Bytyqi: Të përkushtuar për ekonomi të qëndrueshme dhe shoqëri e cila do të kujdeset për të gjithë qytetarët

    Zëvendëskryeministri i Qeverisë, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, me ftesë të organizatës civile Habitat for Humanity, mori pjesë në një ngjarje me ç’rast u vizituan gjashtë objekte të reja me gjithsej 48 banesa për persona me rrezik social, të ndërtuar në Veles.

    Gjatë ngjarjes, në përputhje me traditën e Habitat for Humanity, zëvendëskryeministri Bytyqi, së bashku me ministren e kulturës Irena Stefoska, nënkryetarin e Habitat for Humanity Riçard Hatauej për Evropë, Lindje të Mesme dhe Afrikë dhe kryetarin e komunës së Velesit Ace Kocevski morën pjesë në aksionin vullnetar për aktivitetet e ndërtimit të ndërtesave banesore.

    Duke mbështetur vizionin e organizatës Habitat for Humanity për një botë në të cilën të gjithë kanë të drejtën për një vend të denjë për të jetuar, zëvendëskryeministri tha në një deklaratë për media se të kesh shtëpinë tënde është një nga nevojat themelore të çdo personi që të ndjehet i sigurt dhe të mund të kontribuojë për shoqërinë.

    “Prandaj, për mua, ndërtimi i shtëpive për ata që përballen me vështirësi është një nga akisonet më humane që mund të bëhen. Do të doja të falënderoja Habitat for Humanity për ndërtimin e gjashtë ndërtesave të banimit në Veles, të cilat ofrojnë shtëpi për familjet me të ardhura të ulëta. Vlerë plotësuese është se këto shtëpi janë me efikasitet energjetik”, theksoi zëvendëskryeministri Bytyqi në një deklaratë për mediat.

    Ai theksoi se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut është e përkushtuar për t’iu përshtatur ndryshimeve klimatike dhe për të përmirësuar efikasitetin energjetik, përmes aktiviteteve të përditshme, strategjive dhe planifikimit, të cilat avancojnë vendin tonë dhe krijojnë një të ardhme të gjelbër për të gjithë. Tani jemi duke punuar në zhvillimin e disa dokumenteve strategjike, siç janë Plani nacional për përshtatje me ndryshimet klimatike, Plani hapësinor nacional dhe Strategjia nacionale e zhvillimit, tha Bytyqi, duke shtuar se këto dokumente strategjike do të sigurojnë një mjedis më të parashikueshëm, ekonomi të qëndrueshme dhe shoqëri e cila do të kujdeset për të gjithë qytetarët.

    Zëvendëskryeministri gjithashtu iu referua aktiviteteve të Qeverisë për ndërtimin e shtëpive për kategoritë e rrezikuara sociale të qytetarëve dhe foli për aktivitetet e Projektit të banimit për grupet e rrezikuara sociale, i cili zbatohet përmes Shoqërisë Aksionare për Ndërtimin dhe menaxhimin me hapësirat banesore dhe afariste me rëndësi për Republikën në koordinim me Ministrinë e transportit dhe lidhjeve dhe Ministrinë e financave.

    “Përmes këtij projekti, i cili filloi në vitin 2009, dhe për të cilin janë planifikuar 50,7 milionë euro, është planifikuar të ndërtohen 32 ndërtesa banimi me gjithsej 1725 banesa. Objektet e planifikuara janë të vendosura në të gjithë territorin e vendit tonë, gjë që paraqet një përpjekje e shtetit për një zhvillim hapësinor më të ekuilibruar. Deri më tani, janë përfunduar 842 banesa dhe veç më janë të banuara, 164 prej tyre janë përfunduar në tre vitet e fundit. Në fazën përfundimtare janë 132 njësi banimi (Vinicë 36, Sveti Nikole 48, Probishtip 48), dhe në fazën e ndërtimit janë 506 banesa, nga të cilat 29 këtu në Veles, 312 banesa në Shkup, 52 në Gjevgjeli, 16 në Demir Kapi, 35 në Koçan dhe 62 në Negotinë. Gjatë muajit të ardhshëm presim të fillojmë me ndërtimin e 142 banesave shtesë. Projektimi i ndërtesave në Shtip dhe Prilep me gjithsej 103 njësi banimi është në proces dhe ata do të fillojnë me ndërtim deri në fund të vitit, me çka do të rrumbullakohet i gjithë projekti. Maksimalisht jemi të përkushtuar për krijimin e një shoqërie solidare, të drejtë për të gjithë qytetarët” shtoi zëvendëskryeministri për çështjet ekonomike Fatmir Bytyqi, gjatë vizitës në gjashtë objektet e reja të banimit, të ndërtuara nga Habitat for Humanity në Veles.

    Lajmi Paraprak

    A duhet të hiqni telefonin celular ose TV nga prizat, gjatë një rrufeje

    Lajmi i rradhës

    Kosova dhe Serbia heshtin për propozimin amerikan për Ujmanin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë