Çështja e Zaevit si kryeministër vazhdon të mbetet “status-quo”

    “Për mua ishte nder që munda t’u shërbej dhe më dhatë besimin tuaj për gjatë gjithë këtyre viteve të punoj për ju, populli im. Ju faleminderit”.

    Ky falënderim ishte paraqitja e fundit e kryeministrit Zoran Zaev, të dielën pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale. Edhe pse në këtë konferencë për media paralajmëroi dorëheqjen e tij, Zaev për tre ditë nuk u “bë i gjallë” në opinion. As dorëheqja e tij nuk u formalizua në parti nga kryetar i LSDM-së dhe në Kuvend nga posti kryeministër.

    Nga LSDM thanë shkurt se nuk ka asnjë njoftim për dorëheqje, ndërsa përgjigje të njëjtë dha edhe institucioni ligjvënës. Ditë më parë kabineti qeveritar hodhi poshtë informacionet se Zaev planifikon të taktizojë me dorëheqjen deri në muajin dhjetor. Nga organi ekzekutiv përkujtuan se çështja e Zaevit si kryeministër vazhdon të mbetet “status-quo”. Ndërkohë anëtarë të ekzekutivit kanë shfaqur ambiciet e tyre tek partnerët e koalicionit. Jo zyrtarisht mësohet se Nikolla Dimitrov, ish ministër i jashtëm dhe aktualisht zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane ka nisur lobimin tek partnerët e koalicionit qeverisës për të mësuar nëse gëzon ose jo mbështetjen e tyre për të udhëhequr kabinetin qeveritar. Një informacion të tillë Dimitrov as nuk e ka konfirmuar dhe as nuk e ka përgënjeshtruar. Partneri më i madh i koalicionit me LSDM-në, BDI-ja vlerëson se figurë tjetër unifikuese pos Zaevit nuk ka. Ditëve në vijim pritet një takim Ahmeti-Zaev i cili do t’i jepte kahjen e duhur zhvillimeve. Dorëheqjen e tij kryeministri Zaev e kishte paralajmëruar që pas raundit të parë zgjedhor. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Gashi hodhi poshtë informatat për një takim të mundshëm me Zaevin

    Lajmi i rradhës

    Ulëset e fituara nga partitë në Kuvendin Komunal në Prishtinë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë