Deputetët “proeuropianë” të VMRO-DPMNE-së, shpresë për ndryshimet kushtetuese

    Shefi i grupit parlamentar të BDI-së Arbër Ademi pohon se nga komunikimi që ka në Kuvend me deputetë të VMRO-DPMNE-së, disa prej tyre janë me orientim properëndimor, që lë të kuptohet se lënë hapësirë për mbështetje të mundshme të ndryshimeve kushtetuese.

    “A ka deputetë në VMRO-DPMNE që kanë një orientim perëndimor? Ka. Esenca është që pa telashe, të gjitha partitë politike duhet të jenë “on board” për të votuar ndryshimet kushtetuese që nuk i sjellin kurrfarë dëmi vendit. Unë nuk shoh se ka dëm. Ma thoni… në qoftë se futen bullgarët, kroatët, malazezët, sllovenët, hebrenjtë, egjiptianët…

    -Nuk e them unë po e thotë VMRO-ja dhe deri sa ata kanë…

    -As VMRO-ja nuk e thotë.

    -Çfarë nuk thotë?

    -As VMRO nuk e thotë, e mbani mend takimin e dy liderëve, pas takimit nuk u fol më për diktat bullgar, as për bullgarizim të shoqërisë sonë.”- thotë Arbër Ademi, koordinator i GP të BDI-së.

    Ademi nuk e tha me siguri të plotë se ndryshimet kushtetuese do të bëhen. E deputeti i VMRO-DPMNE-së Bojan Stojanovski është i bindur se Qeveria nuk i ka dy të tretat e votave të nevojshme. I bëri thirrje kreut të Kuvendit Talat Xhaferi që nuk ka nevojë të pritet deri më 18 gusht, por seancën për ndryshimet kushtetuese le ta caktojë tani menjëherë më 26 korrik.

    “I bëj thirrje z.Xhaferi që më 26 korrik, jo më 18 gusht le ta caktojë seancën plenare me dy pika në rend dite. E para le të jetë vërtetimi i nevojës për sjelljen e këtyre amendamenteve kushtetuese për të cilat duhet 2/3 e votave, gjegjësisht 80 deputetë. E dyta le të jetë shpërbërja e Kuvendit dhe mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Me pikën e parë do të bëhet e qartë se nuk kanë 80 deputetë, ndërsa për pikën e dytë është koha e fundit që ta shpërbëjmë Kuvendin dhe menjëherë të shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.”- tha Bojan Stojanovski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

    Më 25 korrik në Kuvend është caktuar seanca e Komisionit për Çështje Kushtetuese, ku do të debatohet dhe votohet propozimi për ndryshime kushtetuese. Shumica parlamentare është e qëndrimit se duhet vazhduar rruga euroatlantike e vendit, ndërsa VMRO-DPMNE vazhdon ta kundërshtojë fuqishëm duke u arsyetuar se Kushtetuta po ndryshohet nën diktatin bullgar. Qeveria siguron se në përmbajtjen e draftit për ndryshimet kushtetuese nuk ka asnjë lloj diktati bullgar.

    Lajmi Paraprak

    Mungesa e parkingjeve në Ohër, problem i vazhdueshëm

    Lajmi i rradhës

    Korrupsioni në Shqipëri dhe kuptimi i jetës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë