Burrat që s’lëshojnë vend!  

    Disbalanc dhe rënie e konsiderueshme e numrit të grave në pozita udhëheqëse (këshilli i drejtorëve/menaxherëve ekzekutivë). Në vend se të përmirësohet përfaqësimi gjinor, po ndodhë e kundërta.

    Hulumtimi i Institutit për Demokraci dhe Analiza Ekonomike IDEA tregon se pjesëmarrja e grave në pozita të larta udhëheqëse krahasuar me burrat përbën një përqindje relativisht të ulët, ku gratë zënë vetëm çerekun e totalit të pozitave të larta udhëheqëse, apo gjithsej 25%. Statistikat e gjeneruara për 9 vitet e fundit tregojnë se vetëm në vitin 2012 dhe 2013, gratë janë përfaqësuar me 32% dhe 35% në pozita udhëheqëse.

    “Nga të dhënat e gjeneruara qartazi vërehet një regres i theksuar në trendin e përfaqësimit të grave në pozita të larta udhëheqëse. Në vitin 2012, 32% e pozitave udhëheqëse në institucionet shtetërore mbaheshin nga gratë, ndërsa kjo përqindje u rrit edhe më tej në vitin 2013 duke shkuar kështu në 35%. Megjithatë, ndër vite përqindja e grave në pozita të larta udhëheqëse pësoi rënie duke rënë në 25% në vitin 2020 dhe 2021. Pra, përfaqësimi i grave në pozita të larta udhëheqëse pësoi rënie prej 28.57 pikë përqindje nga piku i vitit 2013”, thuhet në hulumtimin e IDEA-s. Për më keq, në Maqedoninë e Veriut madje mungon një rregullativë ligjore për përfaqësimin e grave në pozita udhëheqëse. E vetmja rregullativë ekzistuese mbetet ajo e Kodit Zgjedhor, e cila përcakton kuotën prej 30% të grave në lista për deputetë dhe këshilltarë komunal. Megjithatë, edhe këtu çalon shumë përfaqësimi i drejtë gjinor.

    Hulumtimi i IDEA-s për kandidatet dhe zgjedhjen e grave në zgjedhjet lokale që nga viti 2009 deri në vitin 2021 tregon një disbalanc të theksuar si në kandidim – ashtu edhe në zgjedhjen e grave si kryetare të komunave.

    “Në vitin 2009, numri i grave kandidate në zgjedhjet lokale ishte gjithsej 13, në krahasim me numrin e burrave kandidatë që ishte 68. Në vitin 2013, shohim një rritje të numrit të grave kandidate në 32, ndërsa numri i burrave kandidatë ishte 49. Mirëpo, në vitin 2017, kishte rënie të numrit të grave kandidate në 16, dhe rritje të numrit të burrave kandidatë në 65. Megjithatë, në vitin 2021, numri total i grave kandidate ishte 25, dhe numri total i burrave kandidatë ishte 56”, thuhet në hulumtim. Sipas të dhënave, mund të shohim se në zgjedhjet lokale prej vitit 2009 deri në vitin 2021, në numër më të madh janë kryetarët me 96.3%, në krahasim me kryetaret që janë në numër më të vogël me 3.7%.

    Instituti IDEA rekomandon që me seriozitet të vazhdohen diskutimet për kornizën ligjore dhe masa shtesë për të promovuar dhe nxitur pjesëmarrjen e grave në pozita udhëheqëse në institucione publike, për të mundësuar barazi në mundësi dhe më shumë diversitet në fushën e udhëheqjes.

    Lajmi Paraprak

    Gratë rurale në RMV të anashkaluara

    Lajmi i rradhës

    BBC kërkon publikisht falje për mënyrën se si mbuloi protestat pro-palestineze

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë