Edhe këtë verë, Dibra pritet të mbushet me mërgimtarë që do të kthehen në vendlindje për të kaluar pushimet pranë familjeve dhe të afërmve të tyre. Shoqatat e mërgimtarëve dibranë që veprojnë në shtetet evropiane, si edhe ato në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë informuar se edhe këtë verë në Dibër do të arrijnë shumë mërgimtarë. Jozyrtarisht, sipas tyre, numri i mërgimtarëve që do të vijnë në vendlindje pritet të jetë mbi 5 mijë. Burime të njëjta theksojnë se ardhja e mërgimtarëve do të fillojë nga mesi i muajit qershor, ndërsa kthimi i tyre pritet në fund të muajit gusht. Edhe këtë verë, Dibra dhe fshatrat e saj pritet të jenë të mbushura me mërgimtarë.
Ardhja e tyre pritet të sjellë gjallëri në qytet dhe në zonat rurale. Gjatë sezonit veror shtohet frekuentimi i lokaleve, restoranteve dhe bizneseve të ndryshme, ndërsa rrugët dhe sheshet mbushen me vizitorë. Përveç takimeve familjare, shumë mërgimtarë e shfrytëzojnë qëndrimin në Dibër për të investuar në shtëpitë e tyre, për të ndihmuar familjarët dhe për të kaluar kohë në vendet ku janë rritur.
Mërgimtarët dibranë tashmë kanë nisur përgatitjet për pushimet verore. Shumë prej tyre e konsiderojnë Dibrën si destinacionin kryesor ku kalojnë ditët e pushimit, duke u rikthyer çdo vit për të ruajtur lidhjet familjare dhe traditat e vendlindjes. “Shumë mërgimtarë kanë rezervuar tashmë biletat e avionit për të ardhur nga SHBA-ja”, thonë përfaqësues të Shoqatës Atdhetare “Dibra” në Nju Jork. Sipas tyre, këtë verë pritet një ardhje masive e dibranëve që jetojnë në Amerikë. Interes i madh për të vizituar vendlindjen ka edhe te gjeneratat e reja, të cilat, ndonëse kanë lindur në SHBA, me kënaqësi vijnë në Dibër.
Edhe shoqatat mbarëdibrane që veprojnë në Itali, Zvicër, Gjermani, shtetet e Beneluksit dhe vendet skandinave theksojnë se numri i mërgimtarëve që do të vijnë në vendlindje është shumë i madh. Prania e tyre në Dibër pritet me interes të veçantë si nga pushteti vendor, ashtu edhe nga qytetarët.
Ardhja e mërgimtarëve pritet të rrisë edhe numrin e dasmave dhe gëzimeve të tjera familjare, pasi prania e tyre çdo vit stimulon organizimin e aktiviteteve familjare. Përfaqësues të disa këmbimoreve në Dibër thonë se ardhja e mërgimtarëve ndikon dukshëm në rritjen e qarkullimit të valutave të huaja. “Dollarët dhe eurot e mbushin Dibrën gjatë verës”, thonë pronarët e këmbimoreve. Edhe në filialet e bankave që veprojnë në qytet vlerësojnë se mërgimtarët sjellin një injektim të konsiderueshëm financiar, duke ndikuar pozitivisht në standardin jetësor të shumë familjeve dibrane. Shoqatat qytetare në Dibër theksojnë se mërgimtarët gjatë qëndrimit të tyre realizojnë edhe një numër të madh aktivitetesh humanitare. “Shumë aksione humanitare organizohen gjatë verës, pikërisht në periudhën kur mërgimtarët kthehen në vendlindje”, shprehen përfaqësues të sektorit civil.
Me afrimin e muajve të verës, Dibra po përgatitet të mirëpresë edhe një herë bijtë dhe bijat e saj nga mërgimi, duke e kthyer qytetin në një qendër takimesh, emocionesh, kujtimesh familjare dhe gjallërie të veçantë. Koha






