Deri ku është ndërtimi i “Korridori 8”?!

    Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, ndërmarrja “Rrugët shtetërore” ka arritur të mbledhë mbi 9,4 milionë euro nga pagesat rrugore. Deri në fund të vitit nga pagesat rrugore pritet të arkëtohen mbi 50 milionë euro, tregoi në “Click21” drejtori i ndërmarrjes Ejup Rustemi, por sipas tij, kaq mjete as nuk mjaftojnë për kthimin e kredive që merren për projektet kapitale rrugore.

    “Këto kreditime kthehen në bazë të pagesës së taksës rrugore, qoftë përmes pagesës në pika pagesore për shfrytëzimin e rrugës autostradë, qoftë përmes pagesës së taksës rrugore që paguhet nga poseduesit e automjeteve”, deklaroi Ejup Rustemi, drejtor N.P. “Rrugët shtetërore”.

    Projekti më i rëndësishëm infrastrukturor është Korridori 8, që e lidh Detin e Zi me atë Adriatik, ndërsa në Maqedoni kalon nga pika kufitare Deve Bari deri në atë të Qafë Thanës.

    Shumica e procedurave me “Bechtel & Enka” janë kryer, ndërsa deri në fund të kësaj jave, Rustemi tregoi se konzorciumi IGH duhet të paraqesë garancinë bankare që kontrata të bëhet efektive. Pas kësaj do të nisin bisedat për arritjen e një marrëveshjeje me “Bechtel & Enka” për ndërtimin e korridorit 8 dhe 10D.

    Se sa milionë euro do t’i kushtoj krejt kjo Maqedonisë së Veriut ende nuk jepet një vlerë e përafërt. E sa i përket kohës, drejtori Rrustemi thotë se varet nga lidhja e marrëveshjes përfundimtare, por maksimum vitin 2026 e parasheh si vit të përfundimit.

    “Në bazë të kësaj kontrate që duhet ta lidhim me “Bechtel & Enka”, përveç pjesës financiare do ta kemi edhe pjesën kohore të realizimit të këtij projekti. Kjo varet shumë nga koha kur do ta lidhim kontratën. Në momentin që do të lidhet dhe përcaktohen edhe afatet kohore për realizimin e këtij projekti. -Viti 2025? -Në fillim ka qenë 2025-ta, do të shohim, mund të jetë 2025-ta, eventualisht 2026-ta si afat kohor për realizimin e korridorit 8 dhe 10D, që është nga Prilepi deri në Manastir”, tha Ejup Rustemi, drejtor N.P. “Rrugët shtetërore”.

    “Bechtel & Enka” do të punojë në autostradën Tetovë-Gostivar tek e cila parashihet zgjerimi, pjesën nga Gostivari në Zajaz, aksin Trebenishtë-Strugë-Qafë Thanë dhe korridorin 10-D. 51% e kompanive që duhet të angazhohen në ndërtim, duhet të jenë kompani të Maqedonisë së Veriut. Ndërkaq duhet rikujtuar se një pjesë e Korridorit 8, nga Kërçova deri në Ohër, është projekt që e ndërton ndërmarrja kineze “Sinohidro”. Rrustemi pret që autostrada Kërçovë-Ohër të kryhet deri në dhjetor 2023.

     “Si janë standardet në krahasim me këto që d të jenë të “Bechtel & Enka”? ato rrugë do të duhet të bashkohen. Ne insistojmë që kualiteti i ndërtimeve të asaj rruge të jetë e kualitetit të njëjtë me këtë kompani amerikano-turke dhe ne mbikëqyrësin që e kemi GIMI nga Maqedonia, jemi në kontakt permanent dhe kërkojmë kualitet sa më të mirë!”, pohoi Ejup Rustemi, drejtor N.P. “Rrugët shtetërore”.

    Në terren punën do ta mbikëqyrë kompania kroate “IGH”, që është në konsorcium me ndërmarrjen vendore “Instituti për Rrugë”, tregoi Rustemi, duke shtuar se mbikëqyrja e ndërtimeve bashkë me konsulencën është paraparë që vendit t’i kushtojë rreth 23 milionë euro. /TV21/

    Lajmi Paraprak

    Mbyllet strehimorja “Çiçino” | Çfarë do të ndodh me të pastrehët?!

    Lajmi i rradhës

    “Është detyra jonë të kujdesemi për republikën tonë, që të gjithë qytetarët ta ndiejnë atë si atdheun e tyre”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë