Komunat që për vite me radhë insistojnë në ndërtimin e cerdheve dhe kopshteve për fëmijë gjenden sërish në listën e pritjes të objekteve të planifikuara për ndërtim apo zgjerim të qeverisë. Në ditën botërore të fëmijëve që u shënua me përurimin e punimeve për objektin shtesë “Kokiçe” të kopshtit “Lulet e gëzuara” në Kisella Vodë”, përfaqësues të qeverisë vunë në dukje investimet e viteve të fundit për ndërtimin e objekteve të reja në të gjithë vendin. Gjatë mandatit 2017-2023, në të gjithë vendin janë hapur gjithsej 83 kopshte apo objekte shtesë, të cilat kanë rritur kapacitetin e fëmijëve me afro 8000 vende të reja, u shpreh zëvendësministri Fatmir Bytyqi. Në total, nga 80 komuna, vetëm në 75 prej tyre ka çerdhe të hapura.
“Me çerdhen e re që do të hapet në Haraçinë, ky numër do të jetë 76. Kopshtet nuk janë vetëm një projekt ndërtimi, por një investim në potencialin për çdo fëmijë. Ne investojmë në çdo fëmijë. Ne po ndërtojmë një shoqëri për të gjithë”, tha Bytyqi.
Ministria e Punës dhe Politikës Sociale planifikon që deri në fund të vitit 2024 të zgjerojnë kapacitetet me 1653 vende shtesë, përkatësisht në Gostivar, Prilep, Veles, Haraçinë, Koçan, Vasilevë, Likovë, Dibër, Mogillë, Gjevgjeli, Çair, Erzhelia dhe në Dellçevë. “Deri në fund të vitit 2023 planifikojmë të hapim objekte shtesë që ofrojnë përkujdesje dhe edukim për 529 fëmijë…Këta janë hapa solidë drejt ndërtimit të një të ardhmeje më të ndritshme për komunitetin tonë, duke ushqyer potencialin e çdo fëmije dhe duke mbështetur familjet në kërkimin e tyre për kujdes cilësor për fëmijët”, u shpreh ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska. /koha/