TEKNOLOGJIA PO “GËLLTIT” BUKURSHKRIMIN! Edhe për shënime përdoren tabletet

    Gjuha lidhet me përparimin mendor të njeriut. Është pikërisht gjuha jonë shqipe ajo me të cilën përshëndetemi çdo ditë, grindemi, falënderojmë dhe mësojmë. Kur jemi tek mësimi, shkollat janë tempujt e parë ku fëmijët njihen thellësisht me gjuhën e tyre, duke i dhënë rëndësi të veçantë drejtshkrimit. Një problem i cili së fundmi është i pranishëm te shumë fëmijë të klasave të ulta fillore, është pikërisht drejtshkrimi. Në bazë të përvojave personale, shumë prindër kanë folur mbi këtë problematikë tek fëmijët e tyre, të cilët edhe pas përfundimit të abetares, përsëri hasin në vështirësi drejtshkrimore. Këtë e dëshmon edhe edukatori special, Boletin Zenuni, i cili gishtin e drejton në më shumë së një faktor.

    “Qasja shumë e hershme parashkollore në shkrim nëpërmjet mjeteve teknologjike, është faktori kyç, sepse telefoni apo tableti i mençur të ofron vetëm një lloj shkrimi dhe nuk nevoitet mjeshtri e të shkruarit me dorë. Faktori tjetër është pamjaftueshmëria e mësuesve për t’u përkushtuar ndaj nxënësve në tejkalimin e vështirësive gjatë shkrimit, si çoroditja dhe çrregullimi në mes të shkronjave të shkrimit dhe atyre të shtypit, kam hasur në numër të madh të fëmijëve që nuk dijnë kush ku përdoret dhe prodhojnë shkrime të përziera”, tha ai.

    Zenuni gjithashtu vëren disa lëshime të tjera në mësimdhënie, të cilat sipas tij, po i lënë nxënësit me dije gjysmake. “Këtu bënë pjesë edhe mungesa e diktimeve në klasë, siç e ceka edhe më herët, mësuesit nuk po i përkushtohen punës së tyre maksimalisht. Por sigurisht se edhe ushtrimet në shtëpi janë të patjetërsueshme. Ndërsa ka edhe raste të tjera ku nxënësi mund të ketë vështirësi në mësim si disgrafi dhe mungesa e informacioneve mbi këtë problematikë, sjell deri tek vlerësimi i gabuar rreth mungesës së drejtshkrimit”, theksoi edukatori special, Boletin Zenuni.

    Një këndvështrim tjetër profesional e ka edhe një mësimdhënëse nga Kumanova, e cila shton se lidhja e dobët me librin, sjell deri tek problemet drejtshkrimore.

    “Nëse kthehemi tek disa gjenerata më parë, problemet drejtshkrimore kanë qenë më pak të theksuara sepse më parë nxënësit ishin të lidhur ngushtë me librin. Mendoj se këtë problem viteve të fundit e ka zmadhuar edhe mësimi në largësi, gjatë pandemisë. Ka raste kur nxënësve gjatë mësimit të ciklit të ulët, mësuesit nuk u vendosin bazë të shëndoshë drejtshkrimi dhe këtu ka të bëjë njëlloj mungesa e leximit të librave. Fëmijët nuk po rriten me dashurinë ndaj gjuhës si thesarin më të çmuar që kemi, janë të ndikuar shumë nga përdorimi i gjuhëve të huaja, konkretisht gjuhës angleze dhe kështu po i shformojnë edhe fjalët shqipe, por jam edhe e mendimit që telekomunikimi ndikon drejtpërdrejt në këtë qasje të pashëndetshme për gjuhën”, tha ajo. /koha/

    Lajmi Paraprak

    OBSh thotë se Kina nuk po tregon shifrat reale për pandeminë

    Lajmi i rradhës

    Deutsche Post ndërpreu përgjithmonë shërbimin e telegramit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë