Dezinformatë është se Pentagoni ka deklaruar “Ukraina nuk ka shanse”

    Më 21.03.2023, tre portale maqedonase botuan tekst me titull: “Pentagoni: UKRAINA NUK KA SHANSE”, i marrë nga portali B92.net, i cili është publikuar edhe në media të tjera serbe.

    Mirëpo, në tekst nuk mund të shihet pohimi nga titulli se “Ukraina nuk ka shanse”, por pohimi që vijon: “Ukraina do ta ketë jashtëzakonisht të vështirë të dëbojë forcat ruse nga territori i saj në vitin 2023”.

    Si burim për këtë pretendim citohet media Politico, e cila më 20.03.2023 shkruan: “Do të jetë “jashtëzakonisht e vështirë” për Ukrainën që të dëbojë të gjithë ushtarët rusë këtë vit”, tha Milli në një episod të podcast-it…”.

    E çfarë thotë saktësisht kryesuesi i Shtabit të Përbashkët të forcave të armatosura të SHBA, gjenerali Mark Milli, në podkastin “None of the above” të botuar më 21.03.2023, dhe, në çfarë konteksti?

    Së pari, Milli konstaton se Rusia ka dështuar strategjikisht për të arritur qëllimet e saj politike me mjete ushtarake.

    Së dyti, gjenerali Milli vlerëson se Rusia me sa duket nuk do të jetë në gjendje për të realizuar qëllimet e saj politike përmes mjeteve ushtarake.

    Së treti, Milli konstaton se qëllimet politike të Ukrainës janë plotësisht të justifikuara, sepse ajo po bën një luftë mbrojtëse: “Nga ana tjetër, pala ukrainase – qëllimet e tyre politike janë plotësisht të justifikuara. Janë plotësisht në përputhje me teoritë e luftës së drejtë. Është një luftë mbrojtëse. E qëllimet e tyre politike janë të çlirojnë mbarë Ukrainën, çdo inç të Ukrainës dhe të dëbojnë çdo ushtar rus nga çdo inç i territorit ukrainas…”.

    Në pyetjen shtesë se a është kjo e mundshme, gjenerali Milli përgjigjet: “Epo, kjo është pyetja. A mund të arrihet kjo me mjete ushtarake? Dhe unë do të thosha se këtë vit – duke nënkuptuar pjesën e mbetur të këtij viti – mendoj se do të jetë një detyrë shumë e vështirë. Nuk është e pamundur, por është jashtëzakonisht e vështirë. Dhe në botën e probabiliteteve, nuk mendoj se është e mundshme. Mund të ndodhë, por nuk mendoj se ka gjasa të ndodhë”.

    Thënë shkurt, gjenerali Milli askund në podkast nuk deklaron se “Ukraina nuk ka shanse”. Prandaj, pretendimi nga titulli “Pentagoni: UKRAINA NUK KA SHANSE” mund të vlerësohet si i pavërtetë dhe si dezinformatë propagandistike. /IMA/

    Lajmi Paraprak

    Europa kritikohet për trajtim “çnjerëzor” të emigrantëve

    Lajmi i rradhës

    Thirrje për pauzë në zhvillimin e inteligjencës artificiale

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë