BURRAT NË MAQEDONI PUNËSOHEN MË LEHTË SE GRATË!

    Tradicionalisht, gratë kanë mbetur më pak të përfshira në tregun e punës në vend. Të dhënat e fundit tregojnë se, ndryshe nga burrat, gratë janë më pak të përfshira në aktivitete ekonomike. Ndonëse një pjesë e madhe e tyre janë aktive në shtëpi, pra përmbushin detyrimet shtëpiake me fëmijët, kujdesen ndaj anëtarëve të moshuar të familjes apo aktivitete të tjera shtëpiake, kjo nuk përfshihet në proceset e punës. Përveç kësaj, ka nga ato që edhe pse punojnë, e bëjnë këtë pa kontrata pune, që do të thotë se zyrtarisht mbeten jashtë tregut të punës.

    Shifrat tregojnë se në vendin tonë rreth 55.1 për qind e grave janë ekonomikisht joaktive. Nga ato që hyjnë në tregun e punës, 38.3 për qind janë të punësuar. Këtë e tregojnë të dhënat nga analiza e Entit Shtetëror të Statistikave me titull “Gratë dhe Burrat” për vitin 2021.

    “Shkalla e punësimit të grave në Maqedoninë e Veriut në vitin 2021 ishte 38.3 për qind, pra 55.1 për qind e grave janë ekonomikisht joaktive. Krahasuar, në të njëjtin vit, shkalla e pjesëmarrjes aktive të meshkujve në tregun e punës është 56.2 për qind, ndërsa shkalla e pasivitetit është 32,8 për qind. Ndryshimet në përqindjet e pjesëmarrjes së grave dhe burrave në tregun e punës çojnë në një hendek gjinor në shkallën e punësimit, i cili në vitin 2021 arrin në 20.3 për qind” – thuhet në analizën e fundit të ESHS.

    Popullsia ekonomikisht aktive përfshin fuqinë punëtore në vend, pra personat e punësuar, por edhe personat që janë të papunë por që kërkojnë punë në mënyrë aktive. Personat që konsiderohen ekonomikisht joaktivë, ose jashtë fuqisë punëtore, janë personat që janë të papunë dhe nuk kërkojnë punë dhe nuk janë të disponueshëm për punësim.

    Burrat përfaqësohen pothuajse në mënyrë të barabartë në tregun e punës në zonat rurale dhe urbane të vendit, ndërsa numri i grave të punësuara në zonat rurale është dukshëm më i ulët se numri i përgjithshëm i grave të punësuara (37 për qind). Si në zonën urbane ashtu edhe në atë rurale të vendit pjesa më e madhe e popullsisë së punësuar ka përfunduar arsimin e mesëm 4-vjeçar, pra 45 për qind e femrave të punësuara dhe 53 për qind e meshkujve të punësuar. “Në vitin 2021, diferenca më e theksuar është vërejtur në pjesëmarrjen e të punësuarve me arsim të lartë – mes punonjësve. Gjegjësisht, 42 për qind e femrave kanë arsim të lartë dhe e njëjta gjë vlen edhe për 28 për qind të meshkujve të punësuar”, thuhet në analizë.

    Shumica e meshkujve joaktivë kanë përfunduar arsimin e mesëm 4-vjeçar, pra 39 për qind, krahasuar me 29 për qind të femrave joaktive. Gratë janë përgjithësisht më pak të përfaqësuara në punësimin formal me 41 për qind dhe në punësimin informal me 33 për qind. Nga numri i përgjithshëm i punëdhënësve në Maqedoni në vitin 2021, vetëm 19 për qind janë gra. Në mënyrë të ngjashme, 78 për qind e të vetëpunësuarve janë meshkuj ndërsa 22 për qind janë femra. Në vitin 2021, numri më i madh i punëtorëve të papaguar të familjes janë gratë rurale, me një total prej 18.634. Gjithashtu, 59 për qind e grave joaktive të moshës 20-64 vjeç janë joaktive në tregun e punës për shkak të detyrimeve krahasuar me 2.3 për qind të meshkujve. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Shumë institucione në RMV me barriera për personat me karroca

    Lajmi i rradhës

    Ministri Shaqiri premton për libra, por jo për gabimet përmbajtësore

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë