Dobësohet blegtoria në RMV, përgjysmohet numri i kafshëve!

    Rënie të madhe të numrit të bagëtive po tregojnë të dhënat statistikore. Në 10 vitet e fundit numri i krerëve të bagëtisë në zonat e ndryshme rurale në Maqedoni ka ardhur drejt rënies së theksuar. Shkaqet janë nga më të ndryshmet, ndërsa specialistët e lidhin këtë me disa faktor siç janë emigrimi masiv, çmimet e ulëta grumbulluese të prodhimeve të fituara në fermë, rritja e kostove si dhe fuqia punëtore po ndikojnë që në mënyrë të vazhdueshme të zvogëlohet numri i lopëve në vend. Rënia e numrit të kafshëve, sjell edhe më pak prodhime blegtorale vendore dhe import të qindra milion eurove të qumështit dhe përpunimeve të qumështit, mishit…

    SUPORTI MË I MADH

    Ekspertët e fushës thonë se blegtoria në mënyrë të pajustifikueshme është më pak e mbështetur nga sa e meriton. Zhvillimi i bujqësisë shihet përmes zhvillimit të blegtorisë. Është një degë përmes së cilës realizohen produktet përfundimtare të prodhimit bimor që duhet të ketë, më shumë mbështetje, sepse blegtoria është finalizuesi i prodhimit bimor. Nëpërmjet blegtorisë ju shitni djathë, qumështi mishi e kështu me radhë, apo me fjalë tjera ofroni produkte përfundimtare në treg.

    “Zvogëlimi i fondit të kafshëve është një problem kompleks dhe shumë aspekte kontribuojnë në zvogëlimin e tij, duke filluar nga çmimi i qumështit ku çmimet në dyqane janë shumë më të larta se çmimet e blerjes me të cilat blihet qumështi nga fermerët, të cilat prej vitesh janë të njëjta, të ulëta, të pamjaftueshme për të mbuluar kostot e tyre. Përveç kësaj, kostot e inputeve në ferma janë vazhdimisht në rritje, por çmimet e produkteve të tyre nuk ndjekin këto rritje. Thjesht një problem shumë kompleks, i cili nuk mund të zgjidhet me një apo dy masa, por për këtë problem nevojiten zgjidhje sistematike”, thonë profesorët e bujqësisë.

    Nga Federata e Fermerëve thonë se në periudhën e kaluar më shumë probleme kanë ndikuar në dobësimin e fondit blegtoral si dermatoza nodulare, një sëmundje që shkakton vdekjen e kafshës dhe një dëmtim të madh ekonomik për familjet e fermerëve. Por edhe sëmundjet e tjera të kafshëve si bruceloza. Edhe nga atje thonë se fondi blegtoral në vend është në rënie ku bile në disa fshatra nga mijëra dele , tani nuk gjendet asnjë.

    “Në vitet e kaluara çmimi i ushqimeve të kafshëve është 100 për qind më i lartë se vitet paraprake , vështirë po gjendet jonxhë apo paguhet shumë shtrenjtë. Pra rritja e harxhimeve për fermerët nga njëra anë dhe çmimet e ulëta grumbulluese të mishit dhe qumështit ndikuan në uljen e blegtorisë në shtet”, thonë blegtorët.

    Nga Federata e Fermerëve thonë se me fillimin e tranzicionit, blegtoria shënoi rënie të mëdha, të cilat u bënë shqetësuese nga mesi i viteve 1990. Shkatërrimi i fermave të mëdha, privatizimi i dobët dhe mbyllja e thertoreve dhe frigoriferëve kanë çuar në rritje të mëdha të importeve të mishit. Të dhënat statistikore tregojnë se në periudhën 2011-2021 kemi rënie të numrit të lopëve nga 265 mijë në 178 mijë, të dhenve nga 767 mijë në 633 mijë të shpendëve nga 1944 mijë në 1484 mijë.

    RAJONI DHE EVROPA ME PROTESTA

    Edhe në shtetet e rajonit po vërehet rënie e blegtorisë. Bile edhe në shtetet me potencial më të madh se ne në bujqësi dhe blegtori si Kroacia dhe Serbia, nuk kanë të reshtur protestat e fermerëve të pakënaqur me çmimet grumbulluese dhe ambientin dhe kushtet e punës për bujqit. Në Serbi kohë më parë, disa shoqata të fermerëve kishin protestuar tyre bllokuan disa rrugë. Ata kërkonin ndër të tjera rregullimin e tregut të produkteve bujqësore në bursë, rritjen e subvencioneve dhe naftë më të lirë. Pjesërisht u plotësuan kërkesat e tyre. Në Kroaci kësaj jave janë vënë në pah problemet që e vështirësojnë punën e tyre dhe si një nga çështjet kyçe kanë përmendur mbipopullimin e tregut vendor me mallra të importuara.

    Sipas pjesëmarrësve të protestës, fermerët besojnë se lobeve të importit u lejohet çdo gjë dhe se në kushte të tilla, prodhuesit e vegjël vendor nuk kanë mundësi të mbijetojnë në treg.

    “Gjithçka vjen në Kroaci, nuk ka kontroll. Ndërkohë që të gjitha çmimet e blerjes kanë rënë dhe kostot e prodhimit janë rritur, importuesit po bëjnë sefa. Në situatën aktuale, ne nuk mund të konkurrojmë me lobet e importit”, theksojnë ata.

    Në bazë të fjalëve të organizatorit, protesta po organizohet për shkak të momentit aktual në bujqësinë vendase, e cila është e mbushur me probleme, por edhe në shenjë mbështetjeje për protestat e fermerëve gjermanë. “Protesta organizohet për shkak të të gjitha problemeve që dalin nga Politika e Përbashkët Bujqësore (CAP) dhe politika bujqësore e Bashkimit Evropian dhe, para së gjithash, për shkak të pakënaqësisë me mënyrën e asgjësimit të tokës bujqësore shtetërore, importit dhe . politika dhe të tjera”, tha organizatori.

    Ju na ushqeni me ushqime të importuara dhe ju blini tonat me çmime të ulëta. Kaq mjafton! – është një nga mesazhet nga protesta e fermerëve në Megjimurje, ku u mblodhën rreth 300 pronarë dhe familjarë të fermave bujqësore. Megjimurjes iu bashkuan fermerët nga Qarku i Varazhdinit, kështu që rreth mesditës ata kaluan nëpër rrugët e Çakovecit në një kolonë me rreth 200 traktorë. Ata paraqitën një listë me 12 kërkesa, që nga ulja e barrës administrative, heqja e gjeoetiketimit të fotove dhe kontrolli i importit të ushqimeve dhe produkteve të përpunuara nga vendet e treta në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror e deri te nisja e të ashtuquajturit fondi i përbashkët, nga i cili do të mbuloheshin shqetësimet e tregut. Fermerët ankohen janë “të shtypur” nga një administratë e madhe.

    “Sikur të ishim inxhinierë, jo fermerë. Nga ne pritet të shkruajmë dhe fotografojmë çdo hap, çdo aktivitet, çdo gjë që kalon nga duart tona. A mendon njeri se unë do të jem pesë orë në traktor dhe pastaj katër në kompjuter?” pyesin bujqit.

    Lëvizja protestuese e fermerëve ka përfshirë Evropën gjatë muajve të fundit, duke u përshpejtuar me shpejtësi dhe duke lënë të paprekura – tani për tani – vetëm Austrinë, Danimarkën, Finlandën dhe Suedinë. Fermerët bllokuan qytetet kryesore si Parisi, bllokuan qendrat e të tjerave si Berlini, mbyllën autostradat, hodhën plehra , thyen supermarketet, dogjën balet e barit dhe paletat dhe u përleshën me policinë. Shumë nga protestat janë të paktën pjesërisht specifike për vendin: në Holandë, qeveria planifikon të përgjysmojë emetimet e azotit deri në vitin 2030, pjesërisht duke reduktuar numrin e bagëtive; në Itali, heqja e përjashtimit nga tatimi mbi të ardhurat në fuqi nga viti 2017; në Gjermani, heqja graduale e kreditimit të taksave për naftën bujqësore për të balancuar buxhetin.

    Por, siç shkruan Guardian në analizën e protestave, të gjithë ata janë të bashkuar nga shqetësimet që ndajnë në të gjithë Evropën: rënia e çmimeve të prodhimit, rritja e kostove, mbizotërimi i shitësve me pakicë, importet e huaja të lira dhe – mbi të gjitha – rregullat mjedisore të BE-së që shumë fermerë i konsiderojnë të padrejta dhe ekonomikisht jorealiste. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    ​Shumë lëndë të vjetra të pazgjidhura në Dibër

    Lajmi i rradhës

    Mersiha Smailoviq, kandidate për president në RMV nga komuniteti boshnjak

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë