Buxhetimi gjinor do të zvogëlojë pabarazinë ndërmjet grave dhe burrave në RMV

    Buxhetimi gjinor si një koncept relativisht i ri jo vetëm në Maqedoni por edhe për të gjitha vendet e rajonit, synon që si shpenzimet e buxhetit të shtetit, por edhe komunave ashtu edhe të ardhurat e tij, të konsiderojnë nevojat e ndryshme të grave dhe burrave, të vajzave dhe djemve. Thënë ndryshe, mënyra si ndahen shpenzimet publike mund të kontribuojë për uljen e pabarazive gjinore në shoqëri. 

    Kjo mënyrë e re e ndarjes së mjeteve kërkon të sigurojë, që buxheti kontribuon në zvogëlimin e pabarazisë gjinore, dhe të realizojë shërbime publike në mënyrë që të rritet barazia gjinore. Për nevojën në rritje për një buxhet në nivel komunal më të madh për kërkesat e grave flasin edhe përvojat evropiane.

    Qyteti Karlskoga në Suedi, në vitin 2012-të konstatoi se gratë rrëzohen në rrugët e papastruara pas reshjeve të borës më shumë se sa burrat. Karlskoga si një vend që karakterizohet me reshje më intensive të borës, fillimisht pastronte rrugët e transportit të makinave e më pas trotuaret dhe pjesët ku ecin këmbësorët. Në vështrim të parë, kjo nuk tingëllon si një çështje që lidhet me gjininë.

    Këmbësorët në përgjithësi rrëzohen në borë dhe ngrica. Të dhënat tregonin një disbalanc gjinor në aksidente dhe përgjigja se pse ndodhte kjo ishte e thjeshtë. Gratë suedeze kishin tendencë të shkojnë nga një vend në tjetrin në këmbë dhe duke vozitur biçikletë, derisa burrat përdornin makinat personale. Numri më i madh i grave që pësonin aksidente vinte nga fakti që trotuaret pastroheshin më vonë se sa rrugët kryesore të transportit. Kështu, komuna vendosi që të fillojë pastrimin e trotuareve fillimisht, përpara se të vazhdonte me pjesët e tjera të rrugës. U konstatua se një rrugë me borë ishte më e rrezikshme për këmbësorët se sa për shoferët e automjeteve.

    Me fjalë tjera, kur politikat publike dizajnohen duke i llogaritur nevojat e burrave dhe grave, edhe buxheti planifikohet duke marrë parasysh të dhënat që dalin nga analiza gjinore e situatës. Në Maqedoni funksionojnë mbi 40 forume në nivel komune ku diskutohen buxhetet e vetë qeverisjeve lokale.

    “Shumë shpesh kur diskutojnë gratë prioritetet janë arsimi, përmirësimi i infrastrukturës për arsim, pra se çfarë tualete kemi në shkolla apo çfarë klasash dhe mjete shkollore kemi . Për më tepër, ndriçimi i rrugëve, jo vetë rrugët, dhe ekzistenca e infrastrukturës për të ecur në këmbë si trotuaret, janë prioritetet e grave. Ata vozisin më pak, ecin më pak dhe për të qenë në gjendje të përdorin infrastrukturën publike edhe gjatë natës, sepse janë më shpesh viktima të dhunës, kanë nevojë edhe për ndriçim që u siguron atyre siguri më të madhe në një vend publik”, thotë Marija Risteska, drejtore ekzekutive e Qendrës për Kërkim dhe Politikëbërje.

    Nga ana tjetër, kur në këto forume përfshihen vetëm burra, prioritetet që përcaktohen kanë të bëjnë me infrastrukturën, sistemet e ujitjes, rrugët, etj.

    “Pra burrat janë ata që më së shumti bëjnë transportin për familjen, dërgesën, blerjet e kështu me radhë, por edhe punimin e tokës dhe ujitjen. Andaj edhe është normale që ata t’i shohin ato nevoja dhe t’i shprehin në forumet e buxhetit”, thotë Risteska. Sipas saj, nevojiten kapacitete të forcuara dhe vullnet politik për shpërndarje më të mirë të mjeteve në aspektin gjinor.

    Maqedonia është dy vjet larg obligimit të detyrueshëm për buxhetim me përgjegjësi gjinore, i cili do të parashihet me Ligjin e ri të Buxhetit, zbatimi i të cilit duhet të fillojë në vitin 2025. Për momentin, gjysma e komunave kanë kapacitet për të njohur dallimet ndërmjet nevojave të burrave dhe grave, por që nuk mjafton – tregojnë analizat e sektorit civil.

    “Aktualisht ka 14 programe buxhetore në nivel qendror dhe më shumë se 30 komunat që përdorin këtë qasje në buxhetim. Por vendi është larg konstatimit për të thënë se Maqedonia ka një buxhet të përgjegjshëm për gjininë në nivel komunal. Ajo do të thoshte të dihet se sa për qind e buxhetit korrespondon me nevojat e ndryshme të burrave dhe grave që kontribuon në avancimin e barazisë gjinore”, thonë nga Qendra për Kërkim dhe Politikëbërje. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Psikologia Rexhepi: ekspozimi ndaj lajmeve negative shkakton traumë emocionale dhe shpirtërore

    Lajmi i rradhës

    “Bota” e ekraneve pengon fëmijët në RMV në zhvillimin e të folurit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë