Një zjarr i madh ka kapluar në orët e mëngjesit të ditës së diel deponinë e Dibrës. Edhe pse drejtoria e ndërmarrjes komunale publike “Standardi” ka ndërmarrë vazhdimisht aktivitete për ruajtjen e deponisë nga zjarret, zjarri ka shpërthyer sërish, duke shqetësuar të punësuarit e kësaj ndërmarrjeje, e cila menaxhon deponinë, por edhe banorët e qytetit të Dibrës.
Për momentin nuk ka informata se kush e ka shkaktuar zjarrin. Dihet se zjarri, i cili ka filluar të shuhet nga institucionet kompetente, përkatësisht nga Njësia Kundër Zjarrit në Dibër dhe ndërmarrja komunale, ka shkaktuar reagime të shumta nga qytetarët, pasi zjarret e shpeshta në deponi kanë përhapur tym dhe erë të rëndë, të cilat kanë arritur deri në qytet.
Drejtoria e ndërmarrjes publike “Standardi” ka kumtuar se në deponinë e qytetit është shkaktuar zjarr i madh.
“Është shkaktuar zjarr në deponinë e qytetit, duke paraqitur rrezik për përhapje më të madhe dhe mundësi të shkaktimit të një zjarri edhe më serioz, për shkak të përbërjes së mbeturinave që gjenden në brendësi dhe që janë të vështira për t’u kontrolluar. Janë aktivizuar të gjitha institucionet përkatëse, me të gjitha kapacitetet në dispozicion, për vendosjen e situatës nën kontroll dhe për shuarjen e plotë të zjarrit”, thuhet në kumtesën e ndërmarrjes.
Drejtoria potencon se, përveç shuarjes së zjarrit, janë ndërmarrë edhe aktivitete për rehabilitimin e zonës në fjalë, pasi vendi ku gjendet deponia ndodhet në terren pranë rrugës Dibër – vendkalimi kufitar “Bllatë”, mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, në afërsi të qytetit të Dibrës, dhe shkakton probleme ekologjike. Ka ndotje edhe të tokave pjellore në afërsi të deponisë.
Nga drejtoria e Ndërmarrjes Publike “Standardi” theksojnë se kanë filluar procesin e rehabilitimit të zonës. “Në këtë rast po fillojmë edhe procesin e rehabilitimit të zonës, i cili do të na ndihmojë në të ardhmen për një menaxhim më të lehtë dhe pa probleme, duke ndikuar njëkohësisht edhe në përmirësimin e pamjes së kësaj rruge me qarkullim të lartë, e cila përfaqëson hyrjen kryesore të qytetit”, thonë nga ndërmarrja publike.
Duke marrë parasysh se deponia po mbushet me mbeturina nga qyteti i Dibrës, por edhe nga një pjesë e Komunës së Mavrovë-Rostushës, përkatësisht nga rajoni i Rekës së Poshtme, zgjidhja e vetme për këtë problem shihet ndërtimi i deponisë rajonale në afërsi të Manastirit, respektivisht në Novaci. Kjo deponi është përcaktuar si deponi rajonale nga Qeveria, ku duhet të deponohen edhe mbeturinat e Dibrës.
Komuna e Dibrës, në krye me kryetarin Fisnik Mela, dhe drejtoria e Ndërmarrjes Komunale “Standardi”, në krye me drejtorin Nertil Osmani, potencojnë se deponia rajonale në Novaci do të jetë zgjidhje afatgjate për problemet ekologjike që shkakton deponia e Dibrës. Nga Komuna e Dibrës thonë se qyteti do të ketë një sistem të menaxhimit të mbeturinave sipas standardeve të nevojshme, nga ku ato do të transportohen drejt deponisë rajonale jugperëndimore në Novaci. /Koha/






