Cërvenkovski: Marrëveshja me Bullgarinë, hapi kutinë e Pandorës

    Një sërë kritikash dhe vërejtjesh i bëri ish-presidenti Branko Cërvenkovski për Marrëveshjen e Miqësisë së Mirë me Bullgarinë, të cilën në vitin 2018 e nënshkruan kryeministrat e atëhershëm Zoran Zaev dhe Bojko Borisov.

    Sipas Cërvenkovskit, është gabim i madh që u zgjodh termi “histori e përbashkët” dhe në përgjithësi u krijua Komisioni i Përbashkët Historik.

    “Marrëveshja me Bullgarinë, jo vetëm që nuk mbylli asnjë çështje, por përkundrazi, hapi kutinë e Pandorës dhe krijoi bazën për një sërë kërkesash të Bullgarisë, të cilat depërtojnë në atë masë në identitetin dhe historinë tonë kombëtare sa kompromisi thjesht nuk është i mundur”, tha Branko Cërvenkovski – ish president.

    Cërvenkovski thotë se marrëdhëniet me Sofjen ishin më të mira para nënshkrimit të marrëveshjes dhe në përgjigje të presidentit bullgar Rumen Radev, i cili tha se nuk do të lejojë që maqedonizmi të anëtarësohet në Union, ish-presidenti theksoi – ne nuk mund dhe nuk duhet të heqim dorë nga maqedonizmi. Crvenkovski i kërkoi qeverisë dhe opozitës që të përgatisin publikun se bllokada do të zgjasë.

    “Praktika e pranishme në 4-5 vitet e fundit duhet të ndërpritet menjëherë, lehtë dhe pa asnjë bazë duke rritur pritshmëritë se zgjidhja është në horizont dhe thjesht nuk ndodhi. Pritjet e mëdha por të parealizuara çojnë në zhgënjime të mëdha”, u shpreh Branko Cërvenkovski – ish president.

    Ish-presidenti përshëndeti fillimin e dialogut strategjik me SHBA-në, duke shtuar se koha në pritje të bllokadës së re bullgare nuk është e rastësishme. Megjithatë, sipas tij, ky dialog nuk mund të jetë zëvendësues i negociatave me Brukselin. Cërvenkovski kritikoi gjithashtu të gjitha institucionet përgjegjëse për udhëheqjen e politikës së jashtme.

    “Maqedonia ka 4-5 vjet që nuk ka ambasadorin e saj në Uashington. Është absolutisht e papërgjegjshme dhe e palejueshme. Por ka edhe më keq. Republika e Maqedonisë dy herë i ka lejuar vetes të propozojë kandidatë që nuk janë pranuar nga Shtetet e Bashkuara. Ky është rasti i parë i tillë në historinë e një shteti të pavarur dhe sovran maqedonas”, theksoi Branko Cërvenkovski – ish president.

    Cërvenkovski konkluzionet i dha në forumin “Sfidat në politikën e jashtme të Maqedonisë” të organizuar nga Këshilli i Ambasadorëve, ku edhe e dënoi agresionin rus kundër Ukrainës. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Rasti me parcelat për EVN-në, LSDM: Me paratë që i kanë marrë të dyshuarit, është financuar VMRO-DPMNE-ja

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë