“DITË TË ZEZA E PRESIN QEVERINË”

    Propozim buxheti ku parashihen pagat në sektorin publik për vitin e ardhshëm ka shkaktuar revoltë nga sindikalistët. Interpretime të ndryshme vijnë nga sindikata të ndryshme, por të gjithë kanë një qëllim. Kanë vendosur të dalin në protesta masive lidhur me rritjen e pagave që dyshojnë se nuk do tu bëhet sipas Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive që e arritën sivjet. Nga SPOGJ thonë se këtë të premte që vjen planifikojnë të bëjnë protestë të madhe para Kuvendit ku do të nis debati për buxhetin.

    “Me këto informacionet e reja që morëm po del ajo që ne e flasim kaherë në opinion, plani i qeverisë është që në muajin mars kur të rritet paga minimale, atë harmonizim mos ta marrin askush nga të punësuarit në sektorin publik. Shkojnë në mënyrën që të bëhen ndryshime ligjore dhe paga minimale të hiqet nga metodologjia pagave që nënkupton se askush të mos ketë rritje lineare. Të premten mora edhe një informacion se ajo që është shkruar në Marrëveshjen e përgjithshme kolektive, që duhet të zbatohet në vitin 2025, paga mesatare si bazë mos të rregullohet me marrëveshjet tjera kolektive, por Ministria e Financave insiston të bëhen ato me ligje që mund ti manipuloj të gjithë të punësuarit, duke u bërë ligje pa pjesëmarrjen e sindikatave,” deklaroi Tërpe Deanovski, Sindikata e të punësuarve në administratën e organeve gjyqësore.

    Nuk janë të kënaqur as nga Konfederata e Organizatave Sindikale të Maqedonisë, të cilët thonë se rritje të pagave duhet të ketë për së paku 30% për të punësuarit në sektorin publik dhe ata në sektorin privat. Kreu i kësaj sindikate Marjan Risteski tha se do të pasojë edhe protesta tjetër më 2 dhjetor para Qeverisë.

     “Më 2 Dhjetor e shfrytëzoj rastin tu bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të na bashkohen në protestën masive të sindikatave, të cilët kemi kërkesa për të drejtat e punëtorëve. Në këtë shtet, o njerëz, asgjë nuk funksionon! Nuk kemi trena, i shihni punëtorët e prekur si protestojnë, bëjnë grevë! Shkollat nuk kanë libra, kurrfarë shëndetësie! Asgjë nuk kemi, por e vetmja gjë në vend që funksionon janë përmbaruesit, avokatët, noterët, kreditë e shpejta dhe shoqëritë financiare. Sërish kemi vjedhje totale!,” tha Marjan Risteski, Konfederata e Organizatave Sindikale të Maqedonisë.

    Të dyja sindikatat paralajmëruan se ditë të zeza po vijnë për qeverinë, e cila sipas tyre po përpiqet të bëjë politika dashakeqe kundër fuqisë punëtore. Por autoritetet kanë paralajmëruar se në mars të vitit të 2024 pritet që të rritet paga minimale në 22,500 denarë dhe si rrjedhojë me harmonizim pagash pritet të ketë rritje lineare prej 40 eurove për çdo të punësuar në sektorin publik. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Me iniciativë të Llogës, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi tre rregullore dhe hapi procedurë për tetë

    Lajmi i rradhës

    Kërzhallovski: Tensionet ndër etnike do të rishfaqen

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë