Der Leyen: nuk ka BE pa ndryshimet kushtetuese

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vizitën në Shkup e përfundoi me mesazhe për ndryshimin e Kushtetutës, reformat, por edhe duke njoftuar pranimin e kompanive maqedonase në tregun e përbashkët evropian para anëtarësimit në BE. Ajo shpreson se klasteri i parë i negociatave do mund të hapet deri në fund të vitit, për të cilin paraprakisht është e nevojshme të zbatohen ndryshimet kushtetuese.

    “Zgjedhja është e juaja. Prandaj shpresoj shumë që të gjitha partitë të shfrytëzojnë momentin dhe të mbështesin ndryshimet kushtetuese, sepse bëhet fjalë për të ardhmen tuaj, zgjedhja është e juaja dhe të gjitha partitë kanë përgjegjësi për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut. Ne e duam Maqedoninë e Veriut si anëtare të Bashkimit Evropian dhe shpresoj që hapi përpara, i cili është i mirë, të mbështetet nga një shumicë e gjerë”, tha Ursula von der Leyen – Presidente e KE.

    Duke folur për rrugën e integrimit evropian, kryeministri Dimitar Kovaçevski bëri thirrje për përgjegjësi, duke theksuar se ai do të punojë me partnerët e tij të koalicionit për të arritur ëndrrën e anëtarësimit në BE deri në vitin 2030.

    “Gjithkush duhet të marrë përgjegjësinë në duart e veta, por mbi të gjitha përgjegjësinë ndaj brezave të tanishëm dhe të ardhshëm. Me gjëra të tilla nuk kalkulohet, me gjëra të tilla nuk bëhet rejting personal politik, me gjëra të tilla nuk duhet të luhet me emocionet e qytetarëve, sepse do të thotë vetëm një përsëritje e atij filmi të keq, të cilin e kemi parë për 11 vjet në vend”,u shpreh Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.

    Von der Leyen kujtoi, megjithatë, se procesi i pranimit bazohet në meritë, gjegjësisht në reformat në administratën publike, në financat publike, për pavarësinë e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit.

    “Askush nuk duhet të presë për një datë të caktuar. Mund ta bëni edhe më shpejt. Sa më i mirë të jetë procesi i reformës, aq më e shpejtë është mundësia e pranimit”, nënvizoi Ursula von der Leyen – Presidente e KE.

    Presidentja e Komisionit shtoi se reformat do të sillnin edhe investime. Von der Leyen prezantoi gjithashtu në Shkup Planin e ri të BE-së për Rritjen në Ballkanin Perëndimor, i cili pritet të zbatohet nga janari. Plani parashikon heqjen e barrierave tregtare për vendin në BE, qasjen në tregun e përbashkët dhe Brukseli për projekte strategjike për rajonin ka siguruar 6 miliardë euro, por të gjitha ato kushtëzohen nga reformat e zbatuara më parë.

    Megjithatë, gjatë vizitës së saj, Von der Leyen nuk takoi kreun e VMRO-së Hristijan Mickoski dhe tha se ishte planifikuar të kishte takime vetëm me presidentin dhe kryeministrin. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    FIFA e pezullon për tri vjet Luis Rubialesin për sjellje të pahijshme në Botërorin e grave

    Lajmi i rradhës

    VOTA “E PËRMBAJTUR” PËR GAZËN | Kovaçevski: nuk ishte vendim i lehtë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë