Dita pa makina, çiklistët: Nuk ndjehemi të sigurt në komunikacion

    Në kuadër të javës europiane të lëvizshmërisë, qindra banorë të kryeqytetit kishin marrë biçikletat e tyre që së bashku të shënojnë ditën pa makina. Çiklistët që sot ishin mbledhur në parkun “Ibni Pajko” thanë se shpeshherë nuk ndjehen të sigurt në komunikacion, ndaj apeluan ndaj drejtuesve të makinave për më shumë kujdes. Në të njëjtën kohë, ata u bënë apel bashkëqytetarëve të tyre që të përdorin sa më shumë transport alternativ, veçanërisht biçikleta, pasi në këtë mënyrë kujdesen për ambientin jetësore dhe shëndetin e tyre.

    “Sigurisht që duhet sa më shpesh të drejtojnë biçikleta, sepse në këtë mënyrë do të jenë më aktiv fizikisht, por edhe do të ndikojnë të ajri të jetë më pak I ndotur. Andaj porosia ime është që të përdorin sa më shpesh biçikletat”.

    “Unë po ju them që kam 20 apo 22 vjet që lëviz me biçikletë nëpër qytet dhe kam vërejtur se nëse nuk ruhesh vetë, është e kot, edhe në shteg për biçikleta do të të godasë ndonjë, prandaj duhen bërë “sytë katër”.

    “Nëse duan të jenë të shëndetshëm, patjetër të shfrytëzojnë biçikleta. Është gjë e mirë që kemi më shumë shtigje për biçikleta, megjithatë konsideroj se vetëdija e drejtuesve të makinave, duke u nisur edhe nga vetja, ende nuk është në nivelin e duhur dhe realisht nuk kujdesen”.

    “Kur kemi lëvizur me biçikletë qoftë në shteg apo trotuar hasim shpesh në shoferë të pandërgjegjshëm, por ndonjëherë edhe ne dimë të tregohemi të pakujdesshëm”.

    Valon Saliu nga Qyteti i Shkupit tha se është punuar në drejtim të vetëdijesimit të qytetarëve dhe që të njëjtëve t’u ofrohen mundësi që të shfrytëzojnë edhe më shumë transportin alternativ, por pranon se duhet ende punë, për vetëdije më të lartë.

    Nuk mjafton asnjëherë. Ju mund të shkoni edhe në qytetet më të zhvilluara edhe atje ka kështu aktivitetesh dhe projektesh. Mirëpo, mendoj se jemi në rrugë të mbarë. Nëse punojmë të gjithë bashkë, qëllimi ku duam të arrijmë, institucione, qytetarët dhe organizatat joqeveritare, mendoj se mund të arrijmë deri te caku i duhur – deklaroi Valon Saliu- zëdhënës i Qytetit të Shkupit.

    Një defilim i tillë u organizua edhe në Kumanovë. Java Evropiane e Lëvizshmërisë, shënohet nga data 16 deri më 22 shtator./Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Dimitrov: Për integrimin europian të rëndësishme janë mjedisi jetësor, aksionet klimatike dhe transporti

    Lajmi i rradhës

    Rritet puna “ilegale” në RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë