Çezmat publike si shpëtim

    Qyteti i Dibrës tani më disa muaj ka mungesë të ujit për pije. Ndërmarrja komunale publike “Standardi” e cila menaxhon me ujësjellësit Rosok-Dibër, ka vendosur restrikcion të ujit për pije nga ora 13:00 deri në ora 17:00 dhe gjatë mbrëmjes nga ora 2:00 deri në 6:00. Për shkak të temperaturave të larta në terminët kur Dibra mbetet pa ujë, një pjesë e madhe e popullatës shfrytëzon ujërat e çezmave tradicionale të Dibrës të cilët gjenden në pjesën e vjetër të qytetit. Dibranët të cilët jetojnë në këto vendbanime të vjetra thonë se përdorin çezmat tradicionale kryesisht për mirëmbajtjen të higjienës me qëllim që të shpëtojnë momente kur ujësjellësi nuk funksionon.

    Në një bisedë të gazetës KOHA me anëtarët e familjes Marku, të cilët jetojnë në afërsi të çezmës tradicionale që dibranët e quajnë “Çezma e Demçesh” në lagjen e Bejlerëve, thonë pas vendosjes të restrikcionit të ujësjellësit në qytete, mirëmbajnë higjienën e shtëpisë me ujin e kësaj çezme. “Jemi të informuar se uji i kësaj çezme nuk është për pije por mund të përdoret për mirëmbajtjen e higjienës, larjen e oborreve, dhe vaditjen të pjesës së gjelbërt të oborrit”, thonë anëtarët e familjes Marku. Ata shtojnë se çezma tradicionale e “Demçes” shfrytëzohet nga dibranët dekada me radhë. Nga kjo çezme në të kaluarën e kanë përdorur për pije kurse viteve të fundit vetëm për mirëmbajtjen e higjienës janë furnizuar dhe furnizohen mbi 50 familje. Familja Klloboçishta jeton në lagjen e Budulecit, një nga lagjet më të vjetra të Dibrës. Në afërsi të shtëpisë së tyre është çezma e Budulecit e cila karakterizohet me sasinë e madhe të ujit. Në këtë familje thonë se nuk kanë probleme me ujin për mirëmbajtjen e higjienës por edhe për të ujitur lulishten e bukur që kanë në oborrin e tyre. “Nga ora 13:00 e deri në ora 17:00 ujësjellësi nuk furnizon me ujë qytetin, por ne në ato termine ashtu edhe familjet e tjera të kësaj lagje furnizohemi me ujë për mirëmbajtjen e higjienës nga çezma e Budulecit”, shprehen nga familja në fjalë. Ata thonë se një pjesë e mirë e dibranëve nga lagja epërme e qytetit në të kaluarën janë furnizuar me ujë nga kjo çezmë tradicionale. Në këtë çezmë shpeshherë pinë ujë kuajt dhe bagëtitë e tjerë. Dibranët e moshuar thonë se pikërisht ky burim është përdorur në të kaluarën masovikisht nga bagëtia e kësaj lagje, meqë siç thonë “përdornin ujin nga burimi nga ku pinë kuajt, ata kurrë nuk pinë ujë të keq”.

    Në prag të sezonit verorë institucionet shëndetësore kompetente në Dibër që merren me analizat e kualitetit të ujit informuan se të gjithë çezmat tradicionale siç janë – Budules, Shaveci, Muraveci, Çeshma e Demçes, Çeshma e Popit etj, nuk guxojnë të përdoren për ujë të pijshëm, por mund të përdoren për aktivitete teknike. Banorët të Dibrës të cilët përdorin ujin e këtyre çezmave thonë se mos përdorimi i ujit për pije nga këto çezma është i njohur më se njëzet vite dhe shtojnë se në mungesë të ujit nga ujësjellësi i qytetit këta çezma janë të mirëseardhura për aktivitete teknike. Derisa bëhen përpjekje nga ana e ndërmarrjes komunale “Standardi” dhe Komunës Dibër për një përforcim të prurjeve të ujit nga burimet e Rosokut në ujësjellësin e qytetit, uji i çezmave tradicionale është një ndihmesë e madhe për një pjesë të popullatës dibrane./Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Rritet numri i turistëve në RMV por jo edhe i turistëve të huaj

    Lajmi i rradhës

    Gjenerata fatkeqe | Arsimi nën “kthetrat” e pandemisë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë