Deponia dhe gurorja në Llabunishtë, shkak për ndotjen e Strugës

    Edhe pse me vite qytetarët e Strugës kanë alarmuar institucionet që të fillojnë të matin cilësinë e ajrit që e thithin, megjithatë ka vetëm premtime. Frika është se faktorët kryesorë që ndikojnë në ndotjen, përveç mënyrës së ngrohjes, trafikut, është edhe deponia jolegale e qytetit dhe puna e guroreve që ekzistojnë në disa prej zonave të banuara. Çdo ditë, qindra tonelata mbeturina nga më të ndryshmet grumbullohen në deponinë e qytetit, e cila është sa katër fusha futbolli. Tashmë, në kuadër të projektit “Ajri i qytetarëve”, në njëzet lokacione do të vendosen instrumente matëse për të matur cilësinë e ajrit që e thithin banorët.

    “Shqetësuese ishte veçanërisht kur deponia digjej dhe kur të gjithë ishim dëshmitarë të ndikimit negativ, por edhe kur nuk digjet, është burim i ndotjes së ajrit, i tokës dhe i ujërave nëntokësor. Të gjithë kemi perceptimin se këtu është liqeni ynë, ajo që e thithim është brenda kufijve të lejuar, por matjet tregojnë të kundërtën dhe pikërisht këtu vjen frika, se ndoshta edhe banorët e Strugës do të kenë të njëjtin fat si qytetet e mëdha”, tha Nikolla Kukunesh- aktivist civil.

    “Lokacioni më i theksuar ka qenë Llabunishti, ku ka numër të madh të guroreve dhe ku supozojmë se grimcat PM do të jenë me masë të shtuar në lokacionet përreth deponisë. Shpresojmë të gjejmë mënyra për vendosjen e instrumenteve në afërsi të këtyre lokacioneve, do të vendosim 20 instrumente në të gjithë komunën e Strugës, por do të vendosim nga 3 ose 4 instrumente ku mendojmë se ka ndotje më të madhe”, theksoi Marian Glavinçeski – koordinator i projektit “Ajri i qytetarëve”.

    Të dhënat për cilësinë e ajrit, lartësinë e grimcave PM, lagështinë dhe temperaturën e ajrit do të jenë të disponueshme online dhe do të përditësohen çdo 15 minuta, gjithashtu do të hapet e ashtuquajtura zyra e gjelbër, ku qytetarët do të mund të alarmojnë për çdo shkelje të cilësisë së ajrit. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Stoillkovski: nëse kanë një grimcë dinjiteti, anëtarët e Këshillit Gjyqësor të japin dorëheqje

    Lajmi i rradhës

    Politikanët në RMV flasin me mburrje për integrim

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë