Blinken në G20 do të kërkojë zhbllokimin e eksporteve të Ukrainës

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do t’iu bëjë thirrje anëtarëve të G20, për t’i bërë presion Rusisë që të mbështesë përpjekjet e Kombeve të Bashkuara për të rihapur rrugët detare që janë bllokuar nga konflikti në Ukrainë.

    Gjatë takimit të G20-s, Blinken pritet po ashtu të përsërisë paralajmërimet ndaj Kinës që të mos e mbështesë Moskën në luftën kundër Ukrainës.

    Blinken është nisur më 6 korrik për në Azi, për të marrë pjesë në takimin e 8 korrikut të G20-s në Bali. Ai pritet të takohet me homologun e tij kinez, Wang Yi, por asnjë takim nuk pritet të ndodhë me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

    Ramin Toloui, ndihmëssekretar i Shtetit për Ekonomi dhe Çështje Biznesore, u tha gazetarëve se Blinken do ta ngrehë çështjen e sigurisë së energjisë dhe nismave të OKB-së për të zhbllokuar eksportet e Rusisë dhe Ukrainës të produkteve bujqësore në tregjet botërore.

    “Shtetet e G20 duhet ta mbajë përgjegjëse Rusinë dhe të insistojë në mbështetjen e përpjekjeve të OKB-së për të rihapur rrugët detare për dërgesat e drithërave”, tha ai.

    “Nëse kjo do të ndodhë në nivel të G20-s apo në nivel të shteteve individuale, ajo që është më e rëndësishme është qëndrimet që do të paraqesë sekretari Blinken”, tha Toloui.

    Ukraina e ka akuzuar Rusinë se po vjedh drithërat e saj teksa po vazhdon pushtimi i shtetit dhe se ka bllokuar protet ukrainase, ku gjenden dërgesat me drithëra. Këto bllokada Kievi ka thënë se po ndikojnë në mungesën e furnizimeve globale.

    Ukraina tha se gjatë kësaj jave do të mbajë bisedime me Turqinë dhe OKB-në për të marrë garanci të sigurisë për eksportet e drithërave.

    Moska ka mohuar se po vjedh drithërat e Ukrainës, por imazhet satelitore dhe të dhënat e tjera tregojnë se Rusia po transporton drithëra nga Ukraina përmes portit të Sevastopolit në Krime. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Top pesë liderët botërorë më të parapëlqyer në Kosovë

    Lajmi i rradhës

    Qeveria dënon dhunën në protestat që i organizon VMRO-DPMNE-ja

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë