Dënohet dhuna në Kuvendin e Kosovës

    Përleshjet fizike mes deputetëve opozitarë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe pjesëtarëve të Qeverisë gjatë seancës plenare më 13 korrik janë dënuar nga disa aktorë të ndryshëm.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se përdorimi i dhunës si mjet për të adresuar pakënaqësitë e mospajtimet politike “dëmi më i madh që mund t’i bëhet institucioneve që janë ndërtuar me aq shumë mund e sakrificë”.

    “Kuvendi është gurthemeli i shoqërisë sonë demokratike, ku zëra të ndryshëm bashkohen për t’i përfaqësuar interesat e qytetarëve, ndaj dhuna nuk ka vend në tempullin e demokracisë dhe nuk mund të shndërrohet në mjet politik”, shkroi ajo në Facebook.

    Deputetët opozitarë ndërprenë fjalimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, gjatë seancës plenare më 13 korrik, me deputetin e PDK-së, Mërgim Lushtaku që hodhi ujë në drejtim të Kurtit dhe zëvendësit të tij, Besnik Bislimi.

    Kjo u pasua me përleshje fizike mes deputetëve të PDK-së dhe anëtarëve të Qeverisë Kurti.

    Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), i cilësoi deputetët e PDK-së “si një bandë rrugaçësh” dhe shtoi se “ky sulm erdhi si veprim i koordinuar mes degëve të ndryshme të së njëjtës bandë: disa prej tyre i thonë vetes deputetë, disa i thonë vetes gazetarë, e disa protestues”.

    Partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), është distancuar nga përleshjet në Kuvend, duke shkruar se “pamjet e shëmtuara të dhunës nuk e kanë vendin në Kuvendin e Republikës”.

    “Instaluesit e dhunës në Kuvendin e Kosovës nuk kanë të drejtë moralizuese sot. Ata kanë ushqyer polarizimin e skajshëm shoqëror, kanë ushqyer gjuhën e urrejtjes, ndarjes e përplasjes në çdo sjellje e veprim të tyre; e bëjnë dhe sot”, thuhet në reagimin e LDK-së.

    Ndërkaq, deputetja e subjektit tjetër opozitar, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj, tha se përleshjen e filluan pjesëtarët e Qeverisë.

    “Nuk është sulmuar nga deputetët e opozitës Albin Kurti, por deputetët janë sulmuar nga ministrat e zëvendësministrat e Qeverisë Kurti”, tha Kadriaj, e cila e quajti “veprim demokratik” gjuajtjen me ujë të kryeministrit Kurti.

    Deputeti Lushtaku ka paralajmëruar padi ndaj zëvendëskryeministrit Bislimi, ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati.

    Lushtaku pohoi se është goditur me shishe të mbushur me ujë nga Bislimi, se është shtyrë nga ministrja Haxhiu dhe se është goditur me, siç tha ai, mjet të fortë nga ministri Murati.

    Dhuna në Kuvend është dënuar edhe nga Instituti Demokratik i Kosovës. Ky institut i quajti përleshjet në Kuvendin e Kosovës “rezultat i një klime joparlamentare”.
    KDI bëri thirrje që të gjitha partitë politike dhe deputetët të distancohen nga “kjo klimë dhune”.

    “Dhuna, asnjëherë, përballë çfarëdo situate nuk mund të jetë mjet politik dhe në asnjë kontekst nuk mund të përligjet sikurse kjo e sotshmja. Kërkojmë nga organet e rendit që të ndërmarrin të gjitha masat e parapara me ligj ndaj aktorëve të përfshirë në dhunë”, thuhet në reagimin e KDI-së.

    Ndaj ngjarjeve në Kuvendin e Kosovës ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka kritikuar opozitën duke thënë se “të mos jesh dakord me kryeministrin është demokratike, ta shprehësh kështu kundërshtinë është të njollosësh veten”.

    “Uroj shumë që opozita të distancohet nga kjo sjellje e turpshme dhe t’i shërbejë Kosovës me forcën e shembullit, jo me shembullin e forcës!”, tha Rama përmes një postimi në Twitter.

    Ditëve të fundit, sikurse edhe në seancën e 13 korrikut, opozita ka qenë kritikuese ndaj pushtetit pasi në mediat në Kosovë kanë dalë përgjime të shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila. Ajo ka pranuar që ka zhvilluar një bisedë me nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq.

    Milan Radoiçiq është nënkryetar i Listës Serbe, i cili kërkohet nga autoritetet e Kosovës dhe është gjithashtu në listën e zezë të SHBA-së për “përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar”.

    Ai kërkohet nga Kosova nën dyshimet se është përfshirë në frikësimin e dëshmitarëve në rastin gjyqësor, të njohur si “Brezovica”.

    Radoiçiq përmendet në një aktakuzë edhe si “udhëheqës i grupit kriminal”, i cili planifikoi vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Megjithatë, urdhërarresti për Milan Radoiçiqin u tërhoq në mars të vitit 2021 pa asnjë shpjegim. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Schallenberg: Maqedonia e Veriut do të përballet me rrezikun e izolimit, nëse nuk i pranon ndryshimet kushtetuese

    Lajmi i rradhës

    “Ballkani evropian” në vend të “Ballkani i ballkanasve”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë