Çfarë do të rritet në tokat pjellore në RMV?

    Vendimi i qeverisë për shndërrimin e 8000 metrave katror nga tokë bujqësore në tokë centrale me fotovoltaik në Komunën e Radovishit, nga organizatat e shoqërisë civile për mbrojtjen e mjedisit shihet si trend i cili do të përshpejtohet edhe më tej, prandaj edhe shprehen të shqetësuar. Nga “Eko-Svest” thonë se përmes propozim amendamenteve nga Ministria e Bujqësisë për Ligjin për Tokë bujqësore, shteti dëshiron që edhe më tej ta lehtësojë procedurën. Sipas tyre, ndryshimet e vendosura do të lehtësojnë kriteret që toka pjellore bujqësore të kthehet në tokë ndërtimore dhe të përdoret për prodhimin e energjisë elektrike që nënkupton rrezik për prodhimin e ushqimit, rritjen e importit dhe kosto më të lartë për qytetarët.

    Nga ana tjetër, Ministria e Bujqësisë pohon të kundërtën, pasi siç thonë nga atje, ky Ligj kërkon të pengojë konvertimin shtesë të tokës bujqësore për projekte energjetike. “Me këto ndryshime Ministrisë së Bujqësisë për herë të parë do t’i jepen dispozita me të cilat mendimi i saj për konvertimin e tokës bujqësore do të ketë rëndësi detyruese”, njoftojnë nga Ministria.

    Sipas Simona Trajkovskës nga “Eko-Svest”, natyra e mendimit si akt është të jesh këshillues dhe jo obligues, prandaj, thotë ajo, ndryshimet e reja nuk parashohin që opinioni të jetë kusht për kthimin e tokës.

    “Nuk duhet të mashtrohemi se do të ketë dallime në dhënien e opinionit, pozitiv apo negativ. Qeveria nuk mund të marrë vendim pa pasur propozim-vendim nga Ministria e Bujqësisë e cila e vlerëson kërkesën për konvertim. Më këto ndryshime Ministria do të jap vetëm informacionet që nevojiten për miratuesin e planit urban”, u shpreh Trajkovska.

    Nga “Eko-Svest” shprehen gjithashtu se në asnjë mënyrë nuk duhet që toka bujqësore pjellore të shndërrohet në tokë industriale, pasi nën ndikimin e ndryshimeve klimatike, e njëjta ka një tendencë negative të degradimit të tokës që ul rendimentet ushqimore dhe pjellorinë e përgjithshme të saj.

    Së fundmi, “Eko-Svest” kanë përgatitur një studim për zbulimin e lokacioneve më të mira për ndërtimin e termocentraleve diellore dhe të erës. Ata hartuan vende të qëndrueshme për zhvillimin e energjisë së rinovueshme, duke synuar kryesisht tokat e kontaminuara në vend. Nga Ministria e Bujqësisë thanë se ende nuk e kanë shqyrtuar studimin e bërë nga “Eko-Svest”. Sipas tyre, ligji i ri nuk lejon ndërtimin në tokë bujqësore pa pëlqimin e tyre, me përjashtim të rasteve kur investimi është strategjik, dhe në tokë të kategorisë së tretë apo të katërt.

    Ndërkaq, Trajanovska sqaron se procedura për kthimin e përhershëm të tokës bujqësore është e vendosur në Ligjin aktual për tokë bujqësore. Në nenin 49, siç shprehet ajo, Ministria e Bujqësisë është e detyruar që pas paraqitjes së kërkesës dhe dokumentacionit të nevojshëm, të jap pëlqimin i cili tokën bujqësore e shndërron në tokë industriale. Një lëshim serioz sipas “Eko-Svest” është po ashtu edhe mosparashikimi i një plani apo programi për qëllimet dhe kushtet për të cilat mund të konvertohet toka. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Testime falas për HIV dhe sëmundje të tjera ngjitëse seksuale

    Lajmi i rradhës

    MOSBESIMI TE VAKSINAT / Rrezik nga përhapja e fruthit në RMV!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë