Boçvarski pa përgjigje për vonesën e rrugës Shkup-Bllacë

    Ministri i Transportit, Blagoj Boçvarski, nuk e tregon arsyen pse pjesa e parë e autostradës Shkup – Bllacë, e gjatë vetëm dy kilometra, vonohet për më shumë se një vit. Në vend të detajeve se ku është bllokuar puna, ministri përgjigjet për pjesën e dytë të rrugës, për të cilën Alsat nuk ka kërkuar përgjigje.

    “Shkup – Bllacë, po punohet edhe në pjesën e parë, ndërsa në pjesën e dytë është duke u përgatitur procedurë tenderuese. Seksioni i dytë, i cili është më kompleks dhe më i madh, me 25 për qind tunele në vetë seksionin, projekti është drejt fundit”, deklaroi Bllagoj Boçvarski, ministër i Transportit dhe i Lidhjeve.

    Sot ministri nuk është përgjigjur në pyetjen se a ndihet përgjegjës për vonesën e realizimit të punimeve dhe as nëse kanë përgjegjësi drejtorët e Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore. Më 15 nëntor të vitit 2021, ministri Boçvarski tha se seksioni i parë do të jetë gati nga mesi i këtij viti.

    “Më vjen shumë mirë që ky seksion i parë ka përfunduar 50 për qind dhe do të vazhdojë, presim që të përfundojë në mesin e vitit të ardhshëm”, tha Blagoj Boçvarski, Ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

    Ministri nuk i është përgjigjur pyetjes së Alsat për përgjegjësinë e mundshme të autoriteteve për vonesën apo gabimet në punë. Drejtori i Rrugëve Shtetërore njoftoi pak ditë më parë se në seksionin e parë janë shfaqur probleme të paparashikuara. Tani është e nevojshme të projektohet një mur i ri 280 metra i gjatë dhe 23 metra i lartë.

    “Tani duhet të hapim proces të ri përzgjedhjeje për ato punë shtesë për dy kilometra”, u shpreh Ejup Rustemi drejtor i NPRSH-së.

    Në vend të 100 milionë eurove fillestare siç ishte paralajmëruar nga qeveria, kjo lidhje autostrade me Kosovën 12 km e gjatë mori një çmim të ri i cili tani shkon në 186.7 milionë euro. Kjo do të thotë se një kilometër autostradë do të kushtojë gati 20 milionë euro dhe me këtë do të jetë autostrada më e shtrenjtë jo vetëm në rajon por edhe në Evropë. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    A do të përfundojë rritja e çmimeve në Maqedoni?!

    Lajmi i rradhës

    MD mohon pezullimin e marrëveshjes me Danimarkën për burgjet

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë