Bllokadat greke sjellin krizë energjetike në RMV

    Me propozim të Komitetit Drejtues për Koordinimin dhe Menaxhimin e Sistemit të Krizave, Qeveria në seancën e së hënës miratoi vendim për shpalljen e gjendjes së krizës në furnizimin me energji elektrike në të gjithë territorin e vendit, për një periudhë prej shtatë ditësh nga hyrja në fuqi e vendimit. Sipas autoriteteve, gjendja e krizës është shpallur për shkak të pamundësisë për të siguruar sasi të mjaftueshme të mazutit të nevojshëm për prodhimin e energjisë elektrike, si pasojë e bllokadave dhe protestave në Greqi. Me këtë vendim, Elektro Ekonomia e Maqedonisë (EEM) do të ketë të drejtë të përdorë burime nga rezervat shtetërore të mazutit pa kompensim, ndërsa “AD ESM” obligohet të raportojë te Qeveria dhe Ministria e Financave për konsumin e këtij burimi energjetik.

    PROBLEME ME FURNIZIMIN NGA GREQIA

    Më herët, termocentralet shtetërore njoftuan se për shkak të protestave në Greqi po përballen me vështirësi serioze në furnizimin me mazut, i cili përdoret në sasi më të vogla në prodhimin e energjisë elektrike, ndërsa edhe furnizimi me qymyr po realizohet me vonesa. Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, deklaroi se shteti disponon rezerva të mjaftueshme të mazutit. “Republika ka rezerva shtetërore të mazutit dhe, në rast se protestat në Greqi zgjasin dhe nuk mund të sigurohet furnizim për më shumë se 30 ditë, këto rezerva do të vihen në dispozicion të EEM-së,” theksoi Bozhinovska.

    Vendimi për shpalljen e gjendjes së krizës u kritikua ashpër nga LSDM-ja opozitare. Sipas tyre, kriza është pasojë e keqmenaxhimit dhe tenderëve të dyshimtë në sektorin energjetik.

    “Pse në mes të dimrit nuk ka të paktën 300 mijë ton qymyr në deponi? Pse mazuti nuk u sigurua me kohë? A është zgjedhur tashmë kompania furnizuese? Kjo gjendje krize po paguhet nga qytetarët, ndërsa buxheti ka një vrimë prej 1 miliard eurosh,” thuhet në reagimin e LSDM-së. Kryeministri Hristijan Mickoski, nga ana tjetër, u referua gjendjes së trashëguar në “AD ESM”, duke theksuar kapacitetet e amortizuara dhe mungesën e investimeve në vitet e kaluara. “U përballëm me kapacitete prodhuese të pamirëmbajtura, miniera të shkatërruara dhe hidrocentrale të lëna pas dore. Energjia për ne është çështje e sigurisë kombëtare,” deklaroi Mickoski.

    INVESTIME STRATEGJIKE NË ENERGJI

    Si pjesë e strategjisë për stabilitet afatgjatë, Qeveria nënshkroi marrëveshje për ndërtimin e parkut fotovoltaik “Bitola 3” dhe për revitalizimin e hidrocentraleve – Faza 3, me një investim total prej 97 milionë eurosh, të financuara nga KfW, BERZH dhe buxheti shtetëror. Drejtori i Përgjithshëm i EEM-së, Lazo Uzunçev, theksoi se në dy deri tre vitet e ardhshme prodhimi vendas nga burimet e rinovueshme do të rritet për mbi 200 megavat-orë, duke ulur emetimet e CO₂ për më shumë se 260 mijë ton në vit.

    Nga janari i vitit të ardhshëm, shteti pritet të blejë të gjithë prodhimin e energjisë elektrike nga termocentrali TE-TO i Shkupit. Oferta për muajin janar është pranuar me çmim prej 119.5 euro për megavat-orë, për një sasi prej 104.160 MWh, çka do t’i kushtojë EEM-së rreth 12.5 milionë euro. Ministria e Energjisë ka pranuar gjithashtu kërkesa për ndërtimin e termocentraleve të reja me gaz, sistemeve të magazinimit të energjisë dhe objekteve të rinovueshme, me kapacitet total prej 1.265 megavatësh deri në vitin 2026 – investime që arrijnë vlerën e rreth 1.4 miliardë eurove.

    Nga Qeveria theksojnë se energjia mbetet prioritet strategjik për sigurinë, stabilitetin ekonomik dhe zhvillimin afatgjatë të vendit. “Një sistem energjetik i sigurt dhe i qëndrueshëm është parakusht për përballimin e sfidave ekonomike dhe gjeopolitike,” thuhet në deklaratën zyrtare, duke e cilësuar centralin fotovoltaik “Bitola 3” si simbol të tranzicionit drejt energjisë së pastër dhe të qëndrueshme.

    BULLGARIA I OFRON MAZUT MAQEDONISË PËR TA SHPËTUAR NGA GJENDJA E KRIZËS

    Me urdhër të kryeministrit bullgar Rosen Zheljazkov, ministri i Energjisë Zheço Stankov ka kryer një inspektim mbi disponueshmërinë e mazutit në Bullgari. Inspektimi ka konstatuar se në territorin e vendit ka sasi të mjaftueshme të mazutit për nevojat e brendshme, njofton shërbimi për shtyp i Qeverisë bullgare. Në bazë të këtyre sasive të mjaftueshme, Qeveria e Bullgarisë ka propozuar dërgesa urgjente të mazutit për Maqedoninë, me qëllim ndihmën ndaj vendit në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme të shpallur dje. Propozimi është përcjellë gjatë një bisede telefonike ndërmjet ministrit të Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Georg Georgiev, dhe homologut të tij nga Maqedonia, Timço Mucunski.

    Pala bullgare ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar në sigurimin e sasive të nevojshme, në përputhje me mundësitë teknike dhe logjistike.

    Gjatë bisedës, sipas agjencisë BGNES, është theksuar se ofrimi i kësaj ndihme është “shprehje e fqinjësisë së mirë dhe solidaritetit dhe ka për qëllim garantimin e sigurisë energjetike dhe stabilitetit në rajon”. Propozimi i Bullgarisë është dërguar pasi Qeveria e Maqedonisë shpalli gjendje të jashtëzakonshme në vend, e shkaktuar nga vonesat në furnizim. Shkak për këtë situatë është bllokada e pikave kufitare me Greqinë nga ana e fermerëve grekë, e cila po pengon importin e karburanteve dhe lëndëve të para. Deri më tani, nga Maqedonia nuk është publikuar asnjë informacion zyrtar lidhur me këtë ofertë nga Sofja. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Kush e paguan çmimin real të rritjes?

    Lajmi i rradhës

    “Parkingjet në Kumanovë”, punëtorët dy vite pa K15

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë