“Ballkani evropian” në vend të “Ballkani i ballkanasve”

    VETON SURROI

    Kryeministri Edi Rama shpalli javën e kaluar se Ballkani Perëndimor nuk duhet të merret më me projektin e Ballkanit të Hapur, i cili sipas tij, e kishte përmbushur rolin e vet historik dhe tani e tutje duhej përqendruar te Procesi i Berlinit, samiti i radhës i të cilit do të mbahet në tetorin e këtij viti.

    Një formulim i këtillë ndoshta mund të jetë shkas i mirë për të dhënë disa vërejtje për sfidat e bashkëpunimit regjional, sfida të patejkaluara nga Ballkani i Hapur dhe me potencial të mos tejkalohen as nga Procesi i Berlinit.

    1. EUFORIA APO VULLNETI (I MIRË) NUK MJAFTOJNË

    Ballkani i Hapur (i njohur si Mini-Schengen në momentin e ngjizjes) u shpall me idenë se tre liderë të tri shteteve me vullnet të mirë (që diku-diku kalonte në eufori) do t’i prijnë një procesi që do të shembë barrierat ndërshtetërore të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke krijuar në to hapësirën e katër lirive evropiane.

    Katër vjet më pas dhe pas disa samiteve me eufori dhe vullnet (që për nevoja të këtij shkrimi e marrim si të mirëqenë si vullnet të mirë), hapësira e katër lirive e ndërtuar nga Ballkani i Hapur është pothuajse po aq larg sa ishte atëbotë. Dhe, euforia apo vullneti i mirë nuk mjaftojnë as për lindje e as për vdekje. Ndonëse Kryeministri Rama shpalli vdekjen e Ballkanit të Hapur ashtu siç qe shpallur lindja e tij para katër vjetësh, liderët e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut ende flasin për të si të shëndoshë e mirë.

    2. TRANZICIONI PREJ NJË BOSHLLËKU NË TJETRIN?

    Përshkrimi i kryeministrit Rama mund të kuptohet si tranzicion prej Ballkanit të Hapur në Proces të Berlinit. Ky megjithatë, në themel nuk do të mund të ishte kuptim i drejtë, ngase Procesi i Berlinit është themeluar para Ballkanit të Hapur. Pastaj, nuk do të ishte i drejtë as në transfer vlerash apo rezultatesh të vlefshme për procesin e ardhshëm. Ballkani i hapur qe në masë të madhe një ushtrimore debatuese për atë se si do të duhej të dukej bashkëpunimi i 6-shes së Ballkanit Perëndimor. Kjo ushtrimore nuk e arriti as formalisht ta takojë 6-shen e shteteve të Ballkanit perëndimor e as la prapa një strukturë institucionale që mund të bartet në Procesin e Berlinit.

    Për më tepër, ky kalim prej një boshllëku mund të jetë drejt një boshllëku tjetër. Procesi i Berlinit është, siç i thotë emri, një Proces e jo një sistem institucional i strukturuar. Kalimi prej Ballkanit të Hapur në Proces të Berlinit mund të jetë(me gjasa të mëdha) tranzicion prej një ushtrimore debatuese në tjetrën.

    3. BALLKANI I EVROPIANËVE

    Ballkani i Hapur operoi me premisën politike se kështu po zhvillohej për herë të parë mundësia e “Ballkanit ballkanasve”, pra të modelimit të regjionit sipas nevojave të popujve të saj e me vullnetin politik të popujve të saj. Kjo premisë nuk funksionon në dy boshte të saj. Ballkani nuk është një zonë autarkike, e vetëmjaftueshme dhe e veçantë për aq sa të mos jetë pjesë e kontinentit të vet.

    Për më tepër, e ka krejtësisht të pamundur që të jetojë në paqe me veten nëse nuk është pjesë e kontinentit të vet, nëse nuk është pjesë e katër lirive të Bashkimit Evropian e nën ombrellën e sigurisë së përbashkët kooperative. Por, ideja e braktisjes së premisës “Ballkani i ballkanasve” të Ballkanit të hapur për kalim në Proces të Berlinit nuk do të thotë kalim automatik te premisa e Ballkanit të evropianëve. Në Procesin e Berlinit, siç është sot, ekziston në masë të madhe inercioni i ritualeve të përsëritjes, një herë në gjashtë muaj se Ballkani Perëndimor e ka vendin në BE. E, siç u tha më lart, euforia dhe vullneti i mirë nuk mjaftojnë.

    4. KONFLIKTET E PAPËRFUNDUARA, SHTETET E PANDËRTUARA

    Katër liritë evropiane janë zhvilluar pas përfundimit të konfliktit (Luftës së Dytë Botërore) dhe me respekt të ndërsjellë të sovranitetit të shteteve që fituan dhe humbën luftën (me vështirësitë specifike të Gjermanisë). Katër liritë evropiane po përpiqen të vendosen në Ballkanin Perëndimor ku ende nuk kanë përfunduar konfliktet e zhbërjes së ish Jugosllavisë.

    Kosova dhe Serbia ende nuk kanë arritur te marrëveshja e normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve që e njohin njëra tjetrën, Bosnja e Hercegovina në vend të shtetit funksional është duke u shndërruar në shtet të deligjitimuar prej brenda, me tendencë kah zhbërja legale e institucioneve shtetërore. Në këtë ambient toksik kanë rilindur edhe idetë e mohimit të kombeve (malazezëve e boshnjakëve). Një gjendje e këtillë paraqet sfida enorme për integrim. Sfida është përpjekja që të ndërtohen “katër liritë” evropiane pa siguri kolektive, pa shtete që njohin partneritetin e njëri-tjetrit, pa funksionalitet shtetëror, e në fund edhe institucione të nevojshme të përbashkëta (në Procesin e Berlinit) që do të lehtësonin integrimin.

    5. GJENERIMI I IDEVE TË SHPESHTA NUK E ZËVENDËSON NJË IDE TË MIRË

    Ballkani i Hapur u lind si një ide që do të shpejtojë procesin e integrimit regjional, dhe u prezantua si një ide më dinamike se Procesi i Berlinit, i cili kishte ngecur. Me faktin se u shua (apo gjysmëshua) pas katër vjetësh pa ndonjë mbetje institucionale, tregoi se një ide e mirë çfarë është Procesi i Berlinit (me katër liritë evropiane që ndërtohen në bashkëpunim të ngushtë me shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së) nuk bëhet më e mirë duke gjeneruar ide alternative dhe konkurruese apo kundërshtuese.

    Këtë, në mikrokozmosin e vet e ka dëshmuar edhe Kosova. Në dhjetë vjetët e fundit (në veçanti) janë gjeneruar ide për këtë copë territori që duhet të ndahet e të shkojë në Serbi, për atë copë të Serbisë që duhet të vijë në Kosovë, për kaq serbë më pak në Kosovë e për aq shqiptarë më shumë, për këtë formë të autonomisë, për këtë apo atë statut të Asociacionit. Që të gjitha për t’i ikur idesë thelbësore, e cila mund të jetë e rëndë, por e pashmangshme, se konflikti mes Kosovës dhe Serbisë, pra edhe njëri prej konflikteve të papërfunduara të Ballkanit Perëndimor, do të zgjidhet në momentin kur të dyja shtetet vendosin marrëdhënie të fqinjësisë së mirë.

    6. RRUGA E VËSHTIRË ËSHTË MË E LEHTË

    Kalimi prej Ballkanit të Hapur në Proces të Berlinit mund të jetë kalim prej një platforme artikulimi në platformën tjetër. Por problem nuk është platforma, problem është artikulimi. Njëra prej shkarjeve në artikulim është ideja se disi te popujt e Ballkanit Perëndimor nuk ekziston vullneti për të ecur përpara, gjegjësisht se po qe se vetëm do të dëshironin, çdo gjë mund të ndërrohej: BEja edhe ashtu e pritka krahëhapur këtë pjesë të saj qe 20 vjet. Kjo është rruga e lehtë dhe është e vështirë.

    Është e vështirë, sepse mund të kalohen edhe 20 vjet duke përsëritur fjalët e njëjta pa kurrfarë ndryshimi. Problem nuk është vullneti apo artikulimi i tij. Problemet janë institucionet dhe sistemet. Sikur sistemi i sigurisë kolektive për regjionin, si pjesë e sistemit të sigurisë së kontinentit. Apo , institucionet e bashkëpunimit regjional që janë pjesë e një sistemi më të gjerë integrues, kontinental. Këto, sistemet dhe institucionet, paraqesin rrugën e vështirë , e cila është më e lehtë. Është më e lehtë, sepse sistemet dhe institucionet krijojnë kornizën për zgjidhjen e problemit thelbësor, atij të konflikteve dhe shteteve të papërfunduara.

    Marrë nga Koha Ditore

    Lajmi Paraprak

    Dënohet dhuna në Kuvendin e Kosovës

    Lajmi i rradhës

    Bytyqi vitizon komunën e Zhelinës, së shpejti me Qendër Kulturore Rinore

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë