Deutsche Post ndërpreu përgjithmonë shërbimin e telegramit

    Deri tani telegrami kishte mbi të gjitha vlerë nostalgjike; disa kompani e përdornin atë ende për të uruar personelin e tyre për ditëlindjet. Në ditën e fundit të telegramit, mijëra njerëz dërguan një mesazh të fundit.

    Përpara se Deutsche Post të mbyllte shërbimin e telegramit, mijëra njerëz shfrytëzuan mundësinë për të dërguar një mesazh të fundit telegrafik, në fund të vitit. Më 31 dhjetor – dita e fundit para ndërprerjes së shërbimit – në Republikën Federale të Gjermanisë u dërguan 3228 telegrame, raportoi Deutsche Post. Për krahasim, në vitet e mëparshme dërgoheshin nga 200 deri në 300 telegrame çdo muaj.

    “Arrij të shtunën, ora 20, gjyshja”

    I shpikur në shekullin e 19-të, telegrami ishte deri në shekullin e 20-të një nga mënyrat më të shpejta për të transmetuar informacione të rëndësishme. Teksti i diktuar personalisht ose me telefon në zyrën postare ose telegrafike zakonisht transmetohej me teleprinter në një zyrë postare ose telegrafike pranë adresuesit dhe më pas dërgohej me korrier.

    Duke qenë se çmimi i një telegrami, zakonisht mjaft i lartë, pasqyronte numrin e fjalëve, u zhvillua një stil i veçantë gjuhe, me forma të shkurtra dhe me fjali jo të plota. Një formulim tipik ishte për shembull: “Mbërrij të shtunën, ora 20, Gjyshja”. Me përhapjen e telefonit dhe për më tepër me ardhjen e internetit dhe të celularëve inteligjentë, telegrami e humbi rëndësinë e tij.

    Logo e Deutsche Post

    Asnjë telegram jashtë vendit që nga viti 2018

    Kohët e fundit, telegrami thuajse nuk përdorej nga klientët privatë, thekson Posta Gjermane. Kompanitë ndonjëherë e përdornin atë për paralajmërime ose si shenjë vlerësimi për bashkëpunëtorët me shërbim të gjatë në përvjetorët e kompanisë, por edhe kjo ishte bërë gjithnjë e më e rrallë. Në vitin 2018, Posta Gjermane e pati ndërprerë dërgimin e telegrameve jashtë vendit. Në fund të vitit të kaluar e ndërpreu plotësisht këtë shërbim, duke ndjekur kështu shembullin e shumë operatorëve të tjerë postarë në mbarë botën.

    Një mini-telegram me deri në 160 karaktere kohët e fundit kushtonte të paktën 12,57 euro, një telegram i gjatë me deri në 480 gërma 17,89 euro – në variantin e tij të thjeshtë. Me një fletë dekorative çmimi shkonte te 21.98 euro. /DW/

    Lajmi Paraprak

    TEKNOLOGJIA PO “GËLLTIT” BUKURSHKRIMIN! Edhe për shënime përdoren tabletet

    Lajmi i rradhës

    Qeveria e Maqedonisë e fillon 2023 me brenga të vjetra

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë