ÇELËSI I MIRËQENIES / 5 për qind rritje, receta për BE-në

    Rritja ekonomike prej pesë për qind në vazhdimësi prej disa vitesh mund të përmirësojë më shumë standardin jetësor të qytetarëve. Ajo kërkon sundimin e së drejtës, më shumë prodhime për eksport në më shumë shtete, ulje më ë madhe e ekonomisë informate.

    Maqedonia në periudhën e kaluar në mesatare ka shënuar rritje prej 2 për qind, e pamjaftueshme për rritjen më të madhe të mirëqenies së qytetarëve. Vlerësohet se procesi i anëtarësimit në BE shoqërohet nga e ashtuquajtura konvergjencë, në të cilën standardet e jetesës së vendeve më pak të zhvilluara – kandidate për anëtarësim ose shtete të reja anëtare – i afrohen atyre të vendeve të BE-së.

    Guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, thotë se me norma të qëndrueshme të rritjes ekonomike prej 5 deri në 6 për qind në vit, vendi mund ta shkurtojë ndjeshëm kohën e nevojshme për konvergjencë ekonomike me Bashkimin Evropian, nga disa dekada në 15 deri në 20 vjet. “Sipas të dhënave aktuale, PBB-ja jonë për frymë është në një nivel prej 42 për qind të mesatares së BE-së. Për ta mbyllur atë hendek më shpejt, nevojitet një rritje dukshëm më e lartë se ajo evropiane. Vetëm me ritme më të larta rritjeje mund të shkojmë drejt konvergjencës ekonomike”, thekson Guvernatori Sllaveski në një intervistë për “Nevsmax Balkans”.

    Ai shpjegon se çelësi qëndron te reformat strukturore dhe investimet produktive, veçanërisht në kapitalin njerëzor, teknologji, arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë, të cilat do të mundësonin rritje mbi potencialin prej rreth 4 për qind në vit. “Nëse do të mund të arrijmë rritje prej 5 ose 6 për qind, që është ambicioze, por e arritshme, do të jemi në gjendje të arrijmë konvergjencë ekonomike me BE-në dukshëm më shpejt”, thekson Sllaveski.

    Llogaritjet e ekspertëve tregojnë se ekonomia informale në Maqedoni është midis 21 dhe 27 për qind. “I ashtuquajturi model i Denverit për parashikime tregon se një rezervuar kyç për të pasur rritje ekonomike në 5 vitet e para dhe për të ringjallur ekonominë është zvogëlimi i ekonomisë informale. Ai është një rezervuar fondesh i pashfrytëzuar, së bashku me ndryshime të tjera ekonomike, pastaj hyjnë në lojë institucionet, antikorrupsioni, situata demografike”, thekson eksperti, Borçe Trenovski.

    Sipas Bankës Botërore, vendet me të ardhura të mesme, përfshirë edhe Maqedoninë, po përballen me sfida në përshpejtimin e rritjes ekonomike dhe në përmirësimin e pagave të vendeve të punës. Ata paralajmërojnë se nëse vazhdojmë me të njëjtat ritme si në 5-6 vitet e fundit, do të na duhen 60 vjet për të arritur standardin evropian. Përndryshe, nëse ekonomia përshpejtohet, periudha do të përgjysmohet

    Ekonomistët theksojnë rregullin e 70-shit, sipas të cilit Prodhimi i Brendshëm Bruto i një vendi dyfishohet në një periudhë prej 70/normë rritjeje ekonomike. Domethënë, nëse ekonomia rritet me një normë mesatare rritjeje prej shtatë për qind, PBB-ja do të dyfishohet në dhjetë vjet. Prandaj, ekonomia vendore (PBB-ja) duhet të rritet me ritme vjetore prej së paku 5 për qind në mënyrë që të përjetohet një rritje më e shpejtë e standardit të jetesës dhe pagave.

    Ivailo Izvorski, Kryeekonomist i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, vlerëson se vendi, me të ardhura mesatare prej rreth 8.000 deri në 9.000 euro për frymë, duhet të bëjë disa gjëra për të arritur statusin e një vendi me të ardhura të larta, dhe e duhura është një cilësi shumë më e lartë e arsimit. “Ndërsa nivelet e të ardhurave rriten, nevojiten njerëz me aftësi më të mira, inovacion më të madh dhe sipërmarrje, prandaj është i domosdoshëm një arsim më cilësor për të gjitha vendet në Evropë dhe Azinë Qendrore. Në vend të kësaj, ajo që mund të vërejmë kur shohim arsimin është se në vendet e Evropës dhe Azisë Qendrore, tre deri në katër vjet më pak shpenzohen për arsim sesa në vendet e Azisë Lindore ose tre vjet më pak sesa në botën perëndimore, kështu që taksapaguesit paguajnë për 13 vjet arsim, por marrin tre deri në katër vjet më pak”, shton Izvorski.

    Nga ana tjetër, tregojnë të dhënat zyrtare se ekonomia e Maqedonisë, vazhdimisht shfaq edhe shumë shenja të tjera të ekzistencës së një krize më të thellë dhe strukturore në ekonomi si struktura e ekonomisë që ka pajisje të ulëta teknologjike dhe pjesëmarrjen e lartë të aktiviteteve tradicionale nga prodhimi material (bujqësia rreth 9 për qind, industria dhe energjia rreth 19 për qind, ndërtimtaria rreth 5.4 për qind, me punësim tepër të lartë në këto tre aktivitete rreth 42–45 për qind të punësimit total).Gjithashtu, shfaqet edhe niveli relativisht i ulët i kualifikimit dhe arsimimit të fuqisë punëtore. Normat e kursimeve dhe investimeve të brendshme janë relativisht të ulëta në rreth 25-28 për qind, të cilat e kaluan kufirin prej 30 për qind të PBB-së në 5-6 vitet e fundit. Investimet e huaja janë vetëm disa për qind të PBB-së në vit, performanca në tregtinë e jashtme është modeste me një deficit tregtar të theksuar që stabilizohet në gati njëzet për qind të PBB-së. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Ndotja e Lumit të Errët në Kërçovë, OJQ-të nuk do ta lënë me kaq!

    Lajmi i rradhës

    Kroati mban frymëmarrjen nën ujë për 29 minuta, thyen rekordin botëror

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë