DJ KOMUNIST

    Arlind Farizi / Fotografia: Rrromir Imami

    Arlind Farizi

    Ngjashëm si muzikë Techno është politika në Maqedoni. Diçka mes zhurmës dhe bërtitjeve; diçka mes krrokamës dhe blegërimës së mistershme; diçka që rrjedh prej setit të DJ të dobët dhe shundit politik…

    Populli si një tinejxher pa përvojë diskotekash e pub-esh, unionesh europiane, luan nën ritmet e pazbërthyeshme me asnjë alkimi të DJ komunistit, guerilit muzikant, antishqiptarit, anitnatoistit, antieusistit… Kërcen populli në arenë, luan si i çmendur. Arenë multietnike. Disa individ zemërdobët kërkojnë të blejnë ekstazi alla VMRO, LDSM, BDI, PDSh dhe ca më të dobët për nga efekti BESA. Hanë sa u nxë goja dhe presin qetazi efektet e ekstazës politike. Skenari përfundon me mpirje truri, zbehje mendimesh, djersë të ftohta mbase dhe vdekje eventuale… Spitalet janë selitë e partive ku bëhet shërimi me doza të dyfishta. Ata më të fortët, më me përvojë presin të ndodh çudia, presin të nxehet DJ, presin se kur do të luajë arusha në arenë! Hamendja ua ka bllombuar trutë. Shkallëve të gënjeshtrës zbret “E VËRTETA”. Ajo përdridhet para syve të popullit. Tund gjinjtë e saj të fryrë, lakon trupin perfekt, laget me ujë dhe nis fërkohet shtyllës. E VËRTETA ka edhe tanga. Çudi, edhe atë me ngjyrë të kaltër si flamuri europian ndërsa nga pas i rri Nato-ja. Habitet populli! S’ka pa kësi lloj të vërteteje!? Rregulli i artë: askush nuk guxon ta prekë se vijnë sigurimsat dhe udbashat. Pas kësaj të vërtete hedhet para e madhe. Humbet rendi i shtëpisë pas kësaj striptizete. O Zot, sa e bukur kjo E VËRTETË, t’a hash, t’a sosish, t’a… Në fund idealistit i plasi shpirti.
    U ngrit dhe tha IDEALI QENKA K…Ë

    Imazhi i cili krijohet pas leximit të këtij fragmenti jep qartë fotografinë e realitetit tonë politik, imazhin e arenës së rreme multienike, e transit politik ku një DJ kërkon njëmendësi dhe mendjengushtësi miopike politike. Kjo është ideologjia e satanizimit të popullit me rrena të përditshme, me shpresa se mëngjesi i nesër na gjen ne mes unionit, me muzikë për mpirjen e mendjeve, me ekstaza politike me efekte afatshkurta… Kuptohet edhe një e vërtetë e madhe se politikanët tonë deshën qeverinë shkaku i minifundeve, shkaku i parave dhe tenderologjisë… Dikush i dirigjon këto. Ka një DJ ekspert kjo arenë e quajtur Maqedoni. Setet ia përgatit ASHAMI, ndërsa ai vetëm del dhe luan sipas rregullave, si një piar politik pa haber se ku shpie muzika e tij, tmerri i tij, droga politike e shpërndarë në popull.

    ​Në Maqedoni, populli shqiptarë dhe ai maqedonas janë ndërsjelltazi kundërtipe skajshmërisht të polarizuara. Uniteti mes tyre është fals sot e gjithë ditën. Ky “unitet” ruhet më syçeltësi nga brejtësit më të rrezikshëm si individualizmi dhe kozmopolitizmi i rremë. Gjithçka do rrënohet një ditë. S’do të ketë më kokëulje plot ndërshmëri servile ndaj DJ-ve. Në fakt as DJ komunist s’do ketë. Atë ndërkallje ideologjike do e thajë brezi i rock politikës, një brez i ri plot vizion, një gjeneratë bit… Do marrin fund dhe mrrekullitë e zhdërvjellëta të durimi të masës. Por, kjo do të ndodh pasi të zhduken ekstaza në formë partish politike dhe krijohet vetëm një medikament i pastër politik etnik duke ruajtur guacën e pathyeshme të identitetit tonë. Disfata e DJ të njohur tashmë do jetë masa e tij e vogël, numri i votuesve dhe zhgënjimi eventual. Politikat antishqiptare do bien si copën qielli në kënetë. Atëherë i shoqëroi refreni i famshëm onomatopeik i korit të bretkosave të Aristofanit…

    *Titulli i këtij shkrimi është parafrazim i një koncepti të ngjashëm për politikën në Maqedoni.

    *Arlind Farizi është kolumnist i rregullt i Nistori.com. Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Derivatet ulen, çmimet e biletave nuk ndryshojnë

    Lajmi i rradhës

    Karrota, vlerat e mira për organizmin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë