Bujqit në RMV mosbesues ndaj kooperativave

    Fermerët në Maqedoni mbeten mosbesues ndaj organizimit së punës së tyre në kooperativa bujqësore. Për më tepër akoma shumë pak po praktikohet bashkimi tyre me qëllim të përmirësimit të konkurrencës përmes investimeve të përbashkëta dhe blerjes të ripromaterialeve, marketingut, tregtimit dhe shitjes së përbashkët të produkteve bujqësore, si dhe përpunimit të produkteve primare. Eksperti bujqësor Igor Ivanovski vlerëson se kaloi koha kur bujqësia shërbente vetëm për mbijetesë, përderisa shton se tani ka ardhur koha jo vetëm në perëndim por edhe tek ne e bujqësisë si biznes i pastër që nënkupton jo mbijetesë por fitim nga bujqësia moderne.

    Sipas tij, që të kemi një prodhimtari të suksesshme është shumë e rëndësishme që të zvogëlohen harxhimet, për shkak se përskaj të ardhurave janë të rëndësishme edhe harxhimet. Nëse harxhimet në vëllim arrijnë 70-80 për qind, atëherë suksesi i cilido prodhimtarie përfshi atë bujqësore është në minimum dhe mund të sjellë edhe humbje.

    Ekspertët e bujqësisë theksojnë edhe një sërë përparësish dhe përfitimesh që sjell organizimi i punës së bujqve në kooperativa. Gjatë bashkimit të prodhuesve bujqësor në radhë të parë vjen deri tek zvogëlimi i harxhimeve, ndërsa prodhuesit kanë edhe mekanizim të përbashkët bujqësor ku nuk është i njëjtë përdorim i tij në disa hektarë dhe në mija hektarë. Njëherësh avantazhi i dytë është menaxheri i kooperativës që ka për angazhim edhe shitjen brenda dhe jashtë shtetit si përmes Agro Bursës, ashtu edhe përmes kompanive që merren me shitjen jashtë shtetit, ku çmimet janë shumë më të larta.

    Në ndërkohë shumica e ekonomive bujqësore në vend janë me truall të vogël bujqësor për përpunim, që paraqet problem më vete për prodhimtarinë dhe profitin në bujqësinë e Maqedonisë. Grumbulluesit dhe tregtarët janë më të interesuar të blejnë sasi të mëdha të produkteve ushqimore dhe bujqësore që fermerët nuk mund t’i ofrojnë gjithmonë. Maqedonia ka një numër të madh të fermerëve që kultivojnë sipërfaqe të vogla. Fragmentimi i parcelave është problem për prodhim më të lartë dhe ulje të kostos. Andaj supozohet se prodhuesit e vegjël duhet të organizohen dhe të punojnë me prodhime të paracaktuara, këshillojnë ekspertët.

    Sipërfaqet e kultivueshme janë mesatarisht 1.4 hektarë, shpesh të fragmentuara, larg infrastrukturës rrugore dhe me kosto të larta.

    Përpunuesit blejnë më shumë nga prodhuesit më të mëdhenj sesa nga individët dhe mosbesimi midis fermerëve dhe industrisë së konservimit redukton prodhimin e kontraktuar dhe i mban çmimet e blerjes të ulëta. Përvoja tregon se bashkimi në kooperativa është një zgjidhje që jep efekte reale dhe i bën fermerët lojtarë më të mëdhenj në treg. Ky proces është mbështetur prej disa vitesh me mbështetje financiare për ngritjen e kooperativave në vitin aktual dhe mirëmbajtjen e punës së atyre ekzistuese. Qëllimi i kooperativave është që fermerët të ulin kostot, dhe së bashku të shesin më shumë në treg. Vitet e fundit në Maqedoni janë formuar ar më shumë se 60 kooperativa bujqësore, nga të cilat 40 janë aktive, në dallim prej më shumë se 1000 kooperativa më shumë se 30 vite më parë në një ambient ndryshe ekonomik, social dhe shoqëror.

    Që nga viti 2013, kur u miratua ligji, janë regjistruar dhe punojnë më shumë se 60 kooperativa bujqësore, por jo të gjitha plotësojnë kushtet ligjore për të marrë mbështetje dhe ndihmë financiare.

    Në total ato kultivojnë 3300 hektarë në të gjithë vendin dhe së bashku kanë një tufë prej gati 800 gjedhe, 600 dhi dhe 5000 dele.

    Ekzistojnë kooperativa thuajse në të gjitha rajonet e vendit, të cilat janë krijuar për të rritur prodhimin, për të ulur kostot dhe për të shitur më shumë në treg përmes operacioneve të përbashkëta. Kooperativat zakonisht merren me disa aktivitete bujqësore, që është rezultat i klimës së vendit , për të prodhuar kultura të ndryshme në një fermë.

    Një numër i vogël i tyre specializohen në një degë, si frutikultura, vreshtaria, bletaria apo prodhimi i orizit.

    Me modelin e ri për mbështetje financiare, kooperativat marrin 3 milionë denarë. Kooperativat bujqësore kanë një rëndësi të veçantë në kushtet e rrezikshmërisë së lartë, tregut jo të zhvilluar të kredive, sigurimit të pamjaftueshëm të produkteve bujqësore e të tjera. Bile kooperativat kanë një pjesë të konsiderueshme të tregut në prodhimin bujqësor në vendet e zhvilluara – 83 për qind në Holandë, 79 për qind në Finlandë, 55 për qind në Itali dhe 50 për qind në Francë.

    Eksperti Tomislav Klariç, thekson se kooperativat janë gjeneratori i të gjithë ekonomisë që mobilizon të gjitha burimet në dispozicion. Në Kroaci ka mbi 904 kooperativa në fusha të ndryshme, kryesisht në bujqësi, industri përpunuese dhe peshkim. Megjithatë, ai shton se në Kroaci, si dhe në Maqedoni, kooperativat janë larg trendeve botërore. Çdo i pesti banor i ë BE-së është anëtar i kooperativës , ndërsa në Kroaci çdo i 200-ti banor. Në vitet e kaluara është evidente se shteti ka investuar përpjekje dhe fonde të mëdha për të ringjallur kooperativën në bujqësi. Është i padiskutueshëm fakti se kooperativat bujqësore janë një nga format kryesore për tejkalimin e problemeve të shumta në bujqësinë e Maqedonisë . Kjo është veçanërisht e rëndësishme në përshtatjen e fermerëve me kërkesat e Bashkimit Evropian. Prandaj, mbeten sfida të shumta në të ardhmen që kërkojnë një angazhim më të madh të shtetit dhe institucioneve të tij, por edhe të të gjithë aktorëve, përfshirë fermerët.

    Me fjalë tjera vendi është larg kooperativave moderne. Andaj ekspertë t sugjerojnë të shfrytëzohet përvoja botërore, nga vendet që janë shumë përpara, si Franca, Irlanda, Holanda. Në to, mbi 50 për qind e produkteve bujqësore, blerja e mjeteve mbrojtëse, mekanizimi, përpunimi, kalojnë nëpër kooperativa që janë diçka ndërmjet sektorit privat dhe atij social, dhe përfaqësojnë një lloj sipërmarrjeje ekonomike që trajton socialen. Për ekzekutivin e ri mbetet detyra e avancimit të punës së kooperativave.

    Ndër të tjerash duhet të zgjidhet edhe çështja e organizimit të punës së tyre me një ligj të veçantë që është në varësi të Ministrisë së Ekonomisë, ku detyrimi i Ministrisë së Bujqësisë do të duhet të jetë të realizojë ndryshime shtesë në Ligjin për bujqësinë dhe zhvillimin rural ku kushtet, funksionimi dhe kontrolli mbi kooperativat bujqësore do të saktësohet me e ligji që ende nuk është miratuar.

    Projektligji rregullon kushtet, mënyrën dhe procedurën e krijimit të kooperativave, regjistrimin, funksionimin, mbikëqyrjen e funksionimit dhe ndërprerjen e funksionimit të të gjitha llojeve të kooperativave, përfshirë kooperativat rinore, energjetike dhe bujqësore. Siç thuhet në arsyetim, synimi është adoptimi i një koncepti të ri modern që do të mbulojë të gjitha llojet e kooperativave dhe nëpërmjet dispozitave të përcaktuara do të rriten përfitimet si për anëtarët e kooperativave ashtu edhe për përdoruesit e aktiviteteve që do të rezultojë nga puna e kooperativave në të gjitha segmentet.Për VMRO-DPMNE dhe Partia Socialiste, gjëja më e diskutueshme ishte se ligji aktual për Kooperativat Bujqësore pushon të jetë i vlefshëm, por edhe se parashikohet që kooperativat bujqësore të jenë nën autoritetin e Ministrisë së Ekonomisë, në vend që të jenë nën autoritetin e Ministrisë së Bujqësisë, si më parë. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    PËRSKAJ HUMBJES NË ZGJEDHJE | S’ka dorëheqje te shqiptarët!

    Lajmi i rradhës

    Kontrolle të ashpra gjatë provimit të Maturës Shtetërore në RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë