Disperzimi i zjarrfikësve nëpër disa komuna të pollogut me shumë paqartësi

    Fotografia: Nistori

    Në Këshillin e Komunës së Tetovës është miratuar studimi për themelimin e tre nënstacioneve të njësisë së zjarrfikësve. Me këtë rast, sipas këtij studimi pritet të themelohen nënstacione në komunën e Tercës ku do të përfshihet edhe Komuna e Jegunocit, në Komunën e Bogovinës bashkërisht me komunën e Bërvenicës dhe një nënstacion do të jetë në Komunën e Zhelinës.

    Në sqarimin e përfaqësuesve të komunës së Tetovës u tha se e tërë kjo bëhet që njësia të jetë më efikase gjatë intervenimeve jashtë territorit të komunës së Tetovës. Gjatë debatit në këshillin e komunës së Tetovës, kanë reaguar këshilltarët e BDI-së të cilët kërkuan sqarime lidhur me këtë vendim, duke potencuar faktin se për krijimin e nënstacioneve nevojitet që të merret vendim edhe nga kryetarët e komunave tjera ku parashihen këto nënstacione për zjarrfikësit. Këshilltarët e BDI-së, poashtu shtruan edhe çështjen se a është marrë mendim dhe pëlqim nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe Ministria e Mbrojtjes. Ata akuzuan se gjendja e njësisë së zjarrfikësve në komunën e Tetovës nuk është e mirë.

    “Sipas bindjeve tona, komuna e Tetovës kalon kompetencat duke tentuar të krijojë nënstacione në komunat tjera, pa marrë miratimin e tyre. Ne nuk jemi kundër krijimit të nënstacioneve tjera, mirëpo jemi për ata që të ketë bashkëpunim me komunat tjerë, që kanë kryetarë të tjerë dhe janë komuna në vete. Komunat në fjalë nuk janë të njoftuara dhe ne kemi reaguar se zjarrfikësit nuk janë në gjendje fort të mirë, aty ka zjarrfikës që janë punësuar me kontratë në vepër dhe pa licencë pune, janë zjarrfikësit që ishin në Turqi që i kishte dërguar kryetari i komunës dhe u ka premtuar rrogë ekstra por nuk ua ka paguar. Aty ka mungesë të pajisjeve bazike për punë”, tha Liridon Disha, këshilltar i BDI-së në komunën e Tetovës.

    Por, kryetari i këshillit të komunës së Tetovës Besar Durmishi, është shprehur se reagimet e opozitës janë normale, por ai tha se një veprim i këtillë është ndërmarrë sepse ligji lejon krijimin e nënstacioneve të zjarrfikësve. “Të punësuarit në njësinë e zjarrfikësve pagën e marrin një pjesë nga komuna e Tetovës një pjesë nga qeveria e Maqedonisë së Veriut, respektivisht nga Ministria e Mbrojtjes, ndërsa komunat rurale nuk participojnë në pagesën e këtyre të punësuarve por shërbimin e marrin. Realisht me këtë ndarje do të duhet të bisedojmë me komunat rurale që edhe ata të participojnë në pagën e këtyre të punësuarve. Me këtë hap që e kemi marrë do të bëjmë decentralizimin e njësisë së zjarrfikësve dhe do të jemi sa më afër për dhënien e shërbimeve ndaj qytetarëve”, tha Durmishi.

    Por, kryetarët e komunave mendojnë se disperzimi i njësisë së zjarrfikësve është nevoje urgjente dhe imediate. Ligji aktual nuk lejon që të krijohet stacion i ri i zjarrfikësve pasi që komuna e Tetovës ka kompetenca për një territor deri në 25 kilometra. Prandaj në këtë drejtim edhe kërkohet zgjidhje e favorshme.

    “Ne e kemi ngritur këtë shqetësim edhe në qendrën rajonale të Pollogut. Bashkë të nëntë komunat, duke e ditur gjendjen momentale, gjendjen faktike të stacionit në Tetovë, i cili nuk arrin të mbulojë gjithë hapësirën, pra flas për hapësirën Veri-Perendimore, pra në komunën tonë dhe komunën fqinje atë të Jegunocit. Realisht, këtë që e kemi e kërkuar neve edhe kemi bërë kërkesë që ligjërisht të sqarohet, sepse kemi një përplasje ligjore, ku kufizimet e tilla nuk lejojnë që të formohet një stacion i ri ose e njëjta të shpërndahet. Për këtë kërkojmë, sa lejon ligji por edhe vullneti i mirë për bashkëpunim ndërkomunal për të pasur një shërbim sa më të afërt ose të drejtpërdrejt veçanërisht për njësinë e zjarrfikësve deri tek qytetarët. Por, duhet që të definohet mirë edhe çështja e pagesës së pjesëtarëve të zjarrfikësve”, tha Nuhi Neziri, kryetar i komunës së Tearcës.

    Kërkesa për disperzimin e njësisë së zjarrfikësve të Tetovës nëpër komuna rurale është e kamotshme. Kjo, për shkak se njësia e zjarrfikësve të Tetovës, mbulon përveç komunës së Tetovës edhe komunën e Bogovinës, Bërvenicës, Zhelinës, Jegunocit dhe Tearcës. Për të arritur në pikën më të largët në Jazhincë, zjarrfikësit e Tetovës duhet të kalojnë mbi 30 kilometra. Për këtë humbet shumë kohë që të arrihet shpejtë dhe shkaktohen vonesa. Prandaj edhe shpesh herë qytetarët janë ankuar se zjarrfikësit vonohen për të arritur në vendngjarje sa më parë. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Ariu shkatërron kosheret me bletë në Dibër

    Lajmi i rradhës

    TEPRICË GRURI NË HAMBAR | Fermerët në RMV kërkojnë blerje nga shteti

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë