BUJAR DUGOLLI DHE ARDIAN KASTRATI SHPALLEN PLAGJIATORË

    Këshilli i Etikës ka vendosur – Bujar Dugolli dhe Ardian Kastrati, janë plagjiatorë.

    Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka kërkuar shkarkimin dhe heqjen e titujve akademikë shkence për profesorët Ardian Kastrati dhe Bujar Dugolli, pasi Këshilli i Etikës në Universitetin e Prishtinës vendosi që të dy përmes plagjiaturës kanë fituar titujt.

    Sipas Dibran Hoxhës nga ORCA, revista në të cilën profesorët kishin publikuar punimet, ka hequr publikimet. Kjo organizatë nëpërmjet një aksioni simbolik para Fakultetit Filozofik ka kërkuar shkarkimin e dy profesorëve.

    Megjithatë, për shkarkim s’ka vendosur Këshilli i Etikës. Më 16 qershor, KE-ja ndëshkoi Dugollin me mohim të përfshirjes në mentorim në ciklin e studimeve master dhe doktoraturë për dy vjet. Masa vlen vetëm për kandidatët e rinj dhe jo për kandidatët, të cilët tanimë janë në mentorim. Kastratit i është mohuar përfshirja në mentorim në të gjitha nivelet e studimit në UP për tri vjet.

    Këshilli i Etikës ka thënë se fakti i largimit të publikimit nga revista është “fakt i pakontestueshëm se artikulli i botuar nuk i ka përmbushur standardet akademike dhe shkencore për t’u botuar në një revistë me kredibilitet ndërkombëtar”.

    “Nesër bëhen 1 vit nga denoncimi i parë publik i ORCA-s për plagjiaturat e dy profesorëve të fakultetit Filozofik, Bujar Dugollit dhe Ardian Kastratit. Të dy profesorët e kane shfrytëzuar punimin me përmbajtje të plagjiaturës duke vjedhur nga burime të ndryshme dhe përmes kësaj vjedhjeje janë ngritur në pozita më të larta”, ka thënë Hoxha të mërkurën, raporton EO. “Revista iu është përgjigjur ORCA-s duke konstatuar dhe verifikuar plagjiaturën e punimit të të profesorëve Dugolli e Kastrati. Në përgjigjen e tyre thuhet se titulli do të hiqet menjëherë nga revista dhe se politikat e revistës nuk e lejojnë në asnjë formë plagjiaturën, dhe rrjedhimisht punimi është larguar nga revista, duke faktuar përtej çdo dyshimi që punimi i profesorëve përmban plagjiaturë”.

    Teksa Kastrati ka qenë i paqasshëm në thirrjet e KOHËS, Dugolli ka thënë se “kjo është propagandë e qëllimshme”.

    “I kam dhënë sqarimet lidhur me këtë. Shkalla e asaj që njihet si ngjashmëri është e caktuar, por nuk ka pasur vlerësim profesional për plagjiaturë. Ky është një artikull me dy autorësi dhe ne i kemi dërguar në Këshill të Etikës Gabimet. Këshilli i Etikës ka rënë në ndikim të propagandës qëllimkeqe të ORCA-s. Në aspektin profesional nuk i ka marr askush për bazë provat që i kemi dërguar. Është vendim joprofesional dhe i padrejtë për mua sepse nuk janë të vërteta. Gabimet që janë identifikuar nga Kastrati kam sqaruar që nuk janë të mijat. Ndëshkimi është i papranueshëm për mu. Ata nuk kanë marrë në konsideratë të analizojnë ngjashmëritë. Edhe pse i kanë pas këto informacione kanë vendosur për një vendim të tillë të padrejtë. Këshilli ka vendosur të ndikohet nga rektori Sahiti dhe ORCA”, ka thënë Dugolli.

    Vendimi për Kastratin

    Vendimi për Dugollin

    Lajmi Paraprak

    LSM-ja e filloi grevën e përgjithshme, vendosi ulëse para Kuvendit të Maqedonisë

    Lajmi i rradhës

    Fëmija 2-vjeçar bie nga kati i katërt i ndërtesës në Shkup

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë