëse merret parasysh se qeveria dhe opozita presin seancën me qëndrime të pandryshuara. VMRO-DPMNE nuk devijon nga synimi i bllokadës. Nga ana tjetër, nga qeveria shpresojnë se do të mund të gjejnë një gjuhë të përbashkët dhe të paktën nga sa pretendojnë zyrtarisht, të mos “anashkalojnë” opozitën dhe të shmangin bojkotin me flamurin evropian, një instrument që vendos për ligjet e propozuara në një rrugë të shpejtë dhe kufizon diskutimin parlamentar në një maksimum prej tre ditësh.

    Ministri i Drejtësisë Krenar Lloga nga Aleanca për Shqiptarët, i cili është propozuesi i autorizuar i amnistisë në emër të Qeverisë, sipas dikasterit të tij, nuk ka ndërmend ta tërheqë projektligjin në rast bllokimi dhe ta dorëzojë sërish, por nën mbulesën e flamurit evropian.

    “Vlerësojmë se për të gjitha vërejtjet nga partitë politike ka mundësi që deputetët të gjejnë zgjidhje përmes amendamenteve, të ndërhyjnë në tekstin e propozuar me të vetmin qëllim që ligji të kalojë me sukses në Parlament. Që nga fillimi qëndrimi i ministrit të Drejtësisë është që Ligji për Amnisti nuk do të propozohet me flamur evropian dhe zgjidhja nuk do të kërkohet jashtë Parlamentit”, kanë thënë nga Ministria e Drejtësisë.

    Në VMRO-DPMNE nuk do të habiteshim me një skenar të mundshëm që projektligji të shtyhet me flamur evropian, sepse thonë se ka pasur shembuj të tillë. Kjo, theksojnë ata, vetëm sa do të shtojë pasqyrën e përgjithshme të abuzimit me flamurin evropian. Në këtë situatë, lideri i partisë Hristijan Mickoski ka paralajmëruar largimin nga Parlamenti.

    PRITEN MBI 3 MIJË AMENDAMENTE

    Seanca plenare në rendin e ditës të së cilës duhet të gjendet amnistia është caktuar për më 2 nëntor dhe partia më e madhe opozitare planifikon të përgatitet në rast se po të njëjtën ditë caktohet edhe seanca dëgjimore komisioni, deri në të cilën, sipas procedurës, është e mundur  të paraqiten ndryshime. Deputetja Dafina Stojanoska, e cila është edhe zëvendës-koordinatore e grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit, thotë se fillimisht kanë planifikuar ta bllokojnë projektligjin me rreth 5000 amendamente. Nuk dihet nëse do të dorëzojnë kaq shumë, por thotë se “me siguri do të jenë mbi 3000”. “Nëse do të luftonin për shtetin siç po luftojnë për amnisti për kriminelët, do të kishim ndonjë rezultat. Dhe me standardin më të ulët dhe inflacionin më të lartë, nuk mund të më thonë se ky është ligji që i duhet Maqedonisë tani. Në luftën e tyre, ata harruan rebalancin e Buxhetit – u kalua si rishpërndarje e mjeteve. Pensionistët janë ende në rrugë, të sëmurët me trikafta ende nuk kanë trikafta… Këto janë problemet akute të qytetarëve, jo kriminelët të lirohen para zgjedhjeve”, komenton Stojanoska.

    Deputetët e bllokut opozitar shqiptar, nga ana tjetër, do të vendosin shtesë se si do të deklarohen në parlament. Për deputetin Fadil Zendeli nga Lëvizja BESA, aspekti human i amnistisë është i padiskutueshëm nëse merret parasysh gjendja në burgje, por në rastin konkret, qëndrimi i tij personal është se qeveria e ka dorëzuar projektligjin për motive politike dhe për përfitime partiake. Mirëpo, për qëndrimin përfundimtar, ai thotë se në ditët në vijim do të konsultohet edhe me kolegët e tjerë të opozitës së bashkuar. Në këtë grup bëjnë pjesë Alternativa e Afrim Gashit, si dhe Lëvizja Demokratike e Izet Mexhiti, i cili së fundi u shkëput nga BDI dhe mori me vete edhe dy deputetë të tjerë.

    Kushtet e këqija në burgje, mbipopullimi dhe pamundësia e risocializimit ishin arsyet për të cilat zyrtarët qeveritarë vazhdimisht treguan se mbështesin amnistinë. Por, amendamente pritet të parashtrohen nga deputetët e shumicës qeverisëse, të cilën e ka paralajmëruar edhe kryeministri dhe lideri i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski. Pasi lajmi se amnistia do të përfshijë dy të dënuar për veprën penale të ndihmës në rastin “Monstra” për vrasjen e pesëfishtë pranë liqenit të Smilkovës në vitin 2012 shkaktoi një ortek reagimesh në opinion, ndërsa për të njëjtën gjë u thirr edhe në seancë për çështje parlamentare, Kovaçevski tha se nëse ka raste të tilla, deputetët e LSDM-së dhe koalicionit do të paraqesin amendament.

    Në koluaret partiake flitet se grupi parlamentarë janë duke e shqyrtuar projektligjin që iu është dorëzuar dhe janë duke analizuar nëse dhe në cilin drejtim do të lëvizin amendamentet e tyre. Një nga opsionet është të kërkohet që amnistia të mos zbatohet për krimin e “ndihmës” në krime të veçanta apo të ashtuquajturat “vepra të vështira”. Mirëpo, nëse deputetët e LSDM-së do ta bëjnë këtë do të varet nga hapat e opozitës, e cila nëse e varros me amendamente, projektligji me siguri do të mbetet i bllokuar në labirintet parlamentare. Amnistia ndoshta nuk do ta zgjidh plotësisht problemin, mendon ish-gjykatësja në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Margarita Caca-Nikollovska. Ndoshta një pjesë e burgjeve do të lirohen, tha ajo në debatin e ekspertëve, por e rëndësishme është që shteti të mendojë që të mundësojë ekzekutimin e dënimeve në mënyrë dinjitoze dhe të përshtatshme.

    ÇFARË PARASHIKON AMNISTIA

    Nëse miratohet projektligji për amnisti, ai do të jetë i teti me radhë që nga shpallja e pavarësisë së vendit. Sipas versionit të dorëzuar në parlament, ai do të përfshijë autorët e dënuar ligjërisht për “krime të lehta” – të dënuarit që janë dënuar me burg deri në gjashtë muaj do të lirohen plotësisht dhe ata me më shumë se gjashtë muaj do të përjashtohen nga vuajtja e 30 për qind e dënimit.

    Përjashtim nga amnistia janë krimet e rënda. Është planifikuar të mos përfshihen personat e dënuar ligjërisht me burgim të përjetshëm, të dënuar për vrasje, për krime kundër zgjedhjeve dhe votimit, kundër lirisë dhe moralit gjinor, grabitje, kundër rendit publik, kundër njerëzimit dhe të drejtës ndërkombëtare, mashtrim ndaj dëmtimi i fondeve të BE-së, pastrimi i parave, shpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar, marrja dhe dhënia e ryshfetit, dhënia dhe marrja e shpërblimeve për ndikim të paligjshëm, dhuna në familje dhe me bazë gjinore.

    Aktualisht në burgje janë 2114 të dënuar, sa është kapaciteti i përgjithshëm në vend dhe nga analizat e Administratës së Ekzekutimit të Sanksioneve deri më 26 shtator 2023 rezulton se me miratimin e projektligjit do të jenë plotësisht 286 të dënuar të liruar, ndërsa do të amnistohen pjesërisht 996. Mirëpo, këto nuk janë shifrat përfundimtare sepse 2813 persona të tjerë presin të hyjnë në burg dhe për ta do të bëhet një analizë shtesë se kush do të amnistohen. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Inflacioni i ndikuar prej shkkaqeve në vend apo nga jashtë?               

    Lajmi i rradhës

    Blegtorët dibranë të kënaqur me çmimin e djathit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë