Konfiskimet e patundshmërive, pasurimi jashtë ligjit në RMV

    Konfiskimi si mjet i fuqishëm për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, ende nuk është aplikuar mjaftueshëm në Maqedoninë e Veriut. Bile edhe në Shqipërinë fqinje raportohet për zbatimin më të madh të një praktike të tillë. “Përkundër të gjithë reformave ligjore, masa e parë e shqiptuar për konfiskimin e pasurisë ka qenë në vitin 2008, ose katër vjet pas vendosjes së kësaj mase në legjislacionin e brendshëm.

    Në këtë drejtim, zbatimi praktik i konfiskimit mbetet relativisht i ulët, veçanërisht në rastet që lidhen me korrupsionin e lartë. Kjo situatë me mospërdorimin e konfiskimit njihet nga komuniteti ndërkombëtar, por edhe nga opinioni vendor profesional dhe i gjerë, madje edhe nga vetë autoritetet shtetërore, të cilët pajtohen se ka shumë më tepër hapësirë ​​për përdorimin e konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme”, theksojnë nga Koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë” në analizën e aplikimit të konfiskimit në procedimin penal në vitin 2021.

    Në të, theksohet se Gjykata Penale në Shkup ka nxjerrë 45 aktgjykime të plotfuqishme për konfiskim të pasurisë, gjë që nuk është rasti me gjykatat në brendësi të vendit. Praktika shpesh tregon se personat e dyshuar për krim të organizuar dhe korrupsion edhe para procedimit ndaj tyre, ua kanë transferuar pronën familjarëve apo miqve. Por, në rrugën e konfiskimit lindin edhe shumë probleme të tjera, të cilat pritet të kapërcehen me dispozitat e reja ligjore të përgatitura nga Ministria e Drejtësisë.

    Gjykatësja e Gjykatës Supreme, Mirjana Llazarova Trajskovska thotë se është e rëndësishme që të punohet në praktikën gjyqësore në Maqedoni. “Masa e konfiskimit të pasurisë mund të sjellë përfitime të mëdha, jo vetëm për të mbrojtur ekonominë nga korrupsioni, por zbatimi korrekt i konfiskimit të pasurisë në procedimet ku ka krim të organizuar i shërben mbrojtjes të së mirës publike. Unë besoj se një ligj i mirë, i zbatuar mirë në praktikë, mund të forcojë shtetin e së drejtës”, thekson gjykatësja Trajkovska.

    Sipas saj, konfiskimi është një nga mjetet më efektiv për të luftuar krimin e organizuar, por është i një natyre veçanërisht të ndjeshme. Indikacionet janë se gjykatësit duhet të zbatojnë ligjin dhe të jenë të vetëdijshëm se bëhet fjalë për të drejtat pronësore, që do të thotë se ata duhet të konstatojnë të gjitha faktet deri në detaje për të konfiskuar siç duhet pronën, duke mbajtur parasysh interesin publik dhe duhet kenë kujdes që në asnjë mënyrë të mos cenojnë interesat private.

    Së fundmi pritet që shteti do të fitojë 15 milionë dhe jo 30 milionë euro nga konfiskimi i Sasho Mijallkov në lëndën “ Imperia”. Në të kanë punuar Agjencia për menaxhimin me pronën e konfiskuar dhe Byroja për ekspertiza gjyqësore. Edhe pse nga Prokuroria fillimisht ishte kumtuar se bëhet fjalë për më shumë të holla, që i merret të pandehurit që është dënuar me marrëveshje në tre vjet burg për këtë lëndë. Me fjalë të tjera, pasuria e paluajtshme e ish drejtorit të Shërbimit për Siguri dhe Kundër Zbulim, Sasho Mijallkov ishte konfiskuar me marrëveshje në rastin “Imperia”. Përskaj kësaj shume, shteti ka konfiskuar edhe 6 milionë euro të tjera, apo afër 21 milionë euro.

    Në periudhën e kaluar, disa raste të mëdha të konfiskimeve shkaktuan interes publik – në qershor të vitit të kaluar, gjykata sekuestroi selinë partiake të VMRO-DPMNE-së, të ashtuquajturat “Pallatin e bardhë ”, si dhe 30 prona partiake, të cilat përmbyllën procesin gjyqësor të hapur nga Prokuroria Speciale “Talir 2”. Paraprakisht është konfiskuar pasuria e kontestuar në rastin “Pllacet në Vodno”, e cila ka arritur në shumën prej tre milionë eurosh. Tre vite më parë u konfiskuan edhe 9 milionë euro, si patundshmëri të kompanisë Transmet në Vodno dhe lokalitete të tjera në Shkup. Pronari i saj, Sead Koçan ishte dënuar për fitimin e tenderëve jo të ligjshëm nga ana e Elektranave të Maqedonisë.

    Raportet tregojnë se në vitin 2019 në arkën e shtetit janë kthyer 35 milionë denarë nga prona e konfiskuar.

    Raportet më të hershme tregojnë se shteti në emër të pasurive të fituar në mënyrë jo legale ka fituar në vitin afër 20 milionë euro në vitin 2010. Në atë kohë ishin sekuestruar disa apartamente, objekte afariste, letra me vlerë dhe aksione në disa banka në të gjithë vendin në rastin “Stanet” si dhe nga ish drejtori i doganës Dragan Daravelski, etj. Shteti e ndërmori këtë veprim pasi të dënuarit edhe pse sipas ligjit dhe aktgjykimit të plotfuqishëm nuk e kishin kthyer pasurinë e fituar në mënyrë të paligjshme. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Diskriminimi në RMV, edhe etnik, edhe politik!

    Lajmi i rradhës

    Gratë fermere në RMV nuk gëzojnë të drejtën e pushimit të lehonisë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë