Partitë do të marrin 7.5 milionë euro nga arka e shtetit

    Me rritjen e buxhetit të shtetit rritet edhe shuma që transferohet nga paratë e qytetarëve në llogarinë e partive politike. Nëse respektohet ligji për financimin e partive politike, atëherë partitë vitin e ardhshëm do të marrin rreth shtatë milionë e gjysmë euro nga buxheti i shtetit në mënyrë të pabarabartë. Sipas ligjit, partitë marrin 0.15 për qind të të hyrave burimore në Buxhet dhe ato të hyra, sipas prezantimit të ministrit të Financave, Fatmir Besimi, janë rreth 5 miliardë euro.

    Vitin e kaluar për të njëjtin qëllim janë llogaritur rreth 6.9 milionë euro, por me rritjen e buxhetit rriten edhe të ardhurat e partive. Më pas shuma ndahet sipas votave të fituara në zgjedhje, kështu që vitin e kaluar më së shumti para ka marrë VMRO-DPMNE, rreth 1.490.000 euro, pastaj LSDM, rreth një milion e treqind e njëzet mijë euro dhe BDI ka marrë rreth 680 mijë euro. Por partitë më të vogla që janë pjesë e koalicioneve të qeverisë dhe opozitës marrin para serioze, për shembull, Partia Demokratike e Turqve ka marrë pagesën prej 134 mijë euro, Lidhja Demokratike mbi 40 mijë euro, GROM e Stevçe Jakimovskit mbi 130 mijë euro.

    Gjithashtu, partitë marrin para për aktivitete zgjedhore dhe fushata zgjedhore, ndërsa vitin e ardhshëm do të ketë dy gara zgjedhore për të cilat qytetarët sërish do t’i mbulojnë shpenzimet me para që do të shkojnë direkt në llogarinë e partive politike.

    Financimi i partive politike ka qenë një rrezik i madh korrupsioni për shoqërinë prej vitesh dhe ende nuk kanë përfunduar të gjitha aktivitetet e nevojshme për përmirësimin e asaj pjese të rregullores. Një rrezik shtesë janë donacionet nga kompanitë dhe individët, të cilët, pavarësisht rregullave të rrepta ligjore, mbeten të pandëshkuar në rastet kur shkelet ligji, sepse kompanitë dhe individët që marrin pjesë dhe marrin tenderë më pas paguajnë donacione për partitë.

    Ministri Spasovski konsideron se zgjidhje e mundshme është ndalimi i këtyre kompanive-donatorëve politikë që të marrin pjesë në tenderë dhe të marrin para nga qytetarët.

    Kreu i diplomacisë, nga ana tjetër, beson se ndalimi do të rrisë paratë e zeza në politikë dhe parti.

    “Nëse donatorët ndalohen, ata do të fillojnë të dhurojnë fshehurazi. Për sa kohë që donatorët dhurojnë publikisht është një përgjegjësi sociale dhe ne duhet t’i inkurajojmë ata. Dhe nëse nisin të dhurojnë fshehurazi, atëherë hyjmë në atë financim të paligjshëm dhe kriminal”, tha Bujar Osmani.

    Nga ana tjetër, sekretet në financimin e partive politike dhe mostransparenca përmenden vazhdimisht në raportet e Komisionit Evropian. Një zbatim i shpejtë i rekomandimeve të Grupit të Shteteve Kundër Korrupsionit është i nevojshëm për të rritur transparencën e financimit të partive politike. Nevojitet veprim për të siguruar transparencën e financimit të partive politike. E ndërsa detyrat evropiane përsëriten në këtë fushë, paratë që qytetarët u japin partive rriten nga viti në vit. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Aggeler: të gjithë e dinë se cilët janë të korruptuarit në RMV

    Lajmi i rradhës

    Çerdhet në komunat shqiptare në listën e pritjes

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë