Depresioni i paslindjes, problem për shumë nëna në Maqedoni

    Depresioni i pas lindjes në Maqedoninë e Veriut shfaqet tek 7 deri 15% e nënave, ndërsa po aq është numri i rasteve të izoluara dhe të pa trajtuara, thuhet në të dhënat e Kabinetit për trajtimin e grave gjatë shtatzënisë, kurse nga Klinika e Gjinekologjisë thonë se nuk kanë ndonjë evidencë se sa mund të jetë numri i këtyre rasteve pasi sipas tyre atje nuk ka një staf të trajnuar për t’u angazhuar me këtë kategori të pacientëve. Nga atje informojnë se ka një psikolog klinik i cili bisedon me nënat e reja në rastet kur është e nevojshme dhe se çdo javë aty vjen një psikiatër nga Klinika e Psikiatrisë.

    Sipas ekspertëve, depresioni është një sëmundje që mund të paraqitet nga muaji i 4-6 i lindjes por edhe një vit pas lindjes së fëmijës. Sipas tyre ai është një çrregullim i cili shfaqet në periudhën e pas lindjes dhe manifestohet me ulje të humorit, ndjenjën e frikës, shqetësim, ankth, ndërprerje të funksionimit të përditshëm, lot, ndjenjë faji, ulje e vetëvlerësimit, frikë e fortë për veten ose të dashurit, pamundësi për t’u kujdesur për veten dhe foshnjën. Përveç këtyre ekziston edhe një ndjenjë e fortë faji, pagjumësi, pamundësi për t’u lidhur me foshnjën, mendime vetë-dëmtuese ose edhe ide vetëvrasje.

    Për Sllavica Asova psikiatër në Kabinetin për trajtimin e grave gjatë shtatzënisë, periudha e pas lindjes është normale që disa nëna të përjetojnë të ashtuquajturën “pikëllim i pas lindjes”, i cili zgjat rreth dy javë, dhe ndryshe nga depresioni nëna mund të kujdeset për veten dhe për foshnjën, ka ankth të lehtë, lot dhe nervozizëm por që nuk prish funksionimin e saj si nënë.

    “Te nënat me depresion e gjithë kjo është e thellë, e ndjekur nga përmbajtja e mendimit depresiv si dhe pamundësia për t’u kujdesur për foshnjën. Shifrat variojnë nga 7 deri 15% por atyre ju shtohen edhe më shumë, pasi konsiderohet se një pjesë e madhe e grave janë të panjohura, të pa trajtuara. Depresioni pas lindjes zakonisht pason pas depresionit gjatë shtatzanisë i cili nëse nuk trajtohet, rrezikon që të thellohet më shumë pas lindjes”, shprehet Asova. Sipas saj, ka disa faktorë rreziku, si e kaluara depresive ose ankthi, ngjarjet traumatike nga e kaluara, dhuna në familje, nënat pa mbështetje adekuate, nënat e mitura, infertiliteti i trajtuar, mungesa e arsimimit.

    “Në vend ka disa kërkime të cilat në veçanti i janë referuar ndikimit të pandemisë së kovid19 për rritjen e depresionit gjatë shtatzënisë dhe pas lindjes, dhe ka treguar rritje të numrit të depresionit deri në 30%. Pandemia ka ndikuar seriozisht në gjendjen mendore të nënave”, tha ajo duke shtuar më tej se veprimi parandalues bëhet i mundur nëpërmjet rritjes së vetëdijes dhe vigjilencës për gjendjen psikologjike të gruas gjatë kësaj periudhe, njohjen nga vetë nëna dhe familja, mjekët e familjes dhe gjinekologët, si dhe me referimin e mundshëm për trajtim psikiatrik-psikologjik.

    Psikologja dhe këshilltarja për familje dhe sistem nga Qendra për Shëndet Psiko-fizik, Sonja Ugrinovska vlerëson se depresioni pas lindjes është një çrregullim psikologjik që më së shpeshti shfaqet tek nënat por që nuk përjashtohet mundësia që i njëjti të shfaqet edhe tek baballarët. Sipas saj, një prind me depresion pas lindjes mund të përjetojë një sërë ndjenjash të pakëndshme siç janë ankthi, lotët, trishtimi.

    “Ajo fillon të ndjejë vështirësi kur duhet të kujdeset për foshnjën dhe për këtë mund të ndihet fajtor. Mendimet e pakëndshme dhe negative mund të jenë prezent tek prindi. Rënie e motivit dhe ulje e interesit për detyrat e përditshme të shoqëruara me ndryshime në ushqyerje dhe gjumë, e shumë si këto”, theksoi Ugrinovska.

    Arsyet që sipas saj dërgojnë në paraqitjen e depresionit pas lindjes kërkohen në faktorë të ndryshëm nga të cilët mund të renditet edhe historiku i sëmundjeve psikologjike në familje, karakteristikat e shtatzënisë dhe vetë temperamenti i foshnjës, marrëdhëniet e shqetësuara familjare dhe martesore ose stresi, ndjenjat e ndrydhura për shtatzëninë ose edhe faktorë të tjerë.

    “Pavarësisht arsyeve, është një dukuri e zakonshme dhe prindi i cili vuan nga depresioni mund që më së miri të ndihmojë veten nëse e kupton se mund të kujdeset për fëmijën e tij vetëm kur ai është mirë, dhe të kërkojë ndihmë profesionale në kohën e duhur. Sëmundjet mendore nuk kanë ndonjë shkak të dukshëm dhe për këtë arsye shpesh janë një tabu në popullatë, e njëjta ndodh edhe me depresionin pas lindjes”, theksoi ajo duke sqaruar më pas se qëndrimet e pakëndshme të rrethit dhe familjes së afërt, nuk janë arsye për t’u trishtuar dhe se kjo nuk do t’i ndihmojë nënës e cila ka vështirësi. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Katër lojtarët që po e shqetësojnë Xavin me formën e tyre

    Lajmi i rradhës

    Komuna e Gostivarit bëhet me Qendër për Mbrojtje të Viktimave të Dhunës në Familje

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë