Çfarë thanë partitë politike në RMV në ditën e 18-të të fushatës!

    Partitë politike dje kanë zhvilluar takimet e tyre me qytetarët e vendeve të ndryshme ku kanë prezantuar programet e tyre bashkë me kandidatët përkatës për kryetar komune. Përndryshe dje ishte dita e 12-të e fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale 2021 njofton Nistori.

    Kasami për “Shik Jellak”: Nuk do të lejojmë investitorë kontravers, Tetova ka investitorë vendas

    Kandidati i Lëvizjes BESA për kryetar të komunës së Tetovës në Maqedoninë e Veriut, Bilall Kasami, premtoi që do të revitojë planin urbanistik që i mundëson një biznesmeni kontrovers ndërtimin e disa objekteve të banimit në Tetovë, te pjesa e ish “Shik Jellak”.

    Kasami tha se kundërshtimin e partisë së tij kundrejt këtij investimi e kanë treguar nga Këshilli Komunal, ku këshilltarët e kësaj partie nuk e kanë votuar këtë plan urbanistik, duke shtuar që ka mjaftueshëm investitorë lokal që janë të interesuar të investojnë në Tetovë dhe ky është synimi i tij.

    “Këshilltarët e Lëvizjes BESA përveç që nuk kanë votuar atë plan urbanistik, por edhe kanë protestuar kundër një vendimi të tillë në këshillin komunal të Tetovës. Kjo tregon që Lëvizja BESA nuk do të pranojë asnjë investim të asnjë investitorë kontrovers në Tetovë për shkak se Tetova ka investitorë vendas të cilët për shkak të mbylljes së administratës komunale të Teuta Arifit ata janë të detyruar të investojnë në Shkup dhe në pjesët tjera të Maqedonisë së Veriut, ne si pushtet komunal këtyre investitorëve do të ua mundësojmë duke investuar në infrastrukturën rrugore, ujore dhe nëntokësore që ata të mund të investojnë në Tetovë dhe të krijojnë kushte më të mira për qytetarët e Tetovës” tha Bilall Kasami.

    “Pa dashur të replikojmë sepse ne jemi këtu për të demaskuar dështimet e pushtetit të kaluar dhe për të ofruar programin tonë. Kjo është përgjegjësi e pushtetit lokal, kush ka votuar dhe kush nuk ka votuar e dinë qytetarët e Tetovës. Atë që ju garantoj unë si kryetar i ardhshëm i Tetovës këtë plan do ta revitoj dhe çdo investim kontrovers nga jashtë do ta ndalojmë” shtoi Bilall Kasami.

    Kandidatët e partive politike të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Komunës së Tetovës po diskutojnë në Debat Pernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

    Të pranishëm në debat për kryetar të Komunës së Tetovës janë Bilall Kasami nga Lëvizja BESA, Sadi Bexheti nga Partia Demokratike Shqiptare dhe Vullnet Murseli nga koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.

    Poashtu të ftuara në debat janë edhe kandidatet për asamblistë në Këshillin Komunal të Tetovës: Elma Sherifi, Sevim Veseli Berzati dhe Yllzana Berzati nga BESA. Elmedina Abdullahi dhe Merita Saiti nga “Më Mirë për Tetovën”, Mona Sadiki dhe Rudina Aliu nga PDSH si dhe Nesrin Sulejmani Iseni, Nurije Berisha dhe Selda Aliji nga koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.

    Kandidatët përballë gazetares Jeta Xharra do të diskutojnë për tema të ndryshme në interes të qytetarëve të Tetovës, duke filluar nga shëndetësia, arsimi, ujësjellësi, infrastruktura e mbrojtja e ambientit.

    ‘Më mirë për Tetovën’: Do jemi avokat i tetovarëve brenda këshillit komunal

    Iniciativa e pavarur “Më Mirë për Tetovën” në Debat Pernime, të përfaqësuara nga kandidatet gra për Këshillin Komunal të Tetotvës, Elmedina Abdullahi dhe Merita Saiti premtuan transparencë dhe llogaridhënie, ambient të pastër, hapësira të gjelbra dhe urbanizëm të qëndrueshëm.

    Abdullahi nga kjo iniciativë e pavarur që garon për këshillin komunal të Tetovës tha se platforma e tyre është shumë më reale dhe ka ndikim të drejtpërdrejtë te populli, theksoi se mungesa e transparencës deri sot ka qenë një ndër shkaqet e keqpërdorimeve të shumta.

    “Platforma jonë është shumë më reale dhe do të ketë ndikim direkt, me gjëra praktike për shkak se ne vijmë prej aktivizmit dhe nuk vijmë nga politika. E para gjë që do të shtyjmë është transparenca dhe llogaridhënia sepse jemi të sigurt që në mungesë të transparencës dhe llogaridhënies janë duke u bë të gjitha keqpërdorimet momentalisht në komunën e Tetovës me qeverisjen aktuale, prandaj, do të insistojmë me çdo kusht që çdo mbledhje e këshillit të transmetohet drejtpërdrejt, që qytetarët të informohen se çka vendoset dhe si vendoset”, tha ajo.

    “Ne do të mundohemi të jemi avokatet e popullit, të gjitha kërkesat e popullit do ti përcjellim në Këshill”, tha Elmedina Abdullahi nga MMPT.

    Në anën tjetër, Merita Saiti nga e njëjta iniciativë tha se ambientin e pastër dhe hapësirat e gjelbra  për Tetovën do t’i realizojnë përmes bashkëpunimit me iniciativat ndërkombëtare që punojnë në këtë fushë.

    “Ne do të mundohemi që në shtyllën tonë të ambientit të pastër dhe hapësirave të gjelbra të mundësojmë pastrimin e rregullt të rrugëve të qytetit dhe gjithashtu do të iniciojmë që të mos keqpërdoren fondet e ndara për këto”, tha Merita Saiti.

    Kur do të përfundojë shkolla në fshatin Leshnicë | Premtohet më shumë se një dekadë nga kryetarët e çdo mandati

    Kandidatët për kryetar të komunës së Zhelinës kanë debatuar në #DebatPernime me Jeta Xharra në lidhje me programet e tyre politike që kanë në plan ta realizojnë për katër vitet e ardhshme për banorët e kësaj komune.

    Arsimi në këtë komunë ballafaqohet me disa probleme, mungesa e laboratorëve, mungesa e laptopëve për të gjithë nxënësit, mungesa e sallave sportive dhe nxënësit e fshatit Leshnicë akoma nuk kanë shkollë.

    Nxënësit e fshatit Leshnicë edhe këtë vit nuk e gëzuan shkollën e re, shkollë e premtuar më shumë se një dekadë. Objekti i ri i shkollës gjendet në fazat përgatitore, ndërsa tani nxënësit detyrohen të mësojnë në mektebin e xhamisë.

    Kandidatët u përplasën për mungesën e shkollës në Leshnicë, pasi kandidati i ASH-AAA, Mahir Ziberi deklaroi se deputetja e ASH-së, Ilire Dauti ka bërë një kërkesë në kuvend për të ndërtuar shkollën e këtij fshati. Sipas Ziberit ato mjete është dashur të kërkohen nga kryetari aktual dhe fillimisht të bëjë projektin dhe të realizojë ndërtimin e objektit të ri. 

    Ndërsa sipas Fatmir Izairit-BDI nuk është dashur të prishet objekti i vjetër i shkollës derisa të ndërtohet shkolla e re që mos të lihen nxënësit në këtë situatë. Dyshime sipas tij ka edhe në dokumentacione, gjegjësisht lejen e ndërtimit.

    Por një gjë të tillë e hedh poshtë kryetari Blerim Sejdiu, sepse kjo shkollë duhej të ndërtohet në dy faza, njëra nga komuna dhe tjetra nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Faza e parë që i takon komunës është kryer si obligim, tani pjesën tjetër duhet ta ndërtojë MASH.

    Kandidati i Lëvizjes Besa, Blerim Sejdiu, Fatmir Izairi – BDI dhe Mahir Ziberi nga radhët e koalicionit ASH-AAA u zotuan se kjo shkollë do të përfundojë që në vitin e parë të mandatit me komunën.

    Gashi: Më 17 tetor është shansi i fundit për të sjellë ndryshimin

    Kryetari i Alternativës Afrim Gashi nga Çairi tha se po habitet me një politikan i cili është bërë edhe zv/kryeministër dhe i cili në pleqëri ka filluar të bëhet reper.

    “O njeri, zv/kryeministër je leje repin. Unë e kam kaluar atë kur kam qenë tinejxher. A e shihni e çdo ditë të rinjtë po na ikin nga vendi, gjendja po vështirësohet, çmimet po hypin çdo dit, cilësia e jetës po bie, arsimi ka ra për toke, kultura, dhe në fushatë politike në vend se të merresh me programe dhe projekte, të merresh dhe të njollosësh opozitën e të merresh me muzikë në tubime politike mendoj se është jashtë çdo serioziteti, por çdokush e bën atë që e di më së miri”, u shpreh Afrim Gashi.

    Gashi shprehi një falënderim për të gjithë ata që në vitin 2017 kanë votuar për Zeqirija Ibrahimin.

    “Ata njerëz janë heronjtë e vërtet, ngase përskaj gjitha [presioneve, gjetën vullnetin, forcën për të votuar, 13.707 njerëz. Këtu do t’i përfshi edhe 975 vota të pavlefshme të cilët gjithashtu kanë qenë për ne e na i vodhën fitoren në 2017-tën. Ju lutem me 17 tetor ta ktheni hakun e Zekës te Bekimi, ta kthejmë fitoren aty ku është te popullit, ta kthejmë dinjitetin tonë, të dëshmojmë se nuk i trembemi askujt”, u shpreh Gashi.

    Gashi tha se katër vite nuk është parë asgjë në Çair, vetëm shkatërrime, uzurpime.

    “Më mirë për Tetovën”: Komuna e Tetovës ka qenë pa vizion dhe pa zgjidhje për menaxhimin e mbeturinave

    Nisma qytetare “Më mirë për Tetovën” ka reaguar për keqmenaxhimin e pastrimit të bërllogut në Tetovë. Ata thonë se me rritjen e konsumit edhe sasia e bërllogut është rritur dukshëm, ndërsa komuna e Tetovës ka qenë e papërgaditur dhe pa vizion për tu përballuar me këtë problem dhe për të ofruar zgjidhje.

    “Një nga njollat më të zeza të qytetit gjithë këto vite pa dyshim që është keqmenaxhimi me grumbullimin e bërllogut. Me rritjen e konsumit edhe sasia e bërllogut është rritur dukshëm, ndërsa Komuna e Tetovës ka qenë e papërgatitur dhe pa vizion për tu përballuar me këtë problem për të ofruar zgjidhje. Kjo gjendje është bërë e padurueshme për të gjithë qytetarët” thonë nga nisma.

    Ata shtojnë se në këshillin e ri një nga pikat kryesore në kuadër të ambientit të pastër do të jetë prioritet zgjidhja e këtij problemi. Me planifikim strategjik dhe dije bëhet. Një energji e re mund t’a bëjë Tetovën më të mirë për të gjithë ne. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Mickoski: Gjuha e urrejtjes, ajo që i ndan qytetarët në baza etnike ose fetare, duhet të ndalet

    Lajmi i rradhës

    Dauti: Të zezat që ia ka bërë BDI popullit shqiptar, nuk ia mbulon asnjë ngjyrë e aq më pak ngjyra e gjelbër (Video)

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë