Burokracia gjermane vështirëson ardhjen e punëtorëve

    Gjermania synon të tërheqë fuqi punëtore të kualifikuar nga shumë vende të botës. Edhe nga India. Por kur vjen puna tek vizat, kuptohet se sa i nevojshëm është lehtësimi i burokracisë dhe formaliteteve të udhëtimit.

    Për Harshad Dev nga qyteti milionësh në Indi, Nasik nuk ishte e lehtë të merrte vizën për në Gjermani, kjo që para pandemisë në vitin 2018. Zhvilluesi i softuerëve duhet të bënte një herë njohjen e diplomës bachelor të kryer në Indi për informatikë, që të mund të vinte të punonte në Gjermani. Atij i duhej të siguronte një vërtetim që punëdhënësi i tij do ta merrte në punë si qytetar nga një vend jashtë BE. Por më e vështirë ishte marrja e një orari për një intervistë për të bërë aplikimin për vizë në ambasadën gjermanenë Nju Delhi.

    “Nuk kishte orare të lira për muaj me radhë”, rrëfen Harshad . “Pas disa javësh arrita ta marr një orar, sepse dikush kishte refuzuar papritur.” Nga viti 2018 Harshad Dev punon dhe jeton i lumtur në Berlin. “Në Berlin kishte shumë punë për njerëz si unë në sektorin e IT-së”. thotë Harshadi, që kishte planifikuar të largohej për në SHBA. “Por Gjermania është tani për mua Amerika e re.” 31 vjeçari u shpjegon forcave të kualifkuara në Indi në një kanal në YouTube se çfarë dokumentash duhen dhe cilat janë rrugët e ardhjes në Gjermani.

    Gjermania ka nevojë për më shumë fuqi punëtore

    Mungesa e fuqisë punëtoreështë një nga sfidat më të mëdha për ekonominë gjermane. “Ne presim që në Gjermani do të mbeten të pazëna rreth dy milionë vende pune”, ka thënë kreu i Dhomës Gjermane të Tregtisë dhe Industrisë, DIHK, Achim Dercks. “Kjo i përket një vëllimi prej 100 miliardë eurosh në potencialin për krijimin e vlerës së punës.” Edhe ministri gjerman i Punës, Hubertus Heil e quan të nevojshme tërheqjen masive të fuqisë së kualifikuar punëtore nga jashtë BE në vitet e ardhshme. “Ne kemi nevojë deri në vitin 2035 për rreth shtatë milionë forca të kualifikuara punëtore shtesë,” ka thënë Heil. Edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz premtoi në vizitën e tij në Indi, që të përshpejtojë ardhjen e fuqisë punëtore nga India në sektorin e IT-së.

    Por realiteti është ndryshe. Denise Eichhorn nga Dhoma e Tregtisë Gjermano-Indiane në Mumbai mbështet ardhjen e forcave të kualifikuara nga India në Gjermani. Njohja e diplomave akademike të Indisë në Gjermani si rregull bëhet shpejt, thotë ajo. Komplikime ka tek shkollimet profesionale dhe profesioni i infermierisë. “Njohja e certifikatave bëhet me një tarifë 400 deri në 800. Këtë shumë nuk e ka çdokush. Dhe jo çdokush është gati të investojë këtë shumë, as punëdhënësit gjermanë”, thotë ajo. Eichhorn kërkon që tarifat të ulen.

    Vendet në fokus për tërheqjen e fuqisë punëtore

    Sipas Agjencisë Federale të Punës aktualisht ka 100 vende të lira për 33 punonjës të kualifikuar të kujdestarisë shëndetësore. Kemi të bëjmë me një mungesë të dukshme të infermierëve, sipas Agjencisë Federale. Krahas Indisë, edhe Indonezia, Meksika, Kolumbia, Vietnami, Filipinet, Maroku, Tunizia, Egjipti si edhe Brazili janë vendet kryesore në fokus të Gjermanisë për tërheqjen e fuqisë punëtore. Por kjo nuk ndihmon aspak, nëse nuk lehtësohen procedurat e marrjes së vizës, thonë shumë politikanë gjermanë.

    Frank Müller-Rosentritt (FDP) është zëvendësdrejtues i grupit parlametar Gjermani-Indi në Bundestag. Gjermania perceptohet në Indi si “vend i progresit dhe mirëqenies”, thotë ai. “Por ndërkohë ëndrrat për Gjermaninë plasin si flluskë sapuni në momentin kur studentët nga India vijnë në kontakt me autoritetet gjermane”, thotë ai për gazetën gjermane. “Welt”. Ata konfrontohen me procese analoge, bëjnë kërkesa dhe presin shumë muaj për një përgjigje, thekson Müller-Rosentritt, dhe kërkon përshpejtimin e procedurave. Ndryshe Gjermania do të humbasë në konkurrencën botërore për tërheqjen e talenteve dhe studentëve në degë të caktuara. /DW/

    Lajmi Paraprak

    Pavarësi nga Kina e ShBA – BE jep miliarda për chip-at

    Lajmi i rradhës

    LD: Ideja për koalicion të zgjeruar drejt kolapsit – duhen zgjedhje të parakohshme

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë