Dy dekada dhe 150 mijë të rinj më pak

    Edhe pse Maqedonia e Veriut qëndron më lart se mesatarja e Evropës sa i takon përqindjes së popullsisë së re (grupmosha 15-29 vjeç) shifrat e kësaj pjese të popullsisë kanë pësuar reduktim dramatik gjatë dy dekadave të fundit. Rezultatet e regjistrimit të fundit të popullsisë të kryer në vitin 2021 treguan se popullsia në përgjithësi (1.8 milion) është tkurrur me rreth 180 mijë banorë, krahasuar me vitin 2001 (rreth 2 milionë banorë). Nëse reduktimi i popullsisë gjatë dy dekadave llogaritet të jetë 9 për qind, reduktimi i popullsisë së re, është shumë më i madh. Sipas të dhënave zyrtare të Entit Shtetëror të Statistikës, shtimi natyror në të gjithë Maqedoninë ka tendenca negative në pesë rajone.  

    “Në periudhën 2012-2022 pjesëmarrja e popullsisë së vjetër (65 e lart) u rrit nga 11.9% në 17.7%. Në periudhën nga viti 2012 deri në vitin 2022, numri i lindjeve është ulur për 5.495, dhe lindshmëria është ulur nga 11.4 ‰ në 9.9 ‰ (lindje për 1000 banorë). Popullsia në zonat urbane përbën rreth 29 për qind të numrit të përgjithshëm, kundrejt zonave rurale ku popullsia rritet me mbi 72 për qind”, vërehet në Statistikat zyrtare. Më shqetësuese konsiderohet numri i popullatës së re, që nga regjistrimi i vitit 2002 (kur ishte 480,828 të moshës 15-29 vjeç) arriti në vetëm 326,733 në regjistrimin e dy viteve më parë. Por treguesit janë të ndryshëm për çdo komunë. Për shembull nëse në komuna si Rostushë – Mavrovë, apo Gostivar numri është mbi 60 për qind më pak, ka komuna, si Haraçina, apo Studeniçani, ku numri i të rinjve është shtuar gjatë dy dekadave të fundit. Sipas një analize të institutit IDEI konstatohet se reduktimi i popullsisë së re nuk është i njëjtë kudo.  

    “Të rinjtë në Maqedoni të moshës 15-29 vjeç përfaqësonin 17.8% të popullsisë së përgjithshme në vitin 2021. Analiza në nivel komunal tregon se disa komuna si Novosella dhe Debrca kishin rreth 13% të popullsisë së re të popullsisë së përgjithshme në komunë, ose shumë nën mesataren kombëtare. Në anën tjetër, në Haraçinë dhe Likovë, pothuajse një e katërta e popullsisë komunale janë të rinj të moshës 15-29 vjeç, që është shumë mbi mesataren. Analiza hapësinore e komunave me rënien më të madhe të numrit të popullsisë së re tregon se komunat që janë më larg nga zona e Shkupit, kanë rënie më të madhe të popullsisë së re për dallim nga ato që jetojnë në rrethinën e Shkupit dhe të Shkupit dhe / ose qytetet më të mëdha”, thuhet në analizë.

    Komunat me numrin më të vogël të të rinjve janë Novaci, Lozova dhe Zërnovci, ku në vitin 2021 kishte më pak se 400 të rinj. Shqetësues është fakti që në 23 nga 80 bashkitë në vend numërohen më pak se 1000 të rinj. Komuna e Kumanovës me 18.720 të rinj ka numrin më të madh të popullsisë së tillë në Maqedoni (nëse përjashtohet qyteti i Shkupit – 91.000 të rinj), pasuar nga Tetova – 17.487 dhe Manastiri – 13.320. Kështu, për shembull, komunat Mavrovë dhe Rostushë, Novosellë dhe Qendër Zhupa kanë pësuar rënien më të madhe të numrit të të rinjve, mbi 60% në 2 dekadat e fundit. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Shumë qytetarë në RMV në varfëri ekstreme

    Lajmi i rradhës

    Shtyllat elektrike rrezikojnë qytetarët e Dibrës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë