Deponitë ilegale ngufatin Tetovën

    Rajoni i Tetovës me rrethinë, vazhdon të ngulfatet nga deponitë e egra. Periferitë e qytetit të Tetovës dhe jo vetëm, janë më të përshtatshme për hedhjen e mbeturinave të ndryshme. Derisa nuk ka një zgjidhje për riciklimin e këtyre mbeturinave, nëpër shumë komuna rurale këta mbeturina hedhen përgjatë rrugëve rajonale. Pamja nuk është aspak më e mirë në Tetovë dhe rrethinë. Gjendja më e vështirë tashmë një dekadë paraqitet përgjatë rrugës nga Tetova për në Kalanë e qytetit dhe për në fshatin Sellcë dhe Vicë. Pamje të këtillë, shfaqet edhe në përgjatë rrugës nga Shipkovica për në Brodec.

    Nga Inspektorati komunal në Tetovë theksojnë se për shkak të mungesës së kuadrit nuk arrijnë të mbulojnë tërë territorin dhe të ndëshkojnë ata që hedhin mbeturina në zona të ndaluara. Paralajmërohet vendosja e kamerave të sigurisë për të detektuar të gjithë ata persona që veprojnë në kundërshtim me ligjin për mbrojtje të ambientit jetësor.

    “Na duhet edhe pak që të bëhet ekipimi i inspektoratit ashtu si duhet. Poashtu do të vendosen edhe kamera në shumë vende që të kemi kontroll se çka ndodh dhe kush hedh mbeturina në vende joadekuate. Këtë sistem tashmë e aplikon edhe qyteti i Shkupit ku janë vendosur kamera mobile në vende potenciale për hedhjen e mbeturinave”, thonë nga Inspektorati komunal në komunën e Tetovës. Zakonisht bëhet fjalë për mbeturina nga mbetjet ndërtimore, ku banorët e fshatrave të malësisë të njëjtat nuk i hedhin në deponinë në Falisht por i hedhin vend e pa vend.

    “Ne kryejmë kontrolle çdo ditë, ndërkaq për shkak të ndotjes kemi pasur edhe nga tre kontrolle brenda ditës, poashtu kemi kryer edhe kontrolle të jashtëzakonshme. Në disa vende kemi hasur qytetarë që hedhin mbeturina me kamion, me traktor e kështu me radhë. Disa prej atyre qytetarëve i kemi detyruar që sërish t`i marrin mbeturinat dhe vendin ta kthejnë në gjendjen e mëparshme”, theksojnë nga Inspektorati komunal në komunën e Tetovës.

    Tashmë në disa vende ku janë hedhur mbeturinat janë larguar dhe janë mbjell fidane. Por, pritet të shihet në të ardhmen sa do të mbijetojnë këta fidane kur dihet se ky rajon është gjithnjë i ekspozuar ndaj kësaj dukurie dhe hidhen pa ndërprerë mbeturina. Edhe pse janë vendosur tabela për ndalesë të hedhjes së mbeturinave, dukuria e hedhjes së mbeturinave në këto zona vazhdon të jetë prezente. Gjendja pritet të përkeqësohet me ardhjen e pranverës dhe kur zakonisht rajonet periferike shndërrohen në gërmadha me deponi të egra, edhe atë jo vetëm në Tetovë por edhe në komunat rurale. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Spasovski: Janë parandaluar 27 mijë tentativa për kalime ilegale

    Lajmi i rradhës

    NUK KA SERUM KUNDËR TËRBIMIT! Ministria e Shëndetësisë ngec në prokurim

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë